Monday, August 20, 2018

heshtë




nuk kena kohë me pushu. kena shumë me ba. ngatërroj furgon. duhet me u ulë me marrë tjetrin. furgonin tjetër e njof mirë. nji vit ma parë, e zoja e tij, m'ka ba me e nisë. asht e shkrume me tana ngjyrat 'mi casa est tu casa'. emni i hostelit që zoja drejton. ajo e ka organizu gjithçka. asht nji tur me njoftë vedin, vende që i ke lexu ndër libra, i ke pa veç në televizione ose dikush të ka tregu për ta. të dy stadet kanë nga nji mur që të ndajnë, të detyruem, nga ajo çka ndjen tuj kenë personazh i fakteve historike, gjeografike, trashëgimore, shpirtnore.

vizitë te nji punishte tezgjahu në Rragam. punishte artizanale. zana grash, rreth gjashtë a shtatë gumëzhijnë në nji sallë plot hapsëinë e dritë. prodhojnë veç për tregun italian. fort të shtrenjta duhet t'i kenë duert ato gra. e kthehem mbrapa në kohë. kur em amë punonte, ose ma mirë me thanë, skllavërohej në fabrikën e tisazhit atje në qytet. kam kenë e vogël, e zhurmat e makinave automatike të banin budallë pa kenë, kësaj i shtohej norma, kushtet e tmerrshme të grave aty. mes tyne, herë pas here, e vogël, me duer të vogla, tërhiqja thasin me masur që em amë kishte mbaru me shku me e peshu te normisti. ose ndihmoja me heqë e vue masurët, që tanë zhurmë mbështjellin penin rreth nji tubi prej druni. ose, ose kur ndërroja masurin e mbarum me nji tjetër me fije, që puna automatike mos të ndalej.

s'kam kohë me ndejtë fmi që veç punon. du me shku me pa gjanat që s'i kam pa ma përpara. rruga e gjatë. vende vende e parregullume. por pas nji ore rrugë i ulena fort nji kodrine, për me zbritë buzë liqenit të Vau Dejësit, ku ka pjesën e vet dhe Drini. aty nji zotni ka hapë nji restorant. ofron dhe shërbimin me anije. jam e padurueme. hypim në anije. na pesë turistat, dy prej të cilëve i kena miq hollandez, dy drejtuesit e turit, dhe drejtuesi i barkës.

uji blu i thellë. dukej se barka nuk nisej, ishin malet që na afroheshin në të dy anët tona. por uji s'pihet. s'asht i pijshëm. na kanë paralajmërue prej larg. kena marrë shishe për me pi. të tanë jena të huej për njeni-tjetrin, por shpejt bahena nji grup njerzish që njifena prej kohësh. male thik. t'ashpra. të buta. lugina që sjellin ujë bore. 'çka bahet këtu në dimën?' pys vedin. vende vende ka nji shpi. ma andej nji tjetër. unë në barkë e andërroj atë lloj vetmie, ajo ose ai që banon atje, e ka vujtjen e madhe. sa ndryshojmë. se i shofim me sy të ndryshëm. ndoshta edhe mu ka me m'u mërzitë ky vend. drejtuesi i grupit, zotnia që niste edhe furgonin, na tregon me dorë në nji vend, diku në nji gjysë kodret të lulzume 'atje jeton nji gru e vetme'. kthej kryt. aty banoka nji heroinë. a asht mërzitë me jetën atje? ndoshta po, ndoshta jo. por për çdo gja poshtë ka varkën e vet.

'erdhme'. barka ndal shpejtësinë. drejtuesi i saj merr lopatat e me ngadalë fillon e na drejton drejt Shpellës së Pëllumbave. dhe s'kena fjalë. barka jonë hyn deri në fund të shpellës. nuk asht e madhe, por për mu asht mjaftueshëm e madhe për me plotësu për at' që kam ardhë, mahnitjen. me duer ndër mure të shpellës i japim edhe na pak drejtim barkës. drejtuesja e grupit, zojusha, na thotë se duhej t'ishin edhe pëllumbat aty nalt. po s'ka gja se nuk janë tash a ma vonë. aty e kanë lanë shpinë e kanë fluturu të patrazume se dikush po ia prish.

drejtuesi i varkës na ndalon në nji vend të përshtatshëm për me notu. plazh i vetmuem. gurë, bar i egër, shumë manaferra dhe ujë i ftoftë. pasi zhdepena tuj hangër manaferrat zhytena n'ujë. vetëm katër metra ecë lirshëm, pastaj thellësia e ftoftësia bijnë thik. 'a asht zhytë kush në këtë liqen, për me e ditë ku e ka fundin e çka fshehë?' pyetje e vështirë. laju. zhytu aq sa të mundesh. mësoju fmive si me u hedhë prej shkëmbijve e knaqu.

veshu. shtyj barkën e prapë në ujnat e atij liqeni të madh. e vogla knaqet tuj mbajtë dorën jashtë barkës për me ba valë n'ujë. valë që ma andej kanë me pushue. e madhja asht në botën e vet. mes nji liqeni të stërmadh e andërron gjana krejt të tjera nga ato çka shef.

përballë nji mol. dy a tre shkallë betoni. hidhem n'ujë. tërheq barkën deri të vendi ku pjestarët e tjerë të grupit munden me zbritë. ishulli i Shurdhahut. epiqendër e shumë kulturave dhe e krishtnimit. rreth e rrotull tij rreth tetëdhjetë kisha, të tana përmasave.  janë disa tabela për me të tregu emna kishash, vendesh. duket që janë pjesë e ndonji projekti të huj. duken të shkrume shpejt, me u shkru sa me kenë njaty. s'ka shpjegime të detajume. diku janë të vendosuna shtremtë. diku u ka dalë boja. por kjo s'më pengon me e ndje thellë vendin ku po shkeli. hera e parë. e vogla çan shtigjet tanë ferra për me u ngjitë te Kisha e të Ngjitunit e Zojës në Qiell. drejtuesi më thotë 'deri në 1948, për kte vend asht kujdesë veç nji gru. deri sa vdiq...qe varri i saj... - dhe tregon me gisht - ma vonë askush s'u kujtu e kanë mbetë veç ngrehina tuj ra brendë'...

prapë nji gru. vetëm. nji ishull. tanë ajo histori. shpirtna që kanë dekë në të. po veç nji dashni i ka mbajtë frymën për me u kujdesë për kte vend. e kur vdiq e ka marrë dashninë me vedi. e si ndryshe kish me u shpjegu ky varfnim në ktë vend të mrekullueshëm. s'du me mendu se çka mund të kishin ba shtete të tjera për me u kujdesë për këtë pasuni, se ka me më prishë kandjen në të cilën po enden në kte udhëtim.

vajzat hypin e zbresim mureve në nji zheginë që djeg fort në lëkurë. hyjnë e dalin nëpër gjysma portash, pika vrojtimesh e ndoshta në muret e shpive të shekullit kur u ndërtue ky vend. zojusha na tregon nji portë me qemer të naltë. 'atje, pikërisht atje mateshin të rinjtë e këtij vendi, e nëse s'e kishin arritë naltësinë e qemerit, s'duhej të kishin pretendime me u martu...'. qeshim. njeni prej hollandezëve shton '...e kanë ba kaq të naltë, me pasë arsy mos me u martu kurrë'...'pse nuk mundena me fjetë në këtë vend', - mendoj '...atje poshtë ta merr frymën pamja e liqenit, blu, ka edhe humnera tek tuk, të tana i kanë rranjët n'ujë'. asnji kartolinë s'ka arritë me më magjepsë si këto pamje kështu. as fotot s'kanë me e ba ma të bukur kte vend. kto radhë aq ma pak. por vendin nuk e lëviz kush. mundem gjithmonë me iu kthy e me ndejtë në këtë ballkon. me përjetu tana stinët pse jo. tana gjendjet emocionale.

natyra mbetet nji artiste e paarritshme. duhet me heshtë.

marr nji gur dhe iku.







 Shpella e Pëllumbave
                                                           Ishulli i Shurdhahut
 Tabela treguese e kishës
                                                          Pelegrinët apo njerz të thjeshtë e kishin lanë nga nji shenjë të kalimit të tyne te varri
 Porta me qemer të naltë
                                                           në kte vend kanë hangër, kanë pi bute me venë e kanë bisedu me orë të tana drejtuesit e këtij ishulli e këtyne kishave.

No comments:

Post a Comment