…erdh’ edhe
qetsia që ke kërkue tash a orë, tash jepi, ec…vajzat kanë fjetë mbrapa, duhet
vetëm me u përqëndrue n’autostradë dhe me ecë…asht tre kalimshe, po rri te e mesmja,
me 130 km n’orë mirë jam…po jo, a e shef atë makinën tjetër që t’erdhi te
korsia e shpejtë, me sa ishte ? edhe pyet…ja shife, kilometrazhi jot thote
135 km n’orë, ajo tjetra duhet të jetë të paktën me 200 n’orë…a ia ndjen
presion që shkakton te makina jote shpejtësia jote…fiuuuu, fiuuuu…ja edhe nji
makinë e vogël, duhet të jetë Ferrari…sa shpejt mutin…mos ia fut kot, ty të pëlqen
shpejtësia…po, por jo sot. jam me vajza, asnjiherë me vajza, kur të rriten, ta
kam thanë, kur të rriten, kam me i provue shpejtësinë që due…sa e marrë, atëherë
s’ke me pasë moshën e ke për ta lanë…ti je ma e marrë, qoftë e lanun qysh
itash, hiq s’e kam merak.
sa shkoi
ora ? njimbëdhjetë e gjysë e natës, s’je kërkund, Mynihu asht ende
larg…jam lodhë, po rri te korsia e ngadaltë, se edhe te korsia e mesit janë
makina që ma bajnë me drita të gjata, duket që s’jam aq shpejt sa duhet për
ta...jam lodhë, duhet me kalue atje, të vazhdoj me 110 km n’orë, gjithësesi
dikur kam me mbërritë.
ec…jam
n’autostradë që s’ka kufi shpejtësie, ka nja dy orë që jam në këtë lloj
autostrade, pastaj kam nevojë për gjumë. s’asht taman gjumë, asht nji këputje,
e cila s’ka me më lanë me fjetë edhe nëse ndalem në stacionet e pushimit.
ndalem…
më duhet me
shkue në banjo, prapë me pagesë…s’po gjej vend nëpër ferrat e pemët aty
rreth…asht natë, jam me dhjetra makina të ndaluna si unë…dikush pushon, dikush
ka marrë diçka me hangër, dikush kafe…shko në banjo, por mos guxo me marrë
kafe…ajo bira e madhe që ta ban ajo në stomak të duhet nji javë me e mbyllë.
shumë maune rreth e rrotull, shoferë që flejnë rrugash me jetë të tana. lene,
ti s’je për hall në rrugë, as për punë, je për qejf, kështu rrugë boll ke me
ba, por e din që mbas çdo rruge asht nji dëshirë që ke me plotësue…kjo duhet me
ta hekë lodhjen…shkoj në banjo ndriçue fort mirë…aty, si në tana vende të tilla
pushimi, takon tanë botën…shkoj me pushue në makinë…aty afër temes janë dy
makina me targa franceze, janë të Alsace…nëse s’janë shqiptarë, kanë me kenë
boshnjakë ose turq…po janë turq…pesë veta në nji benz…sa të vështirë e kanë këta
me pushue…e për sa e bajnë ? burri i asaj turkes te puna më pat thanë e
bajnë për tre ditë ose katër…janë shumë, por ata e bajnë, s’i dihet në çfarë
zonet i kanë të afërmit e i duhet makina…flej maj leni turqit…mezi po gjej
rehati, leva e frenave të dorës më hyn në bel, duhet me i gjetë nji
zgjidhje…hajt Jutbinë se nuk të duhet jasteku i kuq…ia marr, ajo asht fjetë dhe
Zara në krah, i ra kryeti në nji anë moj ma…hajt se tash ia jap prapë, sa të
flej…ngulja vështrimin atij yllit atje në cep të dritares së pasagjerit…ka pak
ré, por duket qartë, edhe hana…ah, lene mos u ban romantike tash, ke nevojë për
pushim…e kam hapë pak dritaren me u ajrosë…sillem e pështillem e prapë s’më zë
gjumi…nisu pra për rrugë…kam hallin e syve, s’më bajnë gjatë hapë…hajt rri
freskoju edhe pak, duhen orë me kalue në Austri…
rrugë…edhe
pse asht ora dy e natës ka boll makina…ja shife kte teposhtën këtu, si duken
makinat varg dritash të pemës së vitit të ri, pastaj ngjitja njisoj…këto
makinat e mëdha kanë me kenë pengesë për mue nëse eci me 110 km n’orë, duhet me
i parakalue e jo gjithmonë e ke korsinë lirshëm…hajt të rri te e mesmja…rrugë
prapë, natë, prapë shpejtësi e pakufizueme…sa asht, 140 km n’orë…ule pak, duhet
me mbajtë nji ritëm, edhe për makinën…n’autostradë ka prapë punime…gjermanët
rregullojnë rrugët e veta verës, i bajnë me tre korsi, diku ura, punojnë edhe
natën…shkon 110 km n’orë, pastaj me zbritë në 80 km e pastaj në 60 km…janë të
ngushta dreqin ndamjet…po sikur të më marrin teshma, pah, ka me ma lëvizë
drejtimin e kam me hasë te ndamjet e betonit…diku në nji tabelë shof emrin
Villach…asht qyteti i parë austriak në kufi me Gjermaninë, pra qenkam afër me
Austrinë…hajt ec edhe pak, ja shkoi ora tre e natës, mbaje vedin hë burrneshë,
s’ke ecë shumë…ka gra që ecin ma shpejt se ti…çka prêt ? Zadarin ma, a janë
të gzume vajzat që janë nisë për aventura të reja, hajt pra banua qejfin, gëzimi
s’duhet me kenë i rrallë ndër to, as te ti, se ndryshe nuk ke se si e merr tanë
këtë rrugë vetëm…
rrugë prapë…moosss,
kam harrue me ble vinjetat, po sa rob i trashë, për gjysëm ore kthehem te nji
qendër super e madhe pushimi, asht kompleks i madh, ka hotel të madh, qendra të
mëdha shërbimi…hyj e blej vinjetat, janë disa bileta ngjitëse që i ven në xham
dhe kalon me ta në disa pika në Slloveni…hajt tash mos u llasto, nisu se boll u
sjelle…sa hy në Austri, nji natë e thellë dhe…shiiiii, i imët, i ftoftë,
tabelat tregojnë temperaturat 9 gradë jena në nadjen e 27 korrikut. ma andej,
shiut i shtohen punimet n’autostradë…këto vendet europiane e bajnë me fjalë me
i ba punimet në nji kohë…ndamje krejt të ngushta, janë disa makina me targa
austriake që ecin ma shpejt…banojnë në zonë prandaj e njofin mirë rrugën…unë
kam hallin vetëm kur të ndryshoj drejtimet mos të gaboj se kush dreqin sillet nëpër
rrugë të panjoftuna me gjetë drejtimin e duhun…sa e marrë bahesh, po këto rrugë
i kanë ba njerzit në kambë, gomar, kuaj, karroca, e ti bëtha jote po i ban në
makinë…e di, kam për ta ba rrugën, por thjeshtë kam frikë, e më ndodh ndonji
difekt, në këtë vend, në këtë natë, shi, kam hallin e vajzave…hajt hajt jepi, këtu
në Austri asht me 110 km n’orë, jepi…po zbardh, ah sa mirë, drita më frymëzon
me ecë ma mirë e ma shpejt…në pesë të nadjes hyj në nji zonë me mjegull të
madhe, i ndezi dritat e mjegullës…duhet me ecë me 70 km n’orë, nuk shof asgja,
kjo mjegull m’i pret krahët…diku qartësohet, diku mjegullohet…hiq, sikleti
rritet, duhet me u ruejtë si për makinat para ashtu edhe ato që vijnë
mbrapa…mos u mërzit, nuk e nisin makinën si Atje…nji orë ky siklet, pastaj
dalngadalë hapet koha…kam nevojë për gjyslykë, se nadja më lind tanë diell në
makinë, vjen prej nji cepi mali dhe ta ndriçon bukurinë që të rrethon…nuk je vetëm
tash jepi…kte herë i ke shkelë tana shpejtësitë a e din, ban kujdes, se tash
asht ditë e të fotografon ndonji kontrollues shpejtësie e të vjen fatura në
shpi…vajzat prapë fjetë…ndalem te nji qendër pushimi…vjet jam pasë ndalë te e
njëjta…shkoj në banjo…nuk e paguej kte herë, hyj nën ‘te…laj faqet dhe dal…
due me fjetë
nja njizet minuta…qeshi me vedi, vjet patëm nji kujtim krejt qesharak në këtë
pikë…ta tregoj ? po ti e din…isha lodhë shumë, e më kishte kapë me shkue në
banjo, radha aty ishte deri jashtë lokalit, por e gjetme zgjidhjen, origjinale
krejt…kur je e vogël nuk dukesh hiq nën maune…
pushoj pak,
ora po shkon gjashtë…hajt tash nisu, a don me mbërritë për ditë në vend…ec ma
mirë sa nuk janë çue kto të dyja, që kur fillojnë me gri sallatë ta bajnë kryet
dhallë…pah, a mendon edhe ti se kanjiherë flasin shumë…kështu kam kenë edhe unë ?
s’e di…unë s’mbaj mend se kena pasë shumë kohë me kenë fmi…disa mbasdite, s’di
se sa kanë kenë, por di që kam luejtë tana lojnat, në bahçe, n’rrugicë, por
edhe që kam ba tana punët që kërkonte oborri i shpisë…hajt tash çka po të duhet
më gërmue…rruga kërkon motivacion pozitiv, leni tërrci e vërrci…uee, ja shif…je
te autostrada me tre korsi…ajo që të ka mahnitë vjet, këtë vit e shef si diçka
familjare…tre korsi me emna poshtë, me vazhdue për Austri, për Slloveni në mes
e Itali korsia e tretë…secila makinë merr drejtimin e vet…para kam makina me
targa gjermanie…patjetër janë ose shqiptarë ose turq…hyj në Slloveni, e kupton
se kalon tunelin e supergjatë, gati 7 km tunel…ora shkoi 8 e nadjes, tash me
taman due me pushue…
kam ecë ma
shpejt se vitin e kaluem…po viti i kaluem ishte hera e parë që e bane rrugën
moj budalle…ulem dhe i çoj vajzat prej gjumit, ka pak ré te pika e pushimit që
ndalem, por s’ka gja, jena ma afër se dje dëshirës…ndalena në nji vend ku dëgjon
tana gjuhët e botës, ka polakë, shqiptarë po e po, flasin shqip …aty hamë
nadjen, në kambë, të bordura ku kam parkue makinën…vajzat lajnë pak faqet e
rregullojnë flokët...afër kena dy familje, njena polake, tjetra duhej të ishte
patjetër hungareze…hanë njisoj si ne, gjanat në dorë…po tash lejoja vedit nji
kafe…s’ka linjë interneti, dmth s’kap telefoni jem, por kush po mërzitet, hajt
se tash e gjejmë diku…pi kafen, me qumësht, po mutin i ke hedhë shumë
sheqer…njaty nji zog han dramca…Jutbina e Zara knaqen tue grimcu biskotat (i
kanë ba vetë dy netë ma parë) dhe ia japin zogut…harrohet mbas lojës së zogut
edhe vajza, ndoshta hungareze…
para kambve
tona, pasi ik çifti shqiptar tanë zhurmë me bluzën Gashi në shpindë të djalit,
vjen çifti polak me fmi…qetsi, asht nadje, hajt ta shijojmë ktë nadje tanë
bashkë…pastroj pak makinën përbrenda, nji grusht të madh plehnash, sistemoj
gjoja shtratin e tyne mbrapa dhe nisena prapë…tash vajzat janë çue ka ma shumë
biseda në makinë, por edhe grindje…kuptoji se kanë sa kohë në makinë, e fillojnë
natyrshëm grindjet…po janë të kënaquna, dielli fillon e ndriçon ngadalë nëpër
autostradën e Sllovenisë…ato kujtojnë të njëjtat vende që kena pa edhe vjet…u
vjen keq që nuk e kanë pa panoramën austriake…i tham, s’ka ndryshue hiq nga
vjet, kushedi sa miliona vjet asht njashtu, mrekulli…
më duhet me
ba pagesën e autostradës së Sllovenisë…zotnia, burrë i qeshun…përpiqet me
kuptue se prej kah je…turkish, no, bosniac, no…albanian…Mirëdita, kalofshi mirë…paaah,
nja nji mirëdita falas pa e detyrue kush…baj pagesën e nisem prapë…kupton që
hyn në Kroaci, se fill vjen dogana e parë, kontrolli i parë, radha e parë…bah
kushedi sa rradhë kena me pasë simjet…fillon Kroacia me autostradën e vet rreth
400 km vetëm drejt, veç a ke forcë me ecë…uffa, i gjej forcat edhe atje ku
s’ka, si kjo ‘mirëdita’ e atij zotnisë…ban nxehtë shumë, jena në vendet
ballkanike…ndalena nja nji orë gjysë pa mbërritë në vendin e parë të aventurave
tona…
na vjen era
djersë, lodhje, por hiq mërzitje…ndërrohena njaty në mesin e njerzve, shkojmë e
shplahena në banjo…pa pare kte herë…hamë edhe diçka, shijojmë nji akullore të
madhe…ka linjë interneti në nji vend…lajmëroj njerzit që e dinë se jam në rrugë…pak
respekt për merakosjen e tyne…i shkruej shkurt dy gjana te vogla mikeshave të
mia…jam afër, edhe pak mbërrij…urime…të duhen patjetër për rrugën…
autostradë…shumë
nxehtë, djeg gjithandej…mbas mesditet, njaty ku pjek dielli, ora dy e drekës,
lexojmë tabelën Zadar dhe marrim daljen për me shkue në këtëë qytet, që s’di
pse duhet me pasë ra në dashni kështu si kot…hajt Zarë ven në GPS adresën e nji
kampingu që ke qejf me shkue…e ndjejmë pa mbërritë aromën e detit e të ranës.
shoqja jeme franceze
Sab, më pat dhurue dikur nji nga këto flitet që duhet me përdorë gratë në rast
kërcënimi…kësaj radhe ma kujtoi që mos me e harrue, se nëse të duhet ta
kesh…shoqja jem Lor, njimijë herë më kujton se duhet me pasë kujdes rrugës e
sidomos natës…Linda me shkruen rrugë të mbarë e me mend në krye…edhe unë vetë
kam frikë për vajzat e për vedi kur nisem për rrugë…biles stresi e frika rrugws
mw kapin gati nji javw ma parw…nuk asht pak, janë rreth 1800 km, që shpesh
bahen 2000 vetëm me shkue…po diku kam nji siguri…ktë siguri nuk ma jep as fakti
qw udhëtoj shpesh, as sporti që praktikoj, por që jam grue dhe jetën deri tash,
që nuk ka kenë vetëm aventurë, e kam jetue si nji udhëtim i gjatë për me shkue
në vendin ku due, nji udhëtim ku ke kohë me gjykue vedin e veprimet që
ban...udhëtim që të mëson si duhet me e përdorë shpejtësinë e qetsinë në të
mirën e bijave që e gëzojnë njisoj si ti gëzimin e vet.
2017