Friday, February 10, 2017

Entela Tabaku: Leximi i “Vjeshta e hershme dergjet nё mua


Arben Idrizi

***

Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.
Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa përjashtim.

(marrё nga revista POETEKA - nr. 38, 2016)


Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)


Poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herё pёr t’u njohur. Si takimet e dashurisё. Nёse pas takimit tё parё nuk ke mё dёshirё tё rikthehesh, atёherё e di se nuk bënte për ty. Nё çdo takim mёson dhe ndien diçka tё re pёr poezinё dhe pёr veten.

Sa më thellë të mund t’i hysh një poezie, sa më thellë gërmon ajo në ty, aq më e mirë është ajo. Pёr ty, si lexues. Në këtë perspektivë leximi i parë është gjithmonë një lexim i së dukshmes, i sipёrfaqes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet, ritmi).

Në leximin e parë vëren edhe si të bën të ndihesh kjo poezi. A të hyn në gjak, a të flet ty apo ta kundron botën me sytë e tjera kujt. Nëse pas këtij leximi i ke thënë të gjitha, atëherë e di se kjo poezi ishte e këndshme. Kaq. Kurse poezia e mirë të rikthen tek vetja gjithmonë. Asaj nuk mund t’i ikësh, ashtu si nuk mund t’i ikësh vetes.

(Këto poezitë pa titull do më çmendin mua. Jam ende në dyshim nëse do tё duhej ta lexoja sё bashku me poezitё e paravendosura, si pjesё e njё tё tёre. Mё nё fund vendos ta lexoj si poezi më vete.)

Poezia mё sipёrfaqet me dy pamje. Pamja e parё ёshtё poezi në kuptimin klasik të fjalës, me mendimin dhe ndjenjёn tё shprehur figurativisht. Ja, lexoje kështu:

Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.

Po të ishte një poezi e publikuar në fb, ma merr mendja do t’i kishim komentuar se këtu mbaron poezia: vjeshta që dergjet në poetin dhe krijon atmosferën e një stine në të cilën pashmangëshmërisht gjithshka do të shkundet e kalbet. Vakët dhe ngeshëm.

Përzgjedhja e fjalëve dëshmon një talent të veçantë nё metafora. Mendoje vetëm këtë: vjeshta dergjet. Dergjet, kjo fjalë e mrekullueshme e shqipes, kjo shtrirje e lëngueshme që nuk më vjen ndër mend në asnjë gjuhë tjetër.

Kjo vjeshtë që dergjet. Dergjet në mua. E shtrirë për të vdekur në poetin. Ngeshëm. Vakët. Sepse është e hershme. Sapo ka filluar. Provoje lexoje edhe vetëm kështu:
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.

Edhe këtu mund të mbaronte poezia, si poezi moderniste. Por ky ngjan se ёshtë poet i një lloji tjetër. Tre vargjet që vijojnë e tregojnë përjetimin e dergjjes me shumë zemërgjerësi. Së pari i vënë një emër: është vuajtja e të qenit.

Dhe vuajtja e të qenit në vetvete nuk është asgjë e jashtëzakonshme per poetin. Është një vuajtje e zakonshme, bashkёshoqёruese e ekzistencёs se poetit. Poetё tё lumtur nuk ka. Ajo qё mё duket jashtё tё zakonshmes ёshtё mёnyra si vuan ky poet: mahnitshёm. Mendoji vargjet pa këtë fjalë:
*E vuaj të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.

Dhe do të mjaftonte ajo gjetje “u bëj hije rrënjëve të mia” për ta mbajtur vargun gjallë. Por krahasime e metafora të tilla ka shumë. Shqipja është gjuhë e pasur me metafora prandaj edhe e bekuar me shumë poetë. Me thënë të drejtën, nganjëherë mrekullohem me metaforat dhe gjetjet e poetëve në shqip. Por poezia nuk qëndron në metaforën.

Qëndron në mënyrën si e përdor atë. Dhe ajo fjalë e thjeshtë ”mahnitshëm”, është një levë që e ngre poezinë në një nivel tjetër. Me atë fjalë e kupton se poezia, në kuptimin klasik të fjalës, nuk ka për t’i mjaftuar poetit.

Ajo fjalë, e ngulur aty në mes, tregon se poeti qëndron pëmbi gjuhën. Sepse ai vuan mahnitshëm. Mendoje këtë gjetje: pranëvënia e “vuaj”, domethënë diçka që më mundon e më dhemb, me “mahnitshëm”, domethёnё habitem shumë nga diçka e jashtëzakonshme.
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.

Mbasi e ka patinuar poezinё me mjete poetike tё pёrzgjedhura, befas toni i poezisё ndёrron krejt. Si ato vajzat e reja qё bёjnё grim dhe zbukurohen, por befas e lajnё gjithshka para se tё dalin, sepse grimin e patёn veç pёr qejfin e vet. Vazhdimi i poezisё shtrihet nё nje nivel tё ri.

Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.

Edhe lexuesi mbetet i shtangur kёtu. Nga e zakonshmja e fjalёve. Poezia klasike i ka lёnё vend nё mёnyre abrupte njё diskursi tё ri. Pёrshkrimi metaforik i pjesёs sё parё zёvendёsohet me njё deklamim tё thjeshtё, ku fjalёt thonё atё qё duan tё thonё, drejtpёrdrejt. Njё lloj morali i pёrrallёs, apo?
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa përjashtim.


Leximi i dytë (leximi i teknikës)


Ti me siguri e ke vënë re, se leximi i pare i kësaj poezie nuk ishte leximi i sipërfaqshëm. Ma merr mendja sepse kjo poezi ka njё strukturё projektuese, qё pasqyrohet edhe nё leximin e saj. Leximi i parё projekton tё dytin dhe anasjelltas.

Tre struktura paralele e mbajnё poezinё, paralele jo tё mbivendosura dhe nёnvendosura siç ndodh rёndom nё poezi. Qё nё njё farё mёnyre ёshtё arti i kuptimit tё mediuar dhe tё nёnkuptuar. Kёtu teksti dhe nёnteksti janё tё vendosura paralel:

1. poetika e metaforёs
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.

Poezia me P tё madhe. Me metafora qё zbёrthehen lehtё qё nё lexim tё parё, si tё gjitha metaforat e kёsaj bote. Tё shoqёruara nga njё palёvizshmёri, njё gjendje e shtrirё, njё pritje e lёngueshme qetёsisht. E vetmja lёvizje, migrimi, ka mbaruar. Dhe ka pllakosur dergjja.

2. recitativi lidhёs
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.

Ky ёshtё tё vuajturit mahnitshёm. Kjo dergjje ishte diçka e paparashikuar nga poeti, qё ka mbetur kёtu me rrёnjёt e veta pa mundur t’i ndjekё ёndёrrat qё migruan. Por kjo nuk ёshtё arsye pёr tё qenё i pakёnaqur. Tash.

Palёvizshmёria ka pllakosur jo vetёm trupin, pemёn qё bёn hije. Por edhe mendjen. Dy shprehje me “mendje” brenda tre vargjeve: “nuk mund ta merrja me mend” dhe “nuk mё shkon mendja”. Tё dyja folje tё lёvizjes “marr” dhe “shkoj” me njё NUK tё madh pёrpara. Tё vuajturit mahnitshёm. Kёto vargje lejojnё vendosje paralele tё strukturёs sё tretё.

3. poetika e diskursit tё drejtpёrdrejtё me pёrgjithёsim tё qenies njerёzore
Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa përjashtim.

Tashmё gjithshka shpjegohet dhe pёrgjithёsohet. Palёvizshmёria e ka njё emёr: shtangia nga e zakonshmja. E keqja ёshtё autoritare, tё lё pa frymё, pa vullnet, pa ёndёrra. Tё shtang. Jo pse nuk di mё mirё, por sepse e keqja e ka kёtё qasje te çdo qenie njerёzore, pa pёrjashtim. Edhe te poeti. Njё palёvizshmёri e kushtёzuar, njё pemё qё u bёn hije rrёnjёve tё veta. Ku ka mё tё palёvizshme por njёkohёsisht tё gjallё se pema?


Leximi i tretё (leximi i mendimit)


Poezia e mirë e shtyn lexuesin pashmangshëm në një lexim të tretë, leximin e mendimit. Sepse poezia nuk është vetëm teknikë dhe fjalë. Poezia është mendim. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Leximi i tretë e ndihmon lexuesin të ndjekë fillin e mendimit të poetit dhe fillin e mendimit të vet.

Duhet ta pranoj se kjo poezi mё ka lidhur kaq shumё me teknikёn e pёrdorur, sa mendimet mё sillen e mё pёrsillen jo aq shumё rreth asaj qё thotё, por si e thotё. Kjo poezi ёshtё ndryshe. Unё jam vetё njё nga ato qё preferoj poezi qё kanё shtresa, mbishtresa dhe nёnshtresa.

Njё poezi pa shtresa ёshtё e vdekur. Por ja ku jam e shtangur para njё poezie qё m’i thotё tё gjitha nё lexim tё parё, me shtresa te palosura ne fund te shtratit. Dhe mundohem tё kuptoj se pse nuk e kam hedhur tej, siç bёj zakonisht me poezi qё flasin shumё, qё pёrpiqen tё mё japin mend, qё ma paraqesin njё poet tё gjithёdijshёm, tё pikuar nga qielli, mё sё paku hyjnor? Dhe kam dy pёrgjigje:

- sё pari sepse pamja e parё ёshtё kaq e bukur, vjeshta qё dergjet nё poetin, tё vuajturit mahnitshёm, pema qё i bёn hije rrёnjёve tё veta. Palёvizshmёria, migrimi i ёndёrrave, e keqja si njё qasje e zakonshme. Poeti si pemё.

- sё dyti sepse ka njё indiferentizёm ndaj lexuesit qё mё intrigon. Poeti nuk pёrgjithёson pёr tё mё shtangur mua si lexues, ai thjesht papritmas, nё pamjen e dytё, del nga vetja dhe kundron njeriun qё shtrihet para kёmbёve tё veta. Ai vetё, ashtu si e keqja, ka njё qasje autoritare ndaj poezisё sё vet. Pa pёrjashtim.


Leximi i katërt (leximi i vetes)


Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Nëse ka mbërritur deri këtu e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Leximi i katёrt ёshtё leximi i vetes.


Jo rrallё mbetem e shtangur nga e zakonshmja.

Entela Tabaku: Leximi i poezisë “Homo Migrantis”





HOMO MIGRANTIS 

Shqiptar Oseku

Më ndalonin nē çdo kufi
Më kujtohet
Ma kërkonin një letërnjoftim të vjetër
Unë ua jipja e ndrydhja panikun
Aty më rrinte emri mbiemri
Data e vendi i lindjes
Ishte mot i lig
Mua më ndiqnin të shtëna
E ata lexonin me belbëzime
Qenien time
Ma skanonin dyshueshëm
Dikur më lejonin të dal
(Por jo të hyj-
kjo do të më mirrte akoma tjera vite)
Tashti në kufi ndalin kipcin tim
Të ndjekur me të shtëna
Ia skanojnë
shkaqet e qenies
Belbëzimthi
Emrin mbiemrin Datat e vendet
(Thuase dikush bëhet unë pa arsye)
E ai mban erë gjak-
Unë ndiej në eshtra tek vjen
Një mot i lig
E kërkoj me instinkt në xhepa
Letërnjoftimin e vjetër


Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)


Poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herё pёr t’u njohur. Si takimet e dashurisё. Nёse pas takimit tё parё nuk ke mё dёshirё tё rikthehesh, atёherё e di se nuk bënte për ty. Nё çdo takim mёson dhe ndien diçka tё re pёr poezinё dhe pёr veten. Sa më thellë të mund t’i hysh një poezie, sa më thellë gërmon ajo në ty, aq më e mirë është ajo.

Në këtë perspektivë leximi i parë është gjithmonë një lexim i së dukshmes, i sipёrfaqes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet, ritmi). 

Në leximin e parë vëren edhe si të bën të ndihesh kjo poezi. A të hyn në gjak, a të flet ty apo ta kundron botën me sytë e tjera kujt. Nëse pas këtij leximi i ke thënë të gjitha, atëherë e di se kjo poezi ishte e këndshme. Kaq. Kurse poezia e mirë të rikthen tek vetja gjithmonë. 

Asaj nuk mund t’i ikësh, ashtu si nuk mund t’i ikësh vetes: Homo Migrantis, titulli i bie gozhdës drejt e në krye. Për lexuesin që e ka gozhdën të matur në mish të vet dhimbja është gati fizike. Në poezinë shqiptare, që ka disa vite që po përpiqet të rrëfejë emigrimin, ikjen, syrgjynosjen, hyn më në fund një term që e përfshin të gjithë fenomenin: homo migrantis, një metaforë etnografike. 

Gjetja e këtij përcaktimi është kapësja e parë që e shtrëngon poezinë dhe e ngre atë nga masa gri e poezive të rëndomta të emigrimit. Homo Migrantis i rrëfyer këtu si një specie më vete që mbahet fort mbas një karte, vlera e së cilës bëhet e pazëvendësueshme, pikërisht kur je një homo migrantis: letërnjoftimi, karta që të përcakton aty ku askush nuk e di (dhe as do t’ia dijë) se kush je. 

Karta që ta përcakton dhe ta përkufizon fatin. Letërnjoftimi si metaforë dhe si mallkim. I mbushur me emra të vështirë (a të frikshëm) që askush nuk mund t’i shqiptojë, veç t’i belbëzojë.

Poezia është e ndërtuar në dy rrafshe kohore, dje dhe sot, të ndara dukshëm. Pjesa e parë e poezisë është rrëfimi i së djeshmes, “më kujtohet” dhe koha e pakryer e foljeve mbështesin rrëfimin e ikjes. Një ikanak që ikën me panikun dhe letërnjoftimin si të vetmit shoqërues. 

Të dy këta shoqërues janë prova të një identiteti të refuzuar, një identitet që veç belbëzohet, skanohet dhe askush nuk e pranon krahëhapur. Një ikje, për më tepër, e përsëritur në kohë “Dikur më lejonin të dal/(Por jo të hyj- kjo do të më mirrte akoma tjera vite)”. 

Pjesa e dytë e poezisë është kthim në të sotmen të shënuar me “tashti” dhe foljet në të tashmen. Një kipc shfaqet në skenë. Një kipc, një dytëshor, thotë Fjalori, “njeri që nga pamja e jashtme duket pothuajse njësoj me një tjetër, njeri që i ngjet aq shumë një tjetri, sa mund ta marrim për të, kipc.” Ja, e mësova edhe një fjalë që nuk e dija, më ndodh rëndom kur lexoj Osekun. 

Në pjesën e dytë të poezisë rrëfimi i ikanakut i përket një tjetri. Poeti veç ia ndien erën ikjes, vjen era gjak dhe historia përsëritet. Poeti ndihet si kipci: poeti dje, kipci sot. Poeti është kipci, kipci është poeti. Poezia mbyllet aty ku nisi, në panikun e ndalimit në kufi. Në çdo kufi. Duke e mbyllur kështu rrethin e identifikimit.


Leximi i dytë (leximi i teknikës)


Leximi i dytë zakonisht nis e t’i zbulon sekretet e realizimit, ёshtё leximi i teknikёs. Shumica e poezive nuk kanë sekrete, kanë vetëm metafora. Por talenti i vërtetë nuk qëndron në metaforat. Mendja e njeriut është një prehër i pafund metaforash. 

Talenti i vërtetë qëndron në krijimin, shpesh spontan, të një ndërthurje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit. Lexuesi e gjen veten duke zbërthyer teknikën e poezisë njëkohësisht që zbërthen veten. Në këtë pikë poezia duhet lexuar me zë të lartë:

A e lexove?

Teknikisht Homo Migrantis është poezia e mjeshtërisë së identifikimit tridimensional. Në sipërfaqe të duket se shenjat më të rëndësishme janë ato që shenjojnë kohën, udhëtimin në kohë të poetit, historinë që përsëritet. 

Lexuesi rri në majën e kodrës së leximit të parë dhe kundron ç’u bë. Aty poshtë, Homo Migrantis shalon fatin e vet, në këtë rast i ndjekur nga të shtëna. Por s’është veçse sipërfaqja. Ajo që vlon brenda leximit është edhe një tekst tjetër: është përsëritja këmbëngulëse dhe e pamëshirshme e përemrave që shenjojnë vetën e parë:

Më ndalonin ...
Më kujtohet ...
Ma kërkonin ...
Unë ...
më rrinte ...
Mua më ...
Qenien time ...
Ma skanonin ...
më lejonin ...
do të më mirrte ...

Toka nis e tundet e shkundet në leximin e dytë. A e ndien? Ajo që lexuesit së pari iu duk një kodër vrojtuese, në të vërtetë është kurrizi i një kafshe të madhe. Kafsha çohet ngadalë në këmbë dhe nis lëviz me lexuesin kaluar. Paniku i ikjes, skanimi i qenies, të shtënat, bëhen pjesë e përjetimit të vetë lexuesit, që në këtë mënyrë e kalon kufirin e poetit. 

Ndjekja, përndjekja bëhen pjesë e përjetimit të leximit. Angështia e poetit bëhet angështia e lexuesit. E kaluara e poetit perjetohet live nga lexuesi: ndjekja, ndalimi, dalja, moshyrja.
Deri këtu, gjithshka është e njohur, si teknikë dua të them. 

Rrëfimi në vetë të parë e krijon shpesh iluzionin e idetifikimit me poetin. Kjo këmbëngulja kryefortë me përemra identifikues e shënon një talent të veçantë, por origjinalja e kësaj poezie është megjithatë se ajo e shtyn edhe më tej lexuesin. 

E shtyn në pjesën e dytë. Aty ka edhe një kufi tjetër që duhet të kalohet: kufiri i kipcit. Poeti nuk po rrëfehet për të treguar historinë e vet. Përndryshe do të ishte një poet i zakonshëm dhe këto lexime nuk do të shkruheshin kurrë. Sepse historia e poetit është shkruar në mënyra të ndryshme edhe herë të tjera. 

Por në pjesën e dytë të Homo Migrantis vetë poeti e kalëron fatin e kipcit, identifikimi me të shprehet qartë:
“Thuase dikush bëhet unë pa arsye”

Kështu hapet loja e identifikimit: lexuesi, poeti dhe kipci. Lexuesi është poeti, poeti është kipci, kipci është lexuesi? Kjo është mjeshtëria. Mbyllja e rrethit i jep një karakter gati universal poezisë. Të gjithë e ndiejnë motin e lig që po afrohet, të gjithë njëherësh kërkojnë në panik nëpër xhepa letërnjoftimin e vjetër. I ndalur në çdo kufi të poezisë lexuesi letërnjoftohet me përjetimin e poetit.


Leximi i tretë (leximi i mendimit)


Poezia e mirë e shtyn lexuesin pashmangshëm në një lexim të tretë, leximin e mendimit. Sepse poezia nuk është vetëm teknikë dhe fjalë. Poezia është mendim. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. 

Leximi i tretë e ndihmon lexuesin të ndjekë fillin e mendimit të poetit dhe fillin e mendimit të vet, një lexim filozofik domethënë:
Dy mendime më përsillen në krye duke lexuar:
Ku ka Homo Sapiens do të ketë Homo Migrantis.
Një herë Homo Migrantis, gjithmonë Homo Migrantis.

Ai çfarë je ti sot, do të jetë dikush tjetër nesër. Të gjithëve na përndjekin të shtënat, në mos sot nesër. Jemi të gjithë ikanakë dhe kalërojmë të njëjtin fat. Era e gjakut ndihet sot në gjithë botën. Vrojtuesit janë kalërues, me dashje apo pa dashje. Ikanakët e djeshëm janë vrojtuesit e sotëm. Ku ka Homo Sapiens do të ketë Homo Migrantis. 

Një herë Homo Migrantis, gjithmonë Homo Migrantis. Poezitë e mira e kanë të ndërtuar në vete një aktualitet që nuk vjetërohet kurrë. Dhe në u pastë vjetëruar e kanë aftësinë të ta projektojnë si të gjallë në ndjesitë e tua.

Poezia është interesante edhe në një plan tjetër, në planin e poetikës së mërgimit. Poezia e mërguar shqiptare ka zakonisht dy qasje ndaj gjendjes së vet: patriotizëm dhe mall. 

Patriotizmi është karakteristik i një mërgimi politik. Malli është karakteristik për poezinë e sotme të mërgimit ekonomik. Homo Migrantis i përket një poezie globale të mërgimit. Një poezi që është gjithnjë në kërkim të identitetit. Kjo poezi çdo kufi e përjeton si etapë të zhvillimit të një identiteti të ri.


Leximi i katërt (leximi i vetes)


Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Nëse ka mbërritur deri këtu e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Leximi i katёrt ёshtё leximi i vetes:

Unë qëndroj në kufi. Më ndalonin në çdo kufi. Sytë dyshues të policit të kufirit ma skanojnë qenien. Unë dhe letërnjoftimi bëhemi një. Unë jam shqiptare. Viza i duket fallco. Unë jam fallco. Më kthen në kufi. Unë qaj. Gozhda rreh në mish.

Je suis Homo Migrantis.