Thursday, August 23, 2018

ecë



diku në Kroaci, rrugës së kthimit, m'erdhi në kujtesë ftyra tallëse e djalit rreth të katërmbëdhjetat, i cili tuj kenë në mesin e moshatarve kishte ngritë zanin: 'kush ta ka msu makinën ty maj'. në nji rrugë, dytësore, jo shumë larg nga ajo kryesore, ku ishin parku sipas dëshirës së pronarëve, makinat e tjera, bana përpjekjet e mundshme për mos me ra në nji tip grope thik që ishte para meje. s'arrita me e shmangë të tanë. m'u desh me ba manovrime të sforcume me dalë. e djali, bashkë me shokët, nuk e kishin mendu se unë kisha me iu afru. pasi dola, i kërkova me ditë se kush ishte ai që donte me ditë se ku e kisha mësue makinën. djali, tashma jo ma i qeshun e tallës, e pranoi që e kishte thanë ai. 'kështu i flet edhe nanës tande djali, kështu ke qejf që dikush me i thanë nanës tande kur ka me mbetë në rrugë...'

më doli pikërisht atje ftyra e tij tallëse, ndërsa pjesa e poshtme e makinës, ajo që mbron nga pluhni e pislleqët pjesët, kishte dalë krejt nga vendi, tuj me pengu me vazhdu rrugën n'at gjendje. parkoj makinën në pikën e pushimit. verifikoj gjendjen. s'mundet me vazhdu kështu...por, 'ti je e marra në ktë mes, ti duhet me e gjetë zgjidhjen', i thashë vedit. kam ba s'di sa mijëra kilometra tash sa vjet, munden me të pengu me vazhdu gjanat që nuk janë n'dorën tande. po i jepja vedit motivim. e ngrita makinën me krik. shtrova nji shtroje poshtë. doja me e hekë krejt, po ishte e pamundun. e vetmja mundësi ishte me e lidhë për trupin e makinës. 

organizoj vajzat. njena shkon te nji fushë aty afër unë e vogla te kazanat e plehnave, se mos gjeshim gja. nji mundësi ishin lidhcet e këpucëve. por kisha me kenë e pasigurtë tuj nisë makinën, sepse mundeshin mbas disa kilometrave me u këputë prapë. pas pak minutash e madhja vjen me disa pjesë teli të fortë, nga ai lloj që mezi këputet. e kishte vjedhë te gardhi, në fund të fushës. tashti duhen me hapë bira. me krytin e telit duhet me e hapë kauçukun e fortë. ishte punë që po më merrte shumë minuta. e nëse kisha me ndejtë pa mendu kisha me pasë ndejë edhe shumë orë të tjera në 'të, pa arritë ndonji rezultat kushedi se çka. 

i kërkoj së madhes me shku me ble i çakmak te pika. nxora thikën që e kishim marrë për bukë e fruta. me t'ardhun çakmaku, e nxehja kauçukun dhe me thikë ushtroja forcë për me e hapë birën që më duhej. ja nji. edhe me pak mund. ja edhe dyta. telat që m'i ka gjetë vajza i përshkoj. janë të fortë. tejet të fortë. por janë të vetmit që të japin siguri, ke hala rrugë për me ba. shumë. gati njimijenjiqind kilometra kisha para meje. teli i dytë mezi po shtërngohej. ishte i shkurtë. shof nji udhëtues tjetër që kishte ndalë si unë. targat i kishte të Serbisë, por çantën e kishte me shqiponjë. i kërkoj, kot mos ka ndonji pincë me e shtërngu telin. u përpoq me gjetë, por s'gjeti gja. me shumë sforco e lidha. 

makina ende ecë me ata tela. vajzave që u mërzitën pak, pas atyne pushimeve gjithnji në lëvizje, u thashë fjalët që m'erdhën të parat. 'na duhen këto episode. mësojmë shumë prej tyne, prej vedit. s'duhet me na ba përshtypje as fakti që shumë njerz, udhëtarë të tjerë, na kaluen afër e s'na pyetën se çka ka edhe pse më shifnin nën makinë. gjithçka asht normale. mos me të pà. mos me të ndihmu. edhe me u dorëzu asht normale, njerzore'. 

No comments:

Post a Comment