nji nadje e qelibart. dielli që lind tuj i hapë sytë njikohësisht me ty. n'anë t'autostradës shofim nji shtresë të madhe me mjegull. duhet t'jetë shumë poshtë atje. shumë. mjegulla paska mbyllë gjithçka. por ti je e qetë. ke rrugën tande. edhe pak ke me dalë. e ke ba vetë planin para se me u nisë, të tjerat, të katërtat, të kanë dëgju e kanë pranu me t'ardhë mbas. gjithë çka din asht prej çka ke lexu në internet. asgja ma shumë.
e kur papritë në rrugën tande të shfaqet ajo mjegull që iu gëzove që i ike. asht e njëjta. natyra asht mbyllt. të duhet me ecë kadalë. nuk shifet asgja. tre, katër metra ma andej. tana dritat ndezë. fillon e çan tunelin tand në mesin e asaj mbështjellëse të bardhë, që shtërngon bardhësinë rreth makinës. aq sa e hap para, njisoj e mbyll mbrapa. në zemër të mjegullës. e ti mendon, pse nuk lexova ma parë për parashikimin e motit. por, njerzit në kohë të hershme, janë nisë për rrugë me dy parashikimet e veta, dy të thanuna prej atyne që e kanë ba njiherë rrugën dhe me ndonjë shenjë dhimbjeje reumatizmit.
shpijat janë nën mbretnimin e mjegullës. s'ka njerz, asht shumë herët me dalë. kur fillon e mendon se këtë mjegull e ke pasë lexue nëpër folklor, e prej tij ke mësue se prej andej kanë me dalë gjithfarë figurash, të denja për rrëfenja e libra del në diell. atë që ke lanë mbrapa po shfritohet prej rrezeve. e i ngjitesh malit, diku mirë e diku keq. hera e parë. si në shumë vende të tjera. hera e parë asht e vështirë, e lodhshme e pret, që ashtu si prej vendeve të tjera, kjo lodhje e jona, me u shpërbly me diçka.
atë lloj rrugash i gjen në tana vendet. por ti je mësue edhe ma keq. në rrugët e vendit tand. dhe kthesat nuk të bajnë përshtypje, gabimet gjithashtu. thjeshtë duhet me i pasë tana shqisat në punë me fuqi të plotë. e ndal makinën në nji qoshe të vogël, të nji qyteze me nji grusht shpish. e m'u përballë, n'orën shtatë e gjysëm të nadjes të shfaqet madhështore kështjella e Predjamas, Slloveni. në internet njerzit nuk dinë me shkru. interneti s'të tregon asgja.
pas nji debati në makinë nji natë më parë me shoqen e rrugës, se kisha nevojë për pushim, pasi morën leje te nji qendër pushimi me hapë çadrën e me fjetë të pestat, pasi nuk kisha fjetë aspak...ajo pamje e asaj kështjelle shkri me shpatin e malit, rreth saj veç ne të pestat dhe dy punëtorë, të duket nji magji që thjeshtë kanë harru me ta tregu. e sa ka të tilla? du me i gjetë.
jena turistet e para. hamë nadjen në tryezat e gjana prej druni. vjen gjithandej era pishë. po, deri sa të hapet kështjella, kam kohë me fjetë. shtrihem në makinë, ndërsa të tjerat lavardisen në nji natyrë marramëndese.
në kështjellë të drejton nji regjistrues, si telefon, ku gjithçka asht e rregjistrume në shumë gjuhë të botës. por ah, nuk du. du me e ndje historinë e kësaj kështjelle. du me ia zhbirilu tana qoshet pa m'i tregu kush. dhe e lëshoj rregjistrusin dhe e ndjej at' që du, për at' që kam ardhë. mesazhet njerzit që kanë jetu këtu dhe rreth saj, e kanë lanë disi ndër mure, a në objekte që gjenden rreth e qark, sigurisht të restaurume nga mendja e njerzve që e dojnë trashëgiminë e tyne. sllovenët e donin shumë at'vend edhe pse kështjella ishte ngritë nga nji kont austriak.
gjysë gur i malit, gjysë gur i vumë nga dora e njeriut, të tana në harmoni. njerzit e kishin vujtë pushtetin e zotnuesve të saj, deri sa ishin shu. e gjithësesi e kishin rujtë e kujdesë shumë për tana faktet historike, mitologjike e për këtë vinin turistë prej tana vendeve me e vizitu. shpella pas shpindës së kështjellës me nji pamje që të merrte frymën. ajo shpellë mbushë me stalaktite e stalakmite. (masiv malesh me të njëjtat karakteristika që vjen nga Shqipnia deri n'ato anë - më tregon tekstin me dorë shoqja ime në tabelën hymëse të kështjellësh). kur njitesh deri në pikën ku banorët kanë ba mbledhësin e ujit të pishëm (ende kullojshin gurt) pamja nga brenda e shpellës të ngjason me nji gru gjigande që prej andej ka lindë nji kështjellë, modeste, në krahasim me çka fshihte brenda vedit.
ajo shpellë lidhej edhe me tre shpella të tjera, me gjatësi të ndryshme. duheshin tre ditë me i eksploru. kur banorët e kështjellës kanë kenë të rrethum, edhe prej pushtuesish, kanë marrë ushqime, apo kanë pasë mundësi me shfrytëzu për me dalë e me hy në kështjellë.
prej kësaj magjie, veç kujtimeve në foto dhe tregimeve të gjata për pështypjen që na la, edhe dy gurë. njenin marrë në kështjellë dhe nji në shpellë. me ta shkruej kadalë kujtimet e vendeve shkelë me kambë e ndje me shpirt.
shpella nga brenda
![]() |
| tuj zardhe ne Predjama |


No comments:
Post a Comment