Wednesday, December 16, 2015

Ftyra e ngrohtë e mirësisë në ditë dhjetori



12 dhjetor, e shtunë

Me makinë nisena drejt Luksemburgut të bekuem, i bekuem, sepse duhanin e naftën e ka ma lirë se në tanë Europën. Ngaqë asht ba nji trajektore që e përshkoj shpesh s'kam nevojë as për GPS, por fill te vendi, paguej e mos druej dhe pastaj për me shkue në Saarlouis, Gjermani vendos adresën në GPS, edhe këtë qytet e vizitojmë shpesh. Dona me shkue me ba do pazare si në magazinat e zakonshme ashtu dhe te Deutsche Market, nji linjë magazinash vetëm me prodhime gjermane, çmime dy herë ma të lira se në Francë për të njëjtin mall. Kalojmë nëpër nji trajektore tjetër këtë radhë. I kalojmë anash qytetit të vogël Shengen, nga ku ka marrë emnin dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të kësaj Europe. Tunele të tana madhësive, që ndryshojnë disi pamjen krejt mjegull që ishte atë ditë në këto anë. Meqë ishim ma afër magazinës Lidl, e diskutoj me vajzat që të ndalena ma parë aty, të bajmë pazarin e javës dhe pastaj të shkojmë në qendër të qytetit, te magazina tjetër dhe me pa se si e kanë zbukurue për festat e fundvitit. 
Jena në Wallerfanger Strasse, këtu gjendet Lidl. Dalim prej makinet, vajzat e kanë shumë qejf pazarin në këtë magazinë. Bajmë gati 45 minuta brenda dhe dalim tanë qejf me i futë pazarin në makinë dhe me u nisë për në qendër. Por pas 15 sekondash na ngrihet buzëqeshja në buzë të trijave dhe vajzat fillojnë me qa. Në pak sekonda konstatuem se kisha lanë çelësat e makinës brenda dhe s'kisha lanë asnji derë hapë dhe as bagazhi mbrapa s'ishte hapë, se kanjiherë s'mbyllet mirë. Nuk e di se pse kisha nji qetsi të jashtëzakonshme, edhe pse ishim në mesin e nji vendi që e njohim në kalim, edhe pse brenda makinës kisha lanë çantën dhe tabaren, por të paktën kisha portofolin me vedi. I thashë vajzave, 'tash duhet me u përgatitë me fjetë jashtë se s'kam çka i baj ma'. Unë për vedi gjithmonë e kam urrye faktin që dikush më ka quejtë me faj, qoftë direkt qoftë indirekt, pra asht ba diçka, s'asht puna me gjetë fajtorin, por me gjetë zgjidhjen. Këtë e bana unë të shtunën dhe nuk më erdhi hiç mirë. I tham vajzave që të rrijnë afër makinet që të përpiqem me gjetë nji tel të fortë e të gjatë, që me pasë mundësi me e hapë makinën ashtu si ta hapin hajnat. Hyn e del mbrapa magazinës, te koshi i plehnave, aty rrotull ishte nji lavazh, por po kërkove në Gjermani tel, kot kështu sa me krye punë, mos mendo se ke me gjetë. Aty afër nesh ishte parkue nji makinë, Ford edhe ajo, por jo e tipit Fiesta, e për ma tepër zotnia i makinës ishte shqiptar. E kisha dëgjue tuej folë me të zojën në magazinë. E vogla ma kujtoi në frëngjisht, 'nanë kjo makina asht si e jona', por hajt, iu duk si mundësi me gjetë zgjidhje. Por thashë ta baj nji përpjekje. Zotnia po ngarkonte pazarin e vet në makinë e në nji moment e përshëndes në shqip 'mirëdita'. Ai, nji burrë, me mustakë e me nji qerosë të përparueme, duhet të ishte nja 60 vjeç, më shikoi me habi se si nji njeri po e përshëndeste. S'ma ktheu përshendetjen edhe pse ia përsërita edhe njiherë, por ai e hapi shpejt makinën dhe hyni brenda pa na thanë asgja. Do të ketë mendue, se do kisha ndonji hall, sepse po shifte vajzat tuej qa, e duke qenë se ndoshta s'ka kenë i zoti për hallet e veta u largue pa folë asnji fjalë, as nën hundë, duket që mërzia iu mblodh shpejt nën mustakë. S'kisha ndonji shpresë të madhe, por thjeshtë me më dhanë ndonji mendje. Pak ma andej, nji zoltni, rreth 45 vjeç afrohet kadalë dhe na përshëndet, s'kishte nevojë me pyetë se çfarë hallit kishim se dukej qartë. Me shenja e në gjermanishten e vet, jo si gjerman në fakt, më tha, 'ta thyejmë xhamin', e unë i thashë, prapë me gishta, 'me gjetë nji tel me e futë nga sipër deret për me mbërritë dorezën e xhamit'. 
Pas atij erdhën edhe dy të tjerë, duket se ishin shokë. Folën me njeni-tjetrin, jo në gjermanisht, m'u duk si armenisht, se si me e gjetë zgjidhjen. Njeni me flokët me balluke shkoi te makina e tij mori nji pincë e nji kacavidë. Me vedi mendova se mos do ishin hajna makinash, por pastaj thashë me vedi 'jo', se hajnat ia dinë vendin se si me e vjedhë dhe s'përdorin pinca e kacavida të ndryshkuna. Ai tjetri që erdhi i pari filloi me e tërheqë, duke e ça gominën që mban të bllokuem xhamin nga ana e pasagjerit. Ishte e fortë edhe ajo dreq, tërhiq njeni, tërhiq tjetri, thashë se mos po më thyhet xhami dhe a udhëtohet n'dimën deri n'shpi pa xham. Por jo, ia dolën, e shkyen deri në nji farë vendi e pastaj tre duert e atyne e dy duert e mia e ulëm xhamin poshtë dhe vetëm buzëqeshja e vajzave në këte moment më bani me e kuptue se sa e bukur asht bota. 
I falenderova pa masë në frëngjisht e ata m'i kthyen falenderimet në gjermanisht dhe u ndamë. Vajzat njiherë u çelën, ndërsa e madhja më tha 'e meritoj me më dënue nanë, se e pata fajin unë për çelësat', po kush e kishte mendjen me dënue, vetëm me i puthë fort e mos me e ça kryet. U nisëm për në qendër të Saarlouis, bame pazar te Deutsche Market pastaj u nisme me pa tregun e festave që e kishin instalue në qendër. 
U sollme rrotull nëpër ato kabinat e vogla prej druni ku vinin tana aromat, e sidomos e venës së nxehtë. E vogla ia bani analizën, 'këta paskan pistën e akullit ma të gjatë, por na kena rrotën e madhe e këto nuk e kanë; këta paskan tren për fmitë, por na kena ma shumë lojna'. Ndërsa prisnim të dilte vajza e madhe prej magazinës Tedi, unë e vogla filluem me kcye kangën 'All I wish for Christmas is you'. I mbaruem edhe aty shpenzimet e ndërkohë nga nji shëtitore që lidh qendrën me parkingun kryesor të qytetit dëgjojmë muzikë, njena ishte me motive nga Amerika e jugut dhe tjetra muzikë vallëzimi me ngjyrime cigane. Kur çka me pa, në nji cep të vogël, po i binin nji fizarmonike, klarinete dhe tarabuku tre zotnitë që më kishin ndihmue me hapë makinën. Kam qeshë me ta, sigurisht e meritonin nji shpërblim të madh, por unë dhashë aq sa kisha. E për mos me ia harrue atë çka banen për ne të trija dhe mos me harrue ma çelësat në makinë, se jo gjithmonë e takon mirësinë kështu si kot në rrugë, bame edhe nji foto tanë bashkë. 

s'ua di emnat


Saturday, December 12, 2015

Madame Darbuka




Ishin pushimet shkollore të vjeshtës dhe qendra jonë organizon Centre Aire, gjatë dy javëve ofron argëtime me anë të animacioneve, aktiviteteve të ndryshme dhe atelieve qoftë brenda qendrës apo dhe jashtë saj. Lagjia ku punoj konsiderohet si nji zonë prioritare, pra ku fmitë, dhe jo vetëm, kanë nevojë për përkrahje jo vetëm sociale, por edhe për mundësi për me u integrue në shoqni. Janë nandë orë punë pa shkue në shpi, tanë ditën tuej u kujdesë, tuej ba aktivitete e tuej argëtue fmitë e qendrës në bazë të nji programi paraprak. Në javën e dytë BAM, (Boite a la Musique-sallë e madhe koncertesh) e ndërtueme dy vitet e fundit me nji arkitekturë moderne organizonte atelie të ndryshme për fmitë e kësaj lagjeje dhe na si animatorë duhet me i shoqnue në këto aktivitete dhe madje me marrë pjesë njisoj me fmitë. Nji balerinë e muzikës moderne na i luejti kocat nji nga nji tuej na mësue kërcimin e saj, pastaj nji artist na bani me prodhue vegla me mjete rrethanore për me ba muzikë, se në fund të pushimeve do banim nji koncert të vogël në hollin e BAM-it ku do merrnin pjesë fmitë e lagjes dhe prindërit e tyne. 
Katër ditët e fundit mue më caktuen me shoqnue katër fmi të qendrës në atelienë e instrumentit muzikor që duket ma i kollajtë, Darbukës, ose ndryshe tarabukut. Kisha pesë fmi; nji nga Guyene; dy (vllazën këta) nga vendet e Afrikës dhe nji vajzë nga Siria e në fund iu bashkue grupit dhe nji fmi, djalë, i lindun në Francë por me origjinë nga Magrebi; në këte atelie ishin dhe tre vajza të vogla dhe nji zojë, rreth 40 vjeçe, franceze, edhe artisti që drejtonte këte atelie ishte francez. 
Që kur kam kenë fmi më ka pëlqye me i ra legenave e kovave, nuk e di nga më vinte ky gem prej ciganeje, por s'e fsheh, kushedi sa herë do ia kem ça kryet kojshive me zhurmën teme. E këtë gem s'e kam prè edhe pse jam rritë deri sa bleva për vedi nji tarabuk, i vogël, por i nxjerr mirë tingujt, tash këto kojshitë nuk ndihen kur më mbushet mendja me i ra ndonjiherë, por gjithmonë tuej pasë muzikën në vesh. 
Darbuka, nji te ngjashem kisha


Por tash m'u dha mundësia me kenë me nji tarabuk të madh, të mirë, nga ata që shofim në televizior kur artistët bajnë mrekullina me të. Kishte nji qyp të madh me motive, që më kujtuen zbukurimet e xhamijave dhe lëkurën e kishte krejt transparente, s'guxoje me e cikë se lëshonte tingull. Në fakt kjo atelie kishte kohë që kishte fillue, por duke qenë se nji animatore e kishte ndërrue këte me nji ateliue tjetër, m'u desht mue me e zevëndësue. E artisti, vazhdoi me kursin e tij, e mendoja, "qyqja, për me i ra këtij farë 'legenit' duhet me na e shpjegue me laps në tabelë". Por me kalimin e orëve e pastaj ditëve kuptova, atë që e kanë kuptue me kohë artistat; që muzika nuk asht vetëm shpirt, por edhe disiplinë dhe unë iu nënshtrova këtij rregulli, duke ndjekë çdo këshillë të artistit. I kisha nja dy fmi problematikë, që donin me shkue çdo dy minuta në banjo, ose pas minutit të tretë i dhimbte barku, ose i kruhej veshi, duhej me kenë e angazhueme edhe në atë çka po bahej. 
Pjesa që po përgatitnim për artistin ishte e thjeshtë për artistin, por kur s'je brenda kësaj disipline të duket e vështirë e m'u kujtue 'ma mirë më i luejtë kocat me balerinën', por jo, na duhet me kenë pjesa shoqnuese e artistit. Ai do e fillonte e na do e shoqnonim; të ishim në sinkrinon nandë pjestarët e tjerë të kësaj atelieje. 
'Dum, dum', ishte pjesa e hyrjes, pastaj 'dum, tek tek, dum tek'...nota 'dum' në Darbukë do me thanë me i ra në mes, ndërsa 'tek' asht kur dora i bjen në cep të kësaj vegle muzikore, mbyllja ishte me dy 'dum, dum', pasi artisti ka ba edhe pjesën e vet. Duhej me e msue përmendësh dhe do që ky ritëm me rrinte në krye edhe kur mbaroja punë, sidomos refreni. 
Ndërkohë që banim provat mësova shumë gjana rreth këtij instrumenti, që duhet të jetë ndër ma të vjetrit; artisti gjithë tarabukat që kishte aty i kishte zgjedhë vetë; i kishte ble kryesisht në Egjipt; se aktualisht përdorej shumë lëkura e dhisë; por gjaja ma e bukur që mësova ishte se edhe lëkura e peshkut ishte shumë ma e mirë, pasi kishte nji tingull, që për artistët konsiderohej i rrallë. Ai, artisti, kishte kenë nji natë në breg të Nilit, kishte zanë nji peshk të madh, e kishte pjekë e hangër, ndërsa lëkurën e tij e kishte ruejtë, pastrue, thà dehe e kishte ba nji tarabuk dhe atë e kishte ma merak se asnji tjetër nga ata që kishte përreth, e donte fort. Ndërsa ai tregonte, unë imagjinoja atë njeri me kallam peshku në cep të bregut të nji prej lumejve ma të mëdhenj në botë, nën të nxehtin përvëlues kap peshkun e madh në kallam, e pastaj, pasi i lind ideja për me përdorë lëkurën e tij, merr në telefon zojën e tij e tanë ngazëllim tuej i tregue se çka do bante me 'të; e imagjinoja që ta mbarte në çantën e shpindës me e sjellë deri këtu, ndërkohë që në tregjet e Kajros ai kërkon për qypin ma të përshtatshëm për lëkurën që ka. Ai nuk na mësoi vetëm tarabukun, por edhe me ba përzimjen e zhurmave të ndryshme, që i shndërroi në muzikë të kandshme në përzierësin e vet, nji aparaturë e veçantë; na mësoi si me hy para publikut si me e përshëndetë; se si me e vue tarabukun kur të kryenim pjesë e si me e falendrue publikun tanë bashkë. Ishte i rreptë, ishte kërkues, por njikohësisht nuk ishte detyrues, se fmitë kishin ardhë me msue, me u argëtue e jo me u vue nën presion. 
Unë gjithmonë e kam pa dhe duke pa kam msue se kjo vegël muzikore asht për burra. Por ktë mendim e kam ndryshue kur kam fillue me dëgjue kangët e grupit kurd Kardes Turkuler dhe videot e tyne i kam ndjekë në youtube; që prej dajreve; daulleve edhe tarabukut i bijnë gra; apo kur kam fillue me ndjekë kangët e grupit Light in Babylon, ku kangëtarja Michal Elia Kamal i bjen nji tarabukut të madh sa gjysma e trupit të saj. Sa natyrë e lirë duket ndërsa luen mrekullueshëm me dhjetë gishtat e saj. Vetëm me e pa e kupton se me sa shpirt i bjen, nji shpirt që gjithësesi kalon nëpër nji disiplinë të caktueme për me ba muzikë të bukur. Ndoshta vonë me i pa këto, por s'asht asnjiherë vonë me kuptue se asgja s'asht vetëm për burra, njisoj sikur asgja s'asht vetëm për gra. 
Natën e shfaqjes modeste grupi jonë do ishte i katërti në radhë. Pasi i ndoqëm grupet të atelijeve të tjera u ulëm edhe na me paraqitë përgatitjen tonë. Fmitë, edhe pse nja dy prej tyne sherra të papërmbajtshëm, u mbytën nga emocionet, njeni e fshehu gushën nën xhakovento, të cilën s'pranoi me e heqë, e tjetri, gati sa nuk po qante, vetëm se po i mbante brenda lotët. Para nesh fmi e prindt e tyne e unë aty, nji 'albanese', që dukej ma tepër si motra e Harry Poterit (për shkak të gjysylykëve) se sa nji instrumentiste. Filluem, me emocion, por e randësishme ishte me e ndjekë këshillat e artistit që na e bante me krye se kur duhej me fillue e kur duhet me ndalue. 
Hymja na doli mirë, te refreni na këputi në kryq artisti, sepse e la instrumentin e vet dhe mori nji dajre të vogël me i dhanë ma ngjyrë pjesës muzikore që po luenim. Unë përsërisja me mend 'dum, tek tek, dum tek' dhe për mos me e ngatërrue ia përsërisja fmisë që kisha afër, i cili vazhdonte me humbë në xhakoventon e vet. S'tham se ishim në sinkron të tanë, por kur mbaroi pjesa fmitë e ardhun aty na duartrokitën, ndërsa fmitë e qendrës thirrnin emnin e secilit prej nesh (mue ma shqiptojnë gjithmonë Gilmen). Fmitë e qendrës që ishin me mue, sa mbaruen përshëndetjen e fundit, ikën e u fshehën, sa me i shkarkue emocionet që kishin pasë. S'ishte spektakël i madh, po diçka për me gëzue fmitë, me finalizue punën që ata kishin ba për gati shtatë ditë, por i kishte të tana, dritat, spektatorët, emocionet, gabimet, hovin, shpirtin dhe disiplinën. Unë, ajo e kovave dhe e legenave të dikurshëm e dhashë spektaklin e parë me nji mjet muzikor që e due, jeta t'i sjell disi, herët a vonë, tana mundësitë. 
Pasi të gjithë u larguen nga BAM na u mblodhëm në qendrën tonë. Pas nji pune të lodhshme dy javore në qendër po përshëndeteshim me tanë ekipin e animatorëve dhe drejtuesve. 'Conciergie' i jonë, nji zotni nga Bled (përndryshe Algjeria) më ndali e më tha: 'felicitation madame Darbuka'.

Wednesday, December 2, 2015

Gilmana Bushati: Për gishtat e nji flutre


Janë gishtat e saj që e kthejnë mbrapa në kohna të tjera, gjysa të ndriçueme e gjysa të harrueme. Ajo i përkulë ata butë në lëvizje të andshme baleti, e përkulja e gishtave ndiqet nga përkulja e krahut, trupi ndjek lëvizjet e gjymtyrëve të tij dhe bahet andërr, nji andërr e veshun me ngjyrë rozë me nji palë këpucë, prodhue vetëm për flutra. Atje te nji sallë e thjeshtë, me pasqyra të mëdha, me drita të mëdha, me nji mësuese kërkuese, që ia kritikon asaj gishtat kur i kalojnë shkujdeshëm ndër flokë apo në hundë. Ka dy vite që ban kërcimin e vet ndër këto salla, por atë ditë asaj tjetrës, që rrin pas deret, fshehtas, tuej kundrue flutrat, iu lidhën ny kohnat, iu shtërnguen diku në fyt, e pa kenë e zoja me e ça në dysh nynin, e ngjit nalt në sy, por ky e mban vedin ma shumë se asgja tjetër në trupin e saj. Ka ardhë ma herët me marrë flutrën e vet prej kërcimit, e në ato dreq minutash, iu kujtuen gishtat e veta, në moshën kur dëshirat janë krejt të brishta. S'i mban mend dëshirat, por i mban mend gishtat i asaj moshe, që kanë bajtë, kanë zhbajtë, kanë ngarkue e kanë shkarkue, kanë qenë të fortë atëherë: të shkurtë e si dreqën zhytë deri thellë në beton, tokë të punueme e të papunueme, ndër gurt e barishtet e këqija të bahçes, ndër hardhija. Që në atë moshë gishtat ia kanë msue trupit si mbahet lopata, kazma, shkalci, sqepari, rrashjeli, kallepi i bllokut të betonit; ishte koha kur edhe mundësitë e andërrueme ishin të varfëna. Por kur i shef gishtat e asaj që zgjatohet për me ba figurën e baletit të kërkueme nga mësuesja, janë të hollë, si dreqin i ka mundue gishtat e vet në punë që duhej të kishte nji mundësi mos me i ba me kallo. Tjetra qesh aty mbas deret, ndërsa vjedh në nji cep deret pamjen e atyne varzave që përpiqen me i plotësue tana kërkesat e mësueses. Buza e shpirti n'gaz ia tret kohën e vjetër, që i erdh kështu si papritë, pas nji salle plot pasqyra e me drita mbushë, ndoshta jo me andrrat e të tanave me kenë balerina, por me nji dëshirë, të cilën kanë me e mbajtë mend, se e kanë plotësue.