Sunday, November 27, 2016

Entela Tabaku: Leximi i poezisë “sot është një nga ato ditët”





sot është një nga ato ditët


Enkeleda Ristani


sot është një nga ato ditët
ato ditët paraciklore
jo detyrimisht menstruale
një nga ato ditët kur kujtohem sa bosh tingëllon zëri im
sa ftoftë bën brenda meje krahasuar me stinën jashtë dritareve
një nga ato ditët që vijnë mbas ditëve të qarkuara me buzë moskokëçarëse
unë u ngjaj menstruacioneve të mia
nuk jam gjaku
jam qerthulli
para gjakut bymehem nën lëkurë
fryhen dështimet si lumenj mbas shirash
krekoset gjithë pafuqia ime mbi plehun e kujtesës
jashtë është shëmti e brenda më shumë
mbërrij krisjen e lëkurës sa gjaku të shpërthejë
dhe me siguri do qetohem me harresë.

Marrë nga vëllimi "nesër është e vona ime", Durrës 2014



Leximi i poezisë “Sot është një nga ato ditët”



Entela Tabaku


Leximi i një poezie është përjetim më vete. Sa më e mirë poezia, aq më shumë lexime kërkon ajo. Metodat dhe pikënisjet e leximit mund të jenë të ndryshme. Secila ka vlerën e vet dhe e pasuron leximin. Mua më pëlqen leximi i tekstit, ajo lidhje eskluzive që krijohet midis lexuesit dhe tekstit. 

Kontekstet kohore, biografike, shoqërore, estetike janë të gjitha jashtëzakonisht të rëndësishme, por mua më bind më shumë teksti. Tek teksti janë shtrydhur të gjitha këto kontekste dhe ai që më intereson është rezultati dhe çfarë ngjall tek lexuesi. Edhe lexuesi i mbart me vete kontekstet e veta. 

Leximi i poezisë është çlirim i të gjitha këtyre konteksteve në një pikë të vetme: në takimin e lexuesit me poezinë. Përtej këtij takimi asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Është si puthja dhe reaksionet që të ngjall në trup dhe në zemër. Lexuesi dhe teksti, pra, të dy protagonistë me të drejta të barazvlefshme.

Në këtë perspektivë leximi i parë është leximi i së dukshmes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet). Leximi i dytë nis e t’i zbulon sekretet e realizimit. Talenti i vërtetë qëndron në krijimin, shpesh spontan, të një ndërthurje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit. 

Leximi i tretë është leximi i mendimit. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Në këtë lexim ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë, për veten e vet.

Pakti i leximit është një pakt i heshtur midis poezisë dhe lexuesit. Poezia e di se po shkruhet për t’u lexuar. Edhe poeti më i rezervuar dhe refuzues, në momentin që i jipet shkrimit, e ka pranuar atë pakt. Përndryshe do ta mbante në mendjen e vet. Siç bënim kur ishim adoleshentë, shkonim me kryet plot me poezi që refuzonim t’i shkruanim. 

Poezia që shkruhet shkon pashmangshmërisht drejt leximit, si shprehja e dashurisë shkon drejt puthjes. Lexuesi, nga ana e tij, ka idetë e veta përmbi poezinë, sidomos ka një ide të qartë se çfarë është dhe çfarë nuk është poezi, të krijuar nga tradita e leximit: jo gjithshka mund të bëhet poezi. Athua se poezia nuk është njerëzore, athua se jo gjithshka njerëzore mund të bëhet poezi. Athua mund të shpërthejë poezia me gjakun e menstruacioneve?

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

A u skuqe? Apo u nxive? A u zverdhe? U zbardhe? Apo u mavijose? Jeshilose? Apo hiç? Leximi i parë i kësaj poezie është, me dashje a padashje, si i magjepsur mbas kësaj fjale: menstruacione. Leximi i parë është leximi i më së dukshmes në sipërfaqe, prandaj: menstruacione. 

Por pa e normalizuar ngjyrën e fytyrës në leximin e kësaj fjale, nuk mund të vazhdojmë të lexojmë poezinë. Dhe sa më shpesh e lexon aq më tepër normalizohet: menstruacione. A e vë re ndryshimin? Menstruacione. Nuk është aq e rrezikshme. Menstruacione. Tani merr frymë thellë dhe lexo poezinë.

A e sheh tash se për çfarë flet poezia? Flet për një një nga ato ditët kur gjithshka duket më e vështirë nga ç’është, kur boshllëku është më bosh se zakonisht, kur dështimet përjetohen më të rënda se zakonisht. Poezia mbartet nga një figurë po aq e vjetër sa vetë poezia: vendosjen paralele të një gjendjeje shpirtërore me një fenomen natyror a biologjik që i ngjason.

Ashtu sikurse fryhet dhe bymehet trupi i gruas në ditët përpara menstruacioneve, ashtu në këtë ditë të poezisë fryhet dhe bymehet trishtimi. Është ai trishtimi i pafuqisë para asaj që ndodh, pa arsye dhe logjikë, vetëm pse është. Vetëm pse je njeri dhe me qenë njeri është e vështirë. Është pafuqia që krekoset në plehun e kujtesës, si gjeli i shprehjes popullore, për t’u harruar mandej. Kjo lojë midis kujtesës dhe harresës është ajo që e shtyn njeriun rreth e përreth pa e lënë të mbytet në moskuptimin e jetës.


Leximi i dytë (leximi i teknikës)


Në fakt, tash që lexuesi mund ta lexojë poezinë pa ndërruar (dukshëm) ngjyrën e fytyrës, mund të vërejë se poezia është ndërtuar si një rreth. Forma e poezisë mbahet nga fjalët cikël, qark dhe qerthull:

ditëve paraciklore
ditëve të qarkuara
jam qerthulli

Domethënia e të trija fjalëve shënon një varg ngjarjesh që ndjekin njëra-tjetrën në një ritëm të caktuar, një varg ngjarjesh që përmbyllet aty ku nisi duke krijuar një figurë rrethore.

Tani mendoje veten me një kompas gjigand në dorë, ngule fort gjilpërën para teje dhe hiq një rreth me veten në qendër, nga e majta në të djathta, një rreth të mbyllur. Pika fillestare është para teje, aq sa mund të shtrish duart, pak majtas ndoshta. Mos u kthe nga njëra anë në tjetrën, ti qëndron pa lëvizur, ti vetëm zgjatesh mbas kompasit duke u munduar të mbërrish të gjitha pikat e rrethit:

Filloje rrethin në pikën sot, sepse sot është “një nga ato ditët kur kujtohem”.
Vazhdoje në pikën tjetër që është momenti kur ndien “sa ftohtë bën brenda meje krahasuar me stinën jashtë dritareve”, pikërisht aty ku nis enjtja e dëshpërimit. Uni e shtrëngon kompasin fort dhe e rrit intensitetin e vizatimit, vija lakohet pa vështirësi, pika vazhduese është pak në të djathtën tënde “jashtë është shëmti e brenda më shumë”.

Tashmë je zgjatur nga e djathta, lëkura kris.
Mbrapa teje vizato vijën e lakuar të derdhjes.

Mandej vazhdo me harkun e qetisë, të harresës. Vija rrethore aty mezi përvijohet, sepse është më e vështirë të arrihet, meqënëse është në kah të kundërt me ty. Vija mbrapa teje harkohet në të ardhmen (do qetohem me harresë).

Qarku mbyllet mandej aty ku filloi, para teje, ndoshta pak majtas, në ditët e qarkuara me buzë moskokëçarëse, ato ditët para së sotmes. Para kësaj dite të poezisë vinin ditët e harresës, kur brenda ishte po aq ngrohtë sa jashtë.

Vija e lakuar e rrethit para vetes është e dukshme qartë se është më e lehtë të vizatosh para vetes me kompas, mbrapa mezi shquhet. Por cikli mbyllet dhe me të një varg i plotë shndërrimesh që kryhen brenda një kohe të caktuar, një cikël që do të përsëritet sërish dhe sërish. Jo detyrimisht cikël menstrual. Kundroje tashti! A nuk të duket se ke vizatuar qerthullin e qenies njerëzore, pashmangshmërinë e fatit njerëzor?


Leximi i tretë (leximi i mendimit)


Që në leximin e parë kjo poezi ta mbush kryet me mendime, siç bëjnë zakonisht poezitë e gjendjeve shpirtërore. Por duhet t’ia pranoj vetes se kjo poezi ende mbetet së pari një poezi emancipuese. Jo emancipuese në kuptimin që po i tregon botës se ç’janë menstruacionet, edhe pse e bën edhe këtë.Apo sepse po i tregon botës se nuk ka asgjë të turpshme, të rrezikshme a të ndyrë me menstruacionet, edhe pse e bën edhe këtë. Ka edhe në shqip disa poezi të rralla që e trajtojnë këtë temë. 

Kjo poezi është emancipuese për poezinë shqiptare, sepse është çliruese. Deklamon lirinë e gruas për të shkruar për përvojat e trupit të saj. Përvoja që mund të bëhen poezi siç mund të bëhet poezi çdo përvojë e mirë njerëzore. Sepse poezia nuk qëndron në pikënisjen, por në përjetimin e krijimit. 

Gjysma e lexuesve e dinë si ndihesh në ditët para, gjatë dhe pas menstruacioneve, për to cikli i menstruacioneve është cikli i jetës. Dhe nëse kjo është një nga ato ditët kur ndihesh ashtu, atëherë botë mbahu!, sepse rrugët e poezisë janë krejt të paparashikueshme.

Dhe vdekja mandej. Kjo e ardhme që na përvijohet mbas shpine, si një cikël që përsëritet sërish dhe sërish. Dhe derdhja si një metaforë e vdekjes. Trishtimi i jetës që nuk u ngjiz por derdhet. Athua vdekja është derdhje, zbrazje, ajo ndjesi e qetësisë së plogësht që të pushton më pas. Ajo pika e qarkut kur ti shkon në harrim, në paqë?


Leximi i katërt (leximi i vetes)


Mbahu! Me siguri do qetohem me harresë.

Thursday, November 24, 2016

Entela Tabaku: Leximi i poezisë 'Fustani'




Fustani

Ardita Jatru

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk deshta të kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën me gërshërë
dhe mbusha xhepat.
Nënë heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prapë të njëjtin fustan
dhe i përsërisja vetes,
sa dua t’i ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm. 
Fundja pse duhet të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë, 
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.


(Marrë nga vëllimi me poezi ’66 kg vetmi’ Tirane 2015)


Leximi i poezisë "Fustani"


Entela Tabaku

Leximi i një poezie është përjetim më vete. Sa më e mirë poezia, aq më shumë lexime kërkon ajo. Metodat dhe pikënisjet e leximit mund të jenë të ndryshme. Secila ka vlerën e vet dhe e pasuron leximin. Mua më pëlqen leximi i tekstit, ajo lidhje eskluzive që krijohet midis lexuesit dhe tekstit.

Kontekstet kohore, biografike, shoqërore, estetike janë të gjitha jashtëzakonisht të rëndësishme, por mua më bind më shumë teksti. Tek teksti janë shtrydhur të gjitha këto kontekste dhe ai që më intereson është rezultati dhe çfarë ngjall tek lexuesi. Edhe lexuesi i mbart me vete kontekstet e veta. 

Leximi i poezisë është çlirim i të gjitha këtyre konteksteve në një pikë të vetme: në takimin e lexuesit me poezinë. Përtej këtij takimi asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Është si puthja dhe reaksionet që të ngjall në trup dhe në zemër. Lexuesi dhe teksti, pra, të dy protagonistë me të drejta të barazvlefshme. 

Në këtë perspektivë leximi i parë është gjithmonë një lexim i së dukshmes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet). Në këtë lexim vihet re edhe si të bën të ndihesh kjo poezi. A të hyn në gjak, a të flet ty apo ta kundron botën me sytë e tjera kujt. Nëse pas këtij leximi i ke thënë të gjitha, atëherë e di se kjo poezi ishte e këndshme. Kaq. 

Duke menduar se ka poezi për të cilat nuk e gjen kurrë një fjalë, si poet je i lumtur që lexuesi i pat dy fjalë për poezinë tënde. Por si lexues je i pakënaqur. I pasodisfaksionuar. Ti e di se ka më tepër, poezia e mirë të rikthen tek vetja gjithmonë, nuk mund t’i ikësh. 

Leximi i dytë zakonisht nis e t’i zbulon sekretet e realizimit. Shumica e poezive nuk kanë sekrete, kanë vetëm metafora. Por talenti i vërtetë nuk qëndron në metaforat. Mendja e njeriut është një prehër i pafund metaforash. Talenti i vërtetë qëndron në krijimin, shpesh spontan, të një ndërthurje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit. Lexuesi e gjen veten duke zbërthyer teknikën e poezisë njëkohësisht që zbërthen veten. Në këtë pikë poezia duhet lexuar me zë të lartë. 

Ky lexim i poezisë së mirë e çon pashmangshëm lexuesin tek leximi i tretë. Sepse poezia nuk është vetëm teknikë dhe fjalë. Poezia është mendim. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Gjatë leximit të tretë zhvillohet një fill mendimi që unë e quaj leximi filozofik. 

Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Nëse ka mbërritur deri këtu e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Një magji.

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

Poezia për nënën është një poezi që nuk resht kurrë së shkruari. Himnizimi i figurës së saj duket sikur është një nevojë e brendshme që na kap të gjithëve një ditë. Por kjo nuk është një poezi e zakonshme për nënën, e mbushur me fjalë të mëdha dhe metafora të shkëlqyeshme që më shumë hedhin dritë mbi birin se sa mbi vetë nënën. Himnizimi i figurës së saj i besohet një rrëfimi të thjeshtë të një historie në thelb tragjike të një nëne të varfër që ka vetëm një fustan. 

Historia e një nëne të heshtur që lufton vetëm, e mbështjellë në këtë fustan me lule rozë, që i mbërrin deri te gjunjët. Fustanin që lahet në mbrëmje, thahet mbi furnelë dhe vishet në mëngjes me aromë të re. Përbri i qëndron një vajzë e vogël për të cilën fustani dhe e ëma janë një. Vajzën e vogël që dëshiron të jetë si e ëma, që e dëshiron ta veshë vetë atë fustan, që për lojalitet ndaj kësaj dashurie pret me gërshërë këmishën e verdhë. Poezia mbahet për thjeshtësinë e vet. 

E gjithë poezia ka në sipërfaqe vetëm një metaforë: stinët e mia thinjen. Dhe kjo nuk është ndonjë gjetje që të lë pa frymë. Ajo që të lë pa frymë është pikërisht thjeshtësia me të cilën rrëfehet një fat kaq tragjik, një rrëfim që i ngjan përditshmërisë së kësaj gruaje. Një thjeshtësi që me siguri e tremb atë që pret shkëlqim nga poezia, që pret thirrjen “më shih, më shih sa poetike jam!” 

Kjo poezi duket kaq indiferente, e lidhur për atë përditshmëri kaq të zakonshme që e njohim të gjithë. Dhe kjo është forca e saj, ndjeshmëria ndaj së vërtetës dhe aftësia për t’u jehuar në përvojën e lexuesit. Në kryetin e lexuesit shfaqet padashje fustani i nënës së vet (a ndoshta këpucët, modeli i flokëve).

Leximi i dytë (leximi i teknikës)

Kjo është ndër poezitë tipike të thjeshta që të duket se t’i ka thënë të gjitha me leximin e parë. I ngjan atyre ndeshjeve të tenisit në tv. A e keni parasysh publikun si e sjell kryet automatikisht, të gjithë përnjëherësh, andej nga shkon topi? Fap fup topi, majtas-djathtas krenat. Kështu edhe lexuesi me këtë poezi. Ulet në tribunën e publikut dhe sheh një ndeshje tenisi. Veta e tretë dhe veta e parë luajnë tenis. Ritmi është i ngjeshur, edhe në ajër ndihet lëvizja e krenave dhe përplasja e raketës për top fap fup, fap, fup.
Veta e tretë gjuan fap:

Nëna ime kishte vetëm një fustan.
Veta e parë e kthen fup:
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Fap: Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
Fup: e preva copash me gërshërë dhe mbusha xhepat
Fap: Nëna heshti dy ditë
Fup: unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte të njëjtin fustan
Game 1 për vajzën. 

Në pjesën e dytë loja ka ndryshuar karakter. Nuk kemi më lojë një kundër një. Përbri vajzës qëndron tashmë vetja e rritur. Edhe përbri nënës është shfaqur një figurë tjetër. Tashti publiku e kupton se ajo veta e tretë e mëparshme s’ishte veçse një fustan pa fytyrë, pa zë, s’kishte veçse ca lule rozë, aromë dhe gjatësi. 

Përbri tashmë shfaqet gruaja. Ajo që lufton vetëm. Fustani luan përballë vajzës së vogël, ata e vazhdojnë lojën si më parë, veçse tashmë ka kaluar në sfond, fap fup, fap fup. Publiku e di përmendësh lojën e tyre, sepse e njeh, është e njëjta lojë për të gjithë. Por gruaja-nënë (veta e tretë) qëndron përballë vajzës-grua (veta e parë). 

Por këto të dyja nuk luajnë, janë si dy lojtare që nuk kanë më dëshirë të garojnë. Ato veçse vështrohen. Disa të publikut nuk e kanë kuptuar ende dhe vazhdojnë të lëvizin krenat majtas-djathtas, djathtas-majtas duke ndjekur topin. Të tjerë janë ndalur dhe shohin lojën pa raketa të figurave të reja. Vajza e rritur luan në kohën e tashme, në kohën e rritur (edhe përjetimi i së kryerës "i zgjidha" ndihet i tashëm), kurse nëna në kohën e pakryer, është një lojë në kohë, një lojë e pamundur

E tashme: Tani kam filluar ta kuptoj nënën
E pakryer: vetëm pse copëtohej
pse luftonte vetëm
pse duhej të kishte një fustan
E tashme: rritem dhe i ngjaj asaj
luftoj vetë i dytë
Dhe atëherë, STOP!, a i shikon katër figurat në fushë?

Vajza e vogël përballë fustanit me lule rozë. Edhe përkrah vajzës qëndron një fustan, veçse ky ndërron pamje gjithë kohën (i ngjaj asaj por me fustane të ndryshme), vetja e rritur e gruas është pasqyrimi i figurës diagonal. Përballë qëndron figura e nënës, e vërteta, ajo që lufton vetëm. Gati pres që përbri t’i shfaqet brezi i tretë, një vajzë tjetër e vogël që luan tenis me fustanin/et e heshtur/a fap fup fap fup. 

Atmosfera është shumë e tensionuar, një poezi qaramane do t’ia kishte plasur vajit përballë pamundësisë së kësaj loje, por jo kjo poezi. Kontrolli dhe përmbajtja është totale. Kjo poezi nuk qan. Është më e fortë se kaq. Poezia luan me lexuesin, loja e vërtetë është midis ndjenjave të vetë lexuesit dhe tekstit. 

Vargu i fundit shfaq një pasqyrë gjigante dhe publiku e kupton, më në fund, se loja që po ndiqte s’ishte veçse pasqyrim i asaj që po ndodhte në tribunë. Të gjithë janë lojtarë në lojën e rritjes, me fustanë a pa fustanë.

Leximi i tretë (leximi i mendimit)

Kjo për mua është poezia e rritjes dhe e identifikimit. Fustani s’është veçse një justifikim, një petk i jashtëm, për të treguar proçesin e rritjes së një vajze. E njëjta dramë zhvillohet edhe mes vetes së rritur me shumë fustanë dhe vajzës së vet. Dhe kështu brez pas brezi, vetëm fustanët ndryshojnë: bërja e gruas ndjek gjithmonë të njëjtën rrugë në shoqëritë tona, vajza sheh nënën dhe bëhet si ajo, pashmangshmërisht. Nëna hesht (nëna heshti dy ditë), vajza hesht (nuk e pyeta asnjëherë). 

Vajza dëshiron t’i ngjajë së ëmës, është dashuria më e lartë kjo, por me një kusht të tmerrshëm: nënës nuk i lejohet të ndryshojë rolin e vet, i lejohet vetëm të plaket, por kurrsesi të mos luftojë e të mos coptohet në rolin e vet. 

Në mos këmisha e verdhë do të ishte diçka tjetër që do pritej me gërshërë, mund të ishte prishja e darkës së nënës me të dashurin, ose prishja e takimit me shoqet, gjithshka e re që mund t’ia tërhiqte vëmendjen nënës nga vajza dhe t’ia ndryshonte rolin, ta kthente në një grua me nevojat e veta, me luftën e vet kundër varfërisë që nuk e lejon të blejë një fustan të ri, nga njëra anë, por edhe me rolin e saj si nënë, gjithmonë nënë, kurrë më grua. Dhe nëna nuk ka të dytë përveçse në veten tënde (luftoj vetë i dytë).

Leximi i katërt (leximi i vetes time)

Fustani i nënës time ishte i zi me lule të mëdha rozë dhe bojëqiell. Një herë e dogji duke e hekurosur dhe u detyrua t’ia hiqte prerjen e gjerë dhe ta ngushtonte, mandej i iku moda mëngëve me volang dhe i preu kimone. Por gjithmonë i njëjti fustan, i vetmi fustan vizitash. Lumturia ime kur u rrita dhe ajo e solli nga ana tjeter dhe e përshtati për mua. Dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.


Wednesday, November 23, 2016

Entela Tabaku: Leximi i poezisë 'Korba unë'



Korba unë

Eli Krasniqi


Jam ba e keqe, i dashun
Korbat më rrijnë në parmakun e dritares teme
Me fytyrë kah unë, më mbrojnë prej 'njerëzve të mirë'

Jam ba krejt vner, shpirt
Korbat ma hanë çdo ditë nga pak fisnikinë teme
Dhembja të ban shpirtvogël nganjëherë

Jam ba krejt helm, dielli jem
Korbat kërcejnë në kuzhinë shkelin bukën që e ha
I lajnë gjurmët në gjalpë e mjaltë

Jam ba fjalëkeqe, frymarrja jeme
Korbat m'i marrin fjalët e bukura
Butësinë ma ndryjnë me shtatë dryna
në shtatë ditë të javës

Jam ba e padurueshme, drita jeme
Korbat ma nxjerrin mllefin për gjana të vdekshme
Zanin që m' asht shtypë me shekuj errësie

Jam ba ditëvogël, jeta jeme
Korbat ma nxjerrin frikën e lëndimit
Nuk më lanë pa të me jetu

Jam ba harrestare, heshtja jeme
Korbat ma shlyjnë kujtesën
I lanë vetëm gjanat e këqija mëngjeseve mbijetu

Kam mbetë pa kangë, tingulli i jem
Korbat më krrokasin muzgjeve
M’i mbyllin veshët me krimba të mbledhun nëpër degë

Kam mbetë pa miqtë e mi të ngushtë, verbnia jeme
Korbat i pengojnë me flatra kah unë me ardhë
I zmadhojnë fajet e vockla prej njeriu, kërkim faljen teme në fyt ma lanë

Kam mbetë pa ty, andrra jeme
Korbat më hanë mue
Të lanat e fundit prej meje që dashunia jonë i la

Korba unë, dashunia jeme
Honit po lëshohem ngadalë
Pavërejtshëm me u shu.


Leximi i poezisë “Korba unë!”

Entela Tabaku

Leximi i një poezie është përjetim më vete. Sa më e mirë poezia, aq shumë lexime kërkon ajo. Metodat e leximit të një poezie janë të ndryshme. Disa lexime e vendosin poezinë në kontekst. Psh në kontekstin e poezive të tjera të të njëjtit poet, të poezisë bashkëkohore, traditës, të poezive ndikimi i të cilave ndihet në varg, etj. Por mua nuk më pëlqen konteksti, e quaj me shaka jo kontekst, por kotec.

Mua më pëlqen leximi i tekstit në mënyrë të pavarur, ai raport që krijohet midis lexuesit dhe tekstit, pa ndërhyrjen e poetit, të poezive të tjera, pa ndërhyrjen e botës. Lexuesi dhe teksti, të dy protagonistë me të drejta të barazvlefshme. Në këtë perspektivë leximi i parë është një lexim i së dukshmes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet). Në këtë lexim vihet re edhe si të bën të ndihesh kjo poezi. A të hyn në gjak, a të flet ty apo ta kundron botën me sytë e tjera kujt.

Nëse pas këtij leximi i ke thënë të gjitha, atëherë e di se kjo poezi ishte e këndshme. Kaq. Duke menduar se ka poezi për të cilat nuk e gjen kurrë një fjalë, si poet je i lumtur që lexuesi i pat dy fjalë për poezinë tënde. Por si lexues je i pakënaqur. I pasodisfaksionuar. Ti e di se ka më tepër, poezia e mirë të rikthen tek vetja gjithmonë, nuk mund t’i ikësh.

Leximi i dytë zakonisht nis e t’i zbulon sekretet e realizimit. Shumica e poezive nuk kanë sekrete, kanë vetëm metafora. Por talenti i vërtetë nuk qëndron në metaforat. Mendja e njeriut është një prehër i pafund metaforash. Talenti i vërtetë qëndron në krijimin, shpesh spontan, të një ndërthurjeje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit. Lexuesi e gjen veten duke zbërthyer teknikën e poezisë njëkohësisht që zbërthen veten. Në këtë pikë poezia duhet lexuar me zë të lartë.

Ky lexim i poezisë së mirë e çon pashmangshëm lexuesin tek leximi i tretë. Sepse poezia nuk është vetëm teknikë dhe fjalë. Poezia është mendim. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Gjatë leximit të tretë zhvillohet një fill mendimi që unë e quaj leximi filozofik.
Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Nëse ka mbërritur deri këtu e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Një magji.

Leximi i parë 

Poezia e dashurisë së humbur është një poezi që nuk resht kurrë së shkruari. Por kjo nuk është një poezi e këngës së humbjes. Rrëfimi i kësaj poezie është brutal. Dhimbja nuk romantizohet, as nuk merret me të mirë. Bile nuk e ka as luksin e pikëllimit. Dhimbja veçse është, një prani e vërtetë, e mbushur me mllef, shkatërruese dhe vetëshkatërruese.

Skena është e thjeshtë: një dritare nga ku kundrojnë disa korba, një tavoline kuzhine me gjalpë dhe mjaltë përmbi dhe një grua që ndoshta po ha mëngjesin. Dhe dhimbja, kjo dhimbje e pamëshirshme që e gërryen gruan me sqepin e korbit. Dhimbja ha veten për mëngjes. Gërryen, gërryen derisa nga gruaja nuk mbetet asgjë, as kërma. Derisa gruaja vetë shndërrohet në korbin e dhimbjes të personifikuar nga kuja “korba unë!”.

Poezia mbahet pikërisht për këtë lojë fjalësh mes korbave dhe thirrjes “korba unë!” që ia shton dramaticitetin poezisë, me tingëllimin “krau” që e shkreton krejt poezinë dhe në strofën e fundit parashikon shndërrimin, humbjen më të madhe mes humbjeve, humbjen e njerëzores nga dhimbja. Honi më i thellë nuk është honi i humbjes së dashurisë, por është pikërisht honi i humbjes së vetvetes, i humbjes së kuptimit të jetës.

Leximi i dytë

Poezia të kujton teknikisht lojën në piano.
Dora e djathtë luan melodinë e dhimbjes. Melodia është therëse, me nota të mprehta, të vetmueme, stakato, secila me peshën e vet që shkojnë duke grumbulluar njera-tjetrën në një pentagram që pret shkretimin e “Korba unë!”:

Jam ba e keqe
vner
helm
fjalëkeqe
e padurushme
ditëvogël
harrestare
Kam mbetë pa kangë
pa miqt e mij t'ngushtë
pa ty.

Dora e majtë luan akordet e korbave. Tonet janë të rëndë, gjithmonë e më kërcënues. Korbat në fillim janë larg dhe veç kundrojnë, por mandej nisin e afrohen. Korbat kërcejnë nga parvazi i dritares mbi tavolinë. Aty nisin e bëjnë kërdinë, në fillim në copa buke por mandej në copa mishi:

Korbat m'rrijnë n'parmakun e dritares teme
Korbat hanë nga pak çdo ditë fisnikrinë teme
Korbat kërcejnë në kuzhinë shkelin bukën që e ha
Korbat m'i marrin fjalët e bukra
Korbat ma nxjerrin mllefin për gjana t'vdekshme
Korbat ma nxjerrin frikën e lëndimit
Korbat ma shlyejnë kujtesën
Korbat m'krrokasin muzgjeve
Korbat i pengojnë me flatra kah unë me ardhë
Korbat më hanë mu.

Korbat afrohen por tonet largohen nga qendra, thellohen, duart shkojnë në drejtime të kundërta. Melodia e humbjes mprehet gjithmonë e më tepër në tone të larta që dora e djathtë mezi i mbërrin, kurse akordet e korbave, që bëhen gjithnjë e më të thella e tërheqin dorën e majtë nga e kundërta.
Ndërkohë këmba shtyp pa mëshirë pedalin që e mban jehonën gjallë, sa herë dhimbja mpaket a korbat prehen, jehona e dashurisë, ky mall i papërballueshëm i fryn zjarrit dhe i jep hov djegies:

i
dashtun
shpirt
frymarrja jeme
drita jeme
jeta jeme
heshtja jeme
tingulli jem
verbnia jeme
andrra jeme
dashunia jeme

Interpretimi bëhet gjithmonë e më i vështirë, pjesa është virtuoze, teknikisht gati e pamundur. Por poetja luan mjeshtërisht, athua se e ka luajtur me qindra herë këtë pjesë. Por është e pamundur, apo jo? Sepse sa herë mund të të hanë korbat, sa herë vdes njeriu? Një herë, apo?

“Shumë herë” është përgjigja e poezisë, çdo ditë, çdo mëngjes. Kjo grua është Prometeu që pret shkabën e vet çdo ditë, që e di si nis dhimbja, si shtohet, kulmohet, si vdiqet, humbet, mandej rilindet prej hiçit, e gatshme për ta rijetuar edhe një herë prej fillimit. Ajo këtë skenë e ka jetuar me dhjetëra, qindra herë. Prandaj është i vështirë interpretimi. Sepse shpirti e di mirë skenarin, dhimbja e shndërron dalngadalë:

më mbrojnë prej njerzve të mirë
Dhembja t'ban shpirtvogël nganjiherë
Butësinë ma ndryjnë me shtatë dryna n'shtatë ditë t'javës
Zanin që m' asht shtyp me shekuj errësie
Nuk m'lajnë pa të me jetue
I lanë vetëm gjanat e kqija mëngjeseve mbijetue
I zmadhojnë fajet e vockla prej njeriu, kërkim faljen n'fyt ma lanë
Mbetjet e fundit prej meje që dashunia jonë i la.
Honit po lshohem ngadalë
Pavrejtshëm me u shu.

Leximi i tretë

Çfarë është dhimbja e humbjes? Çfarë e bën humbjen kaq të dhimbshme? Është e çuditshme që e vuajmë kaq shumë humbjen e dashurisë, kur e dimë nga fillimi se gjithshka shkon drejt humbjes. Të gjithë shkojmë drejt vdekjes, çdo dashuri shkon drejt fundit.

A thua sepse humbja e dashurisë na e kujton pafuqinë tonë, na bën të ndihemi kaq të pafuqishëm. Aty ku dashuria na mbush me shpresë, na e mbush botën me njerëz, aty humbja na shkreton, na kthen në vetminë e fillimit të jetës, në pafuqinë e fatit tonë. Por a e bën dhimbja njeriun njeri?

Apo dhimbja e shkatërron njeriun brenda nesh, na shndërron në qenie te mllefosura, të hidhura, që brejnë veten. Gërryejmë veten me sqepin e futur përbrenda ose shkatërrojmë botën, hedhim njerëzimin në erë. Dhimbja është një bombë me sahat. A ka shpresë në honin e humbjes? A ka fund ky hon?

Leximi i katërt

Korba unë!
Korba unë!
Korba unë!



Saturday, October 22, 2016

Arlinda Brühl: Mjaltë and the city




Unë do të vdes në një banesë të bukur, të ngrohtë, të rehatshme dhe me ngjyra të këndshme. Askush nuk do ta marrë vesh. Unë nuk telefonoj me njerëzit -pothuajse fare. Ose i kontaktoj me e-mail, fb ose sms përpara se të takohem me ta. Askush nuk do ta marrë vesh po të ndodhë. Nuk punoj rregullisht, në universitet kam shumë pak gjëra për të bërë, s'kam detyrime të këtilla. Kam lënë takim me time bijë për nesër, por ka mundësi që asaj t'i dalë ndonjë punë dhe nuk vjen. Më dërgon një mesazh për të thënë që s'vjen dot, siç bëri sot. Edhe po nuk iu përgjigja, asaj do t'i duket normale sepse unë shpesh nuk përgjigjem direkt. E shumta e shumta, të mërkurën mund të merret vesh, se kam lënë takim me Lenën që të luajmë shah. Po deri atëherë si do të bëjë i vogli im? Ai s'do të arrijë të hapë dot dritaret, që të paktën të thërrasë për ndihmë - ato janë të mbyllura me çelës për arsye sigurie - dhe kjo është më së e nevojshme në rastin tonë. Dera e banesës është e mbyllur po ashtu me çelës dhe çelësin e kam fshehur diku lart që ai mos ta arrije. O Perëndi! Sa tmerr më duket tani ky informacion trivial nga interneti!! Në Gjermani vdiskan çdo vit 40 vetë nga një pickim idiot blete?! Vdekja ime nuk më ka trembur kurrë, veçse jam e ndërgjegjshme që jeta ime ka vlerë - shumë, më shumë se ç'do të doja unë. Jetën time dhe vlerën e saj e kam matur gjithmonë me njerëzit që më rrethonin ose vareshin nga unë. Dhe nga jeta ime varen njerëz, njerëz të vegjël! Është për hir të tyre që jetoj një jetë kaq të shëndetshme edhe atëherë kur nuk më pëlqen. Po në këtë pikë gjërat më kanë dalë jashtë kontrollit. Ah sikur ta kisha këtu të paktën 9 - vjeçarin tim! I vogli do të çohej në mëngjes e do të thoshte: "Vëllai, mami ka vdekur!" I madhi do t´i përgjigjej gjoja i qetë: “Mos ki frikë, se vetëm mami jonë nuk vdes, ti e di se sa e fortë është ajo! Po mbulohu mirë se është ftohtë, une po iki pak në banjo.“ Do të bënte sikur do të shkonte në banjo dhe në majë të gishtave do të futej në dhomën në të cilën fle unë me Diellin tim të vogël. Po ai sot nuk është këtu dhe s'ka për të qenë një javë komplet. Dhe ja që bleta e mallkuar me pickoi pikërisht mua pasi iku ai. (Jo se jam alergjike...po thjesht tani që e di ç´mund të ndodhë...)
Pyes veten se ç´dreqo jete është kjo? S'bëhet fjalë për të pasur në shtëpi një "burrë" për t'u ndjerë e plotë, por një të rritur tjetër që të sheh po të sëmuresh, që të sjell një gotë ujë, që, që, që ose një që mund të ndihmojë një 4 vjeçar të paktën dreqi ta hajë... Krevati nuk më mban më. I kam harruar dhimbjet. Çohem dhe së pari hap derën e banesës. Ai do të mund të dalë nga shtëpia të paktën. Shkoj në frigorifer dhe bëj gati diçka për të ngrënë që një fëmijë në moshën e tij mund ta hajë vetë, ashtu pa ndihmë. Mbush kanën me ujë dhe e rivendos në tavolinë pranë gotës së tij të vockël që e mbush plot. Kam frikë. Frika më kacavirret si gjarpër ne trup. I shkruaj një mesazh sime bije që të më marrë në telefon të nesërmen patjetër. Duhet ta bëja më shpesh këtë. Kjo lloj paranoje nuk më pëlqeka.

Tuesday, October 11, 2016

Entela Tabaku : Një mbrëmje në duart e Arditës



Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në koncert me vajzën. Ti e di, me pasë një vajzë14-vjeçe, mosha kur shoqërimi me shoqet ose vetmia e dhomës janë pikësynimet e ditës, do me thënë se një koncert së bashku është ngjarje. 


Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në një recital klasik. Më duket se vitet e fundit nuk kam bërë tjetër veç kam qenë në festivale fëmijësh, koncerte në shkollë, koncertet e tim biri, koncerte miqsh, koncertet e krishtlindjeve në Opera. Por recital, ah sa më ka marrë malli për një recital!


Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në recitalin e një shqiptareje në Stokholm. Dhe ti e di si identifikohesh me të gjithë shqiptarët kur jeton jashtë. Nëse i përmendin në gazetë për vjedhje a vrasje, të vjen me u fshehë e me qa dikund. Nëse i përmendin për suksese, të vjen me i thënë gjithë botës: ej, jam shqiptare. Sonte jam shqiptare. Salla e Pallatit Mbretëror mbretërohet nga shqipja sonte. Njerëz të bukur e të mirë që u shkëlqejnë sytë: ej, jemi shqiptarë. 


Dhe Ardita Statovci hyn. Dhe mua më lë zemra. Nuk e mbaja mend kaq të imët, kaq të brishtë, kaq të re, kaq kristaline. I hedh një sy programit dhe e ndiej si ngrij. Një insikt mëmësor më shtyn të çohem, ta marr përdore, t’u kërkoj falje të pranishmëve dhe të ikim diku, sa pa u koritë. Një insikt shqiptareje më shtyn të strukem në stol dhe të pendohem që erdha: kjo ka me na koritë. 


Dhe Ardita buzëqesh dhe nis e luan menjehere pjesën e pestë të suitës “Tombeau de Couperin”, Menuet, të Ravelit. Kësaj ia del ajo, mendoj, në notat e para. Më kujtohet nga shkolla se nuk mbahej si pjesë aq e vështirë. E shkruar për shokët e rënë të kompozitorit, është megjithatë një pjesë që mbart nota optimizmi. Është Iberia që më mban pezull, që më shtyn të kontrolloj daljet. Nga e gjithë kjo marramendje më zgjojnë duartrokitjet e para. Asgjë nuk kam dëgjuar unë.

E shoh vajzën me bisht të syrit dhe ajo i ka tiparet krejt të zbutura, siç i zbuten asaj kur i pëlqen shumë diçka. “Mblidhe veten”- i them vetes, “tashti është Mozart, Ardita duket si e krijuar për Mozart”. Sonata në C-dur. Edhe këta që nuk shkruajnë me nota muzikore, por me shkronja. Çfarë ishte C edhe një herë, “do”, po “do maxhor”. Lëmsh, lëmsh. Por Ardita luan kaq shpengueshëm, pa partiturë gjatë gjithë koncertit. Në fakt është argëtuese ta ndjekësh live kur luan. Ajo pianoja e madhe duket si kafshë shtëpiake që i përkëdhelet dhe i përshtatet lojës së saj. Andante cantabile është një bekim për veshin, tashti jam shkrirë krejt dhe e ndiej si më zbuten tiparet edhe mua. Salla është bërë piano, të gjithë janë bërë taste pianoje dhe ajo luan e qeshur me ne. Në Allegretto të gjithë buzëqeshin, është pak gudulisëse loja e saj, në fakt.
Duart, më thotë vajza, shihja duart. Jemi në radhën e katërt dhe më duhet të zgjatem t’ia shoh duart Arditës. Nuk më besohet se është ajo që po luan, thotë vajza, ato duar kaq të holla. Dhe atëherë e kuptoj se jam krejt në duart e Arditës. Kur salla mbushet me tingujt e Lisztit, nuk është më një person i ri dhe i imët që luan. Një shpirt i madh me duar virtuoze e ka kapë pianon dhe tund dhe e shkund në ajër. Është një përjetim shumë fizik, kur mbaron jam pa frymë, athua se jam unë pianoja. Pauzë, thotë Ardita, hera e parë që flet. Por më perpara do ju tregoj për atë që do të luaj ne pjesën e dytë, Dutillex, Sonate pour piano. Krejt i panjohur per mua, mezi që më pritet sa të mbarojë pauza.  

Dhe Ardita Statovci hyn. Dhe mua më vlon zemra. Tashmë jemi thellë, jemi në det të hapur. Një shpirt i fuqishëm na i fryn velave e na i shtyn anijet përpara, fjala e Arditës para pauzës se ka shpresë: në atë dëshpërim ka me u ndezë një dritë shprese. Dhe mandej të gjithë e shohim atë far. Dhe marrim frymë thelle. Vetëm Ardita dihat, me vështrimin ende të papërqendruar.

Sonte është një mbrëmje e vecantë. Hëna varet në qiellin e Stokholmit si një poezi e kohëve të vjetra. Unë shkoj dorë për dorë me time bijë. Të dyja ende në duart e një artisteje të madhe, Arditës.


Ardita Statovci


Koncerti recital i Ardita Statovcit në Stokholm u dha më 20 shtator 2016

Wednesday, September 7, 2016

"Unë që s’di me e shkrue poezinë"



Gjithmonë kam kërkue me shkrue poezinë ma të mirë të vedit, të paktën nji, që me më lanë të njëjtën shije përherë. Fakti asht që unë kam dështue dhe e kam qetsue vedin me argumentet, se unë di me e jetue poezinë, me kenë brenda saj, herë pa e kërkue, e herë tuej e kërkue, herë pa e kuptue, e shpesh me kenë e ndërgjegjshme se sa e bukur asht me e jetue, se sa me e shkrue, përfundimisht s’di me e shkrue.

Tanë këtë e shkruajta për me tregue se si e jetova nji nga poezitë ma të gjata që kam kenë ndonjiherë.

Me 5 gusht, pasi disa mijëra kilometrash shkuemje e ardhje në jug të Francës, ndërmorra udhëtimin tem, si fillim poezie. Para meje si sfidë, ishin rreth njimijë e nandëqind kilometra, thuajse gjysa e Europës dhe nji pjesë e mirë e vendeve që lagen nga deti Adriatik. Kilometrat e para nisen me frikën nëse mundem me e ba, nëse di me e jetue nji udhëtim, vetëm në timon, vetëm me vajzat. Ma vonë, shumë ma vonë, ndoshta kur horizonti u hap e dielli shkëlqeu, e kësaj panorame i shtohen pamje të mrekullueshme të natyrave e klimave të ndryshme, atëherë e kupton që po e jeton poezinë deri në detajet ma të vogla të saj. Gjatë orëve të udhëtimit, kryesisht natën, atëherë kur nuk shifshe gja tjetër vetëm autostrada të pafundme, e kur vajzat flenin gjumë në sediljen mbrapa, gjatë ndaljeve nëpër parkinget e pushimit, e kur gjumi nuk më zinte si pasojë e nji frike të brendshme se isha vetëm diku e në askund, më vinin në vesh fjalët e mikeve të mia që më kishin thanë ‘mos e merr vetëm atë rrugë se je me vajzat, nëse s’mendon për vedi, mendo për vajzat’…

Ishte e vështirë me u jetue strofa e poezisë deri në Salzburg të Austrisë. Isha rreth dymbëdhjetë orë në timon, isha ndalë pothuajse tre herë dhe kisha arritë me fjetë rreth dhjetë minuta e me shkue në banjo nja pesë herë. Në hymje të Salzburgut, pikërisht në vendin ku e shef qytetin në plllambën e dorës, u bllokuam prej trafikut, ishte e shtunë nadje gjermanët e austriakët ishin nisë për me kalue fundjavën në alpet austriake. Binte shi i hollë, ishte ftoftë, re të zeza pis, të tana bashkë mbi shpitë e rrugët e qytetit e gati me u shkarkue e në mes nji gropë e madhe, që mundej me thithë gjithçka çka kishte përreth, por jo, ishte dielli i vogël që dukej, ishte aty si dashni, si marrje fryme dhe e vetmja gja që dëshiron njeriu i lodhun asht me ndejtë, pa lëvizë as ai e as lindja.

Pjesa ma e madhe e Austrisë ne të trijave na kaloi duke u mahnitë ; pas çdo kthese ; pas çdo dalje tuneli, natyra ishte e pikturueme nga andrrat, duert e tyne i kishin dhanë shpirt atyne pyjeve, luginave, livadheve, thepinave, shpijave. ‘Mos më bani me kthye kryet vajza se jam tuej nisë makinën’, pas çdo kërkesës së tyne me i prekë qoftë me sy ata vende nga kalonte rruga. Ato të dyja mbrapa qeshnin, tregonin me gisht, merrnin frymë thellë prej bukurisë, fotografonin, jetonin edhe ato poezitë e atyne andrrave, hasë krejt padashtë ndër alpe. U ndalme në nji pikë pushimi austriake, nji pikë takimi e pushimi për tana gjuhët e botës, pimë ujë burimi të ftohtë akull, ishte pikë e randësishme turistike, në dimën duhej të kishte ma shumë njerz se në verë. Pushume, fjetme, hamë, morme forca për në rrugë prapë.

Pastaj rutinë rruge, tre kalime diku. E në nji pikë, secili kalim kishte inicialet e shtetit ku të çonte  ai që të fuste ma tej në Austri, ai për në Slloveni e tjetri për Itali. Kjo ishte pika treguese se po hyje në Sllloveni si dhe tuneli i pafund ‘Tuneli i karavaneve’. Pritje e gjatë për me kalue. 

Andej nga mbasditja, diku rreth orës katër a pesë pasdite mbërrijmë në nji pikë të naltë. Poshtë ujë pa fund, aty sipër nji zotni në nji kabinë të vogël, pasi të bante me provue venën, nëse të pëlqente mund edhe ta blije. E shërbeu venën në nji gotë të sapolame, e cila kishte pika uji. I thashë, se ‘vena nuk shërbehet kështu more zotni’. Gjithësesi e bleva. Por para se me ble venën u ndalme në disa stola që ishin vue përball humnerës së madhe, ku poshtë kishte veç ujë. E pyeta zotninë e dyqanit prej drunit ‘cili liqen asht ky zotni’…’jo moj zojë, ky asht Adriatiku’… Aty mendova me vedi ‘aty poshtë asht shpija jeme’. Adriatiku mes maleve e shkrepave dukej si liqen i pamatë dhe mushknitë morën përmasën e hapësinës që të kapte syni, pafund blu, pafund knaqsi, e pafund ajo shpi.

Nga natyra e pikturueme prej dorës së andrrave, me pak shkëputje, kalueme n’andrra. Duhet me i dhanë vedit forcë me përshkue rrugë e me shkue në vendin që duhej t’kishim kenë shumë kohë ma parë, Zadar. Po afrohej nata lodhja e pagjumësia po bante punën e vet, ndërkohë që në disa pjesë rruge ishte nji erë e fortë, e cila kërkonte përqendrim maksimal në timon. Vajza e vogël ishte në kokërr të gjumit mbrapa, ndërsa e madhja, Zara ishte shtri para. Po shifnim tabelën e Zadarit, edhe njiqind kilometra, edhe nandëdhjetë, diku, te rreth shtatëdhjetë kilometra, por rrugës për atje, nji tabelë e madhe, e shkrueme me blu, të ftonte me hy në qytetin ‘Udbina’. Kena qeshë të dyja kur e lexume.

Pa hy në Zadar edhe vajzën e madhe e zuni gjumi. Më kishte mposhtë lodhja, s’isha ma e zonja ; isha në ata rreshta poezie që duhet me i lexue rrallë ; por Zadari ja edhe pak asht. Në mesnatë mbërritme në qytetin e lashtë kroat, pa asnji adresë, pa asnji kontakt, pa asgja, vetëm me makinë dhe me nji lutje të madhe ; ishalla gjejmë nji vend për me ba nji dush e me fjetë. Në qendër, aty ku vlonte muzika nëpër lokale donin me ditë nëse kisha ba rezervim, sepse verë, Zadari ishte shpallë si pika turistike ma e mirë e Kroacisë për 2016, e kështu që kuptohet vetë që s’kishte vende. Zara u zgjue. Ndërsa kërkoja qoftë edhe për shërbimet private ‘rooms’, s’po gjeja gja ora po shkonte rreth 01 e mëngjesit. Dikur i thashë sime bije, 'nëse s’gjejmë dhomë, e parkojmë makinën diku e flejmë' ; çfarë natet ishte për me fjetë jashtë, aty deti dhe era nuk të rrihte, ma shumë të ledhatonte, e kështu mund të flije shumë mirë qoftë edhe në stolat e parkut. Gjysëm ore ma vonë, ja në nji cep të nji porti të vogël jahtesh gjetëm dhomë në nji hostel. Deri edhe Jutbina u zgjue nga qejfi se atë natë s’kishim me fjetë në makinë dhe për ma tepër kishim me ba dush. Në 2 të asaj dite, tre veta nisë prej France për me gjetë diku në qytetin antik emnin, ‘Zara, piazza del signore’ me aromën e detit përhapë në tanë trupin, fjetëm mirë, fjetëm si ata njerzit që sapo kanë fitue diçka.

Rinisja për në brigjet e tjera të Adriatikut u ba pas dymbëdhjetë orësh. Meqë ishte ditë, vajzat shikonin detin dhe e përcillnin me sy GPS, që tregonte se ishte e gjithë ajo trajektore rruge vetëm ngjitë me detin, herë ngjiteshim njiqind e pesëdhjetë metra mbi nivelin e detit, por tuej e pasë detin nën sy e herë uleshim në nji nivel me detin, tuej e pasë atë në sy. Pak pa hy në Dubrovnik, u ndalëm të nji fshat i vogël, Zaton. Lamë faqet e u freskuem me ujë deti, që përplasej tanë muzikë ndër brigjet e gurta

Të njëjtën muzikë dëgjueme në darkë vonë, kur nji traget i vogël na kaloi nga njeni breg në tjetrin në Tivar. Aty na doli gjumi e na iku lodhja se edhe hana e era i shtunen këtij spektakli të shkurtë tingujt e tyne dhe u ba kështu nji shfaqje e madhe, me spektatorë njerzit, që duken aq të dishruemë me arritë gjysmën e prefeksionit të atyne tingujve e të asaj natyre.

Na të trija ia dolëm.

Nji nga poezitë e bukura që kishte dashtë me shkrue asht kjo rrugë, por s’e baj dot, unë di me e jetue, e s’kam për të ditë asnjiherë me e vargue Asnji rrugë ma parë s’më ka ba me kuptue shumë gjana të jetës e të vedit sa kjo rrugë e kësaj vere. E kështu gjithmonë kam me kenë në rrugë, tuej ngushtue largësinë për me e jetue nji poezi tjetër e tuej e njoftë ma shumë vedin

 Gilmana Bushati
Zaton 2016


Tuesday, March 15, 2016

Valbona Bajrami: Feminizmi asht 'kafshore e madhe' për ne



Valbona Bajrami, aktiviste për të drejtat e grave, mendon se feminizmi ende nuk ka krijuar terrenin e tij ne shoqërinë shqiptare, pasi pjesa më e madhe e energjive është përqendruar pikërisht te mbrojtja e të drejtave të grave, të cilat shkelen përditë nga shoqëritë tona thellësisht patriarkale. Ajo mendon se sa i takon përdhunimit të grave nga paramilitarët serb, Serbia duhet të paditet në Hagë, ndërsa qeveria e Kosovës duhet t'u kërkojë atyre të falur, pasi i kanë dhunuar për së dyti me heshtjen e saj ndaj këtyre 20 mijë krimeve.




Zonja Bajrami, duke ndjekë herë pas here lëvizjet e ndryshme në mbrojtje të grave, them që ka përpjekje për me pasë një lëvizje, por një lëvizje të vërtetë feminizmi nuk ka. A është ky një këndvështrimi im i gabuar, pse dhe cilët janë argumentet?
Pyetje paksa komplekse kjo, për të dhënë përgjigje konkrete. Fakt që ka përpjekje të ndryshme për mbrojtje ose avokim për të drejta të grave, lëvizje të cilat kategorizohen aktivistët, dhe jo domosdoshmërisht mund të quhet lëvizje feministe. Edhe pse të dy ideologjitë ose veprimtaritë kanë shumë ngjashmëri, ekziston një dallim mes tyre. Të jesh aktivist i të drejtave të grave, mund të avokosh për problemet specifike të grave, pa u identifikuar si aktivist i lëvizjes ideologjike të feminizmit gjithëpërfshirës. Ndërkaq, sa i përket teorive feministe ekzistojnë ide të ndryshme se çka e përcakton barazinë gjinore. Si ta zëmë, nëse gjinia asht konstruksion social, pastaj vjen njohja e më shumë se pesëdhjetë identiteteve gjinore që perëndimi ka tendencë për t’i njohur, ku do t’i përmend vetëm disa: androgjenik, transgjinor, aseksual, poligjendrik, neutroisetj. Si kornizë e aktivizmit për të drejta të grave hynë mbrojtja fizike dhe siguria e grave, mirënjohja e rolit të gruas në shoqëri, respekti, liria e fjalës – kategori këto që shumica e institucioneve shqiptare apo aktivistëve individual avokojnë për fenomenet e lartpërmendura. 
Për dallim me feminizmin, ku gratë nuk kanë pritshmëri të respektit vetëm pse janë gra, apo vajzat të kërkojnë mbrojtje nga babai. Duke marrë për bazë problemet e grave në shoqërinë shqiptare, duke filluar që nga familja, organizatat qeveritare dhe përfshirja e grave në sektorin shtetëror, them se shumica e aktivistëve janë fokusuar për avokim të të drejtave të grave. 
Shumica e aktiviteteve që mbahen në Kosovë, dhe me aq sa jam e informuar nëpërmes mediave për gjendjen në Shqipëri dhe Maqedoni, fokusohen në avokim, ku pjesëmarrja shumicë janë gra, përveç aktiviteteve ku përfshihen mosha më të reja. Paçka se ekziston dëshira, dhe bukurshpesh aktivistët identifikohen si feminist/e, kjo shpesh varet nga gjendja që hasë në terren. Feminizmi përkrahet nga aktivistë të ndryshëm, por veprimtaria e tyre i përgjigjet më shumë avokimit për të drejta të grave. Sigurisht që ky asht vetëm këndvështrimi im.

Po veten tuaj si e konsideroni, feministe apo aktiviste?

Do ndërlidhesha si thashë më lart. Meqë problemet e grave në shoqërinë shqiptare janë të shumëfishta, veten e konsideroj si aktiviste. Për gjendjen ku jemi, e them figurativisht, se feminizmi asht “kafshore e madhe”. Njohja e një pjese të literaturës feministe nga aktivistë individual, nuk asht se ndikon shumë në gjendjen ku ne ndodhemi në shoqëri, pa ndërhyrë në realitet.

Cilat janë ndryshimet mes mos organizimit të grave dhe mospërfaqësimit të tyre?

Gjithçka varet nga nevojat që kanë gratë dhe interesat që u përgjigjen atyre. Kjo nuk e bën dikë më profeminist se tjetrin. Ta zamë, si hap fillestar për mua ka rëndësi mirëqenia e grave, përfshirja e tyre në vendimmarje, duke filluar nga familja deri te institucionet publike, apo thënë ndryshe, thyerja e zinxhirëve dhe barrierave që janë vendosur nga burrat. 
Ndërkaq, ka aktivistë të cilët kanë prioritete tjera, si pranimin e paraqitjes së individit, që bukurshpesh kritikohet bazuar në norma tradicionale, ku si ilustrim do përmendja pranimin e paraqitjes fizike. Prandaj mendoj, se prioritetet dallojnë, gjë që jo rrallë tema të ndryshme nxisin debate, deri te mos bashkëpunimi. Meqë me profesion jam punëtore sociale, ndoshta kjo ka ndikuar që të fokusohem më shumë te feminizmi socialist teorik, gjegjësisht; rolin e kapitalizmit që shtyp gratë dhe feminizmi radikal që trajton rolet gjinore në sistemin patriarkal. Pra, bërthama, në teori, asht mëse e qartë, por zbatimi në terren është më kompleks, sepse shoqëria shqiptare përballet me dy sistemet; patriarkalizmin dhe kapitalizmin. 
Organizmi i grave varet nga mundësitë e dhëna, apo kushtet që vëndosin hierarkitë më të larta, që zakonisht janë burra. Nga të dhënat demografike faktet flasin, se numri i grave është më i madh, por përfshirja në institucione asht në disbalancë drastike. Në shoqërinë shqiptare grave nuk i’u jepet as mundësi egalitariane, lëre më të  flitet për lëvizje feministe.  
Mospërfaqsimi asht fenomen që prap nuk varet nga gratë, sepse bazuar në kushte të dhëna, gratë detyrohen të jenë rivale për promovim. Apo thënë më thjeshtë, më shumë cilësi dhe kritere kërkohen kur për një vend pune aplikojnë 70 për qind gra e 30 për qind burra – kjo bazuar në përfshirjen aktuale të grave në institucione qeveritare.

Cilat janë mekanizmat lëvizës që një lëvizje e vërtetë feministe të ketë sukses në shoqëri?

Them se çelësi asht edukimi. Prap, në viset shqiptare për shkak të gjendjes ekonomike, familjet i japin prioritet për shkollim djemve. Do të thotë, se si faktorë negativ ndikon kapitali dhe patriarkati, fenomene të cilat trajtohen nga feminizmi socialist. Pastaj, animi nga feminizmi gjeografik ku zonat rurale janë në disfavor, ndoshta edhe nga vetë mbrojtësit e të drejtave të njeriut. 
Mekanizëm tjetër lëvizës mund të konsiderohet edhe kultura, ku ta zëmë një individ që asht socializuar në zonat rurale, kur fillon edukimin në zonat urbane hasë në vështirësi të integrimit, ku edhe shpesh herë nuk pranohet nga individët që janë socializuar në zonat urbane. Pastaj, janë normat kulturore të cilat në shoqëri homogjene asht bukur e vështirë të thyhen, sepse hasin përkrahje në masë. 
Ndërsa bazuar në studime, mekanizma bazë për të thyer rregullat e së drejtës në patriarkat, konsiderohet heteronomia. Pastaj kërkohet thyerja e barrierave në punë apo sfidë ndaj hierarkive dhe rregullat e identitetit, ku bën pjesë hegjemonia – të gjitha këto mekanizma janë studiuar në hollësi nga autoria Elisabeth Prugl.

Shoqëritë tona janë thellësisht patriarkale, cila mund të jetë pika e kthesës që këto shoqni ta kuptojnë e ta vlerësojnë gruan si bashkëformuese të shoqnisë?

Në shoqërinë shqiptare patriarkati asht asimiluar edhe si format i kulturës, ku jo rrallë edhe një pjesë e popullit mburret me këtë lloj kulture, duke këmbëngulë, se janë norma shqiptare. 
Thyerja e disa normave patriarkale mund të fillojë nga aspekti biologjik, ku aktet që konsiderohen si turp, mund të shfaqen publikisht. 
Këtu mund të marr shembull të thjeshtë ciklin menstrual. Shpesh gratë dhe vajzat turpërohen të flasin hapur brenda familjes duke thënë se ndjehen mirë, kur në fakt janë me dhimbje. Pastaj mund të jetë të ushqyerit me gji në publik, jo vetëm si notë proteste, por si akt normal. 
Ndërkaq, nga ana teorike për të diskutuar historikun e grave në viset shqiptare, si përkujtim i diskriminimit që iu asht bërë ndër vite – temë kjo që asht e vështirë t’i dilet deri në fund. Në ambiente shoqërore mund të nxiten debate, duke informuar se nevojat dhe dëshirat e grave janë po të njëtat si të burrave, vetëm se liria e shprehjes ju mungon. Shkolla me orë edukative për të drejta të barabarta do të ishin faktor kyç për efekte afatgjata, punëtori, projekte, apo klube që ofrojnë aktivitete dhe informacione për efekte anësore negative të patriarkatit. 
Mos të harrojmë që patriarkati asht i theksuar edhe te gratë, zakonisht ato të cilat kanë pretendime pushteti, ku i tërë procesi varet nga burrat, andaj edhe pranojne të jenë abuzuese ose diskriminuese ndaj grave për të arritur qëllimet e tyre.

Politika ka abuzuar dhe do të vazhdojë të abuzojë me figurën e gruas, ndoshta më shumë se sa kronikat rozë, kush duhet ta ndryshojë këtë realitet?

Asht fakt që politika shqiptare, ku shumica janë burra, ka abuzuar me mirëqenien e gruas, duke mos anashkaluar as gratë që janë në politikë. Por, siç jemi në dijeni, shumica e grave që janë të përfshira në politikë, janë tërësisht të varura nga hierarkitë e burrave për vendimmarrje, jo sepse ato duan të jenë pjesë e vendimeve për të diskriminuar çështjet e grave, por në rast se nuk binden, zakonisht ndëshkohen nga subjektet politike. 
Formatin maskulist në politikë mund ta thyejë vetëm elektorati. Të bazohemi në premtime elektorale, mbase asht metodologji që nuk ka besueshmëri, duke u bazuar në premtimet e së kaluarës, shumica e të cilave nuk janë realizuar. Them, se nëse në mesin e individëve që synojnë Parlamentin, një pjeë e mirë e tyre janë marrë me respektimin e të drejtave të njeriut, janë angazhuar në sfidat e grave në veçanti, mund të jenë zgjedhja më adekuate për kthesë dhe do të zvogëlonte hendekut gjinorë në politikë.  
Gjithashtu, një rol të rëndësishëm luan edhe kritika nga ana e shoqërisë civile, që gëzojnë respekt për punën e kryejnë.

Zonja Bajrami a ka ndonjë manual ku të përcaktohet se çfarë është dhuna, cilat raste konsiderohen dhunë, pasi për shkak edhe të trraditës sonë, gratë nuk e kuptojnë që janë objekt dhune?

Ndoshta jo manual, por bazuar në hulumtime që janë bërë në terren, varësisht nga shkalla e dhunës që asht shfaqur në statistika, janë përpiluar broshura informative në lidhje me dhunën, dhe procesin e denoncimit. 
Për territorin e Maqedonisë dhe Shqipërisë, nuk asht se jam e mirëinformuar, por në Kosovë, OJQ-të që kanë si mision mbrojtjen e mirëqenies së grave, e sidomos “Rrjeti i Grupit të Grave”, zakonisht publikojnë statistikat dhe broshurat informuese, të cilat janë të hapura për publikun. Si informacion bazë në lidhje me dhunën që trajtohen në ligjerata ose broshura informuese janë: dhuna fizike, dhuna emocionale dhe verbale, dhuna ose kontrolli financiar, dhe përdhunimi.
Në SHBA si test shumë i thjeshtë dhe i kuptueshëm për çdo individ, që di të paktën shkrim dhe lexim, asht skica e vizatuar e rrethit të kontrollit psikologjik dhe faktorëve të dhunës. Zakonisht epiqendra është abuzuesi, pastaj radhiten kategoritë që shkencërisht konsiderohen si akte më të shpeshta të dhunës, ku bëjnë pjesë: kërcënimet direkte nga ana e agresorit, përdorimi i gjestikulacioneve apo mimikave të kontrollit, abuzimi ekonomik i të mirave materiale, përdorimi ose kërcënimi i braktisjes nëpërmjet fëmijëve, denimi i aktit të kryer të dhunës (agresori dënon dhunën e përdorur). 
Për më shumë, në këtë rreth hynë edhe izolimi dhe abuzimi emocional, përdorimi i privilegjeve të forcës fizike – të gjitha këto janë fenomene që zakonisht agresorët i përdorin për t'i ndjellë frikë viktimës. I gjithë ky proces merr kohë, që jo rrallë edhe vetë viktima mohon ekzistencën e dhunës, prandaj ndodhë që viktima të paragjykohet, se përse i ka duruar këto akte. Thënë figurativisht, asht proces i “shpërlarjes së trurit” për të menduar si agresori, ku shumë viktima binden se nuk meritojnë trajtim më të mirë se kaq.

Kush asht ndihma më e madhe që një grua mund t'i japë një gruaje tjetër?

Absolutisht, përkrahja pa paragjykime. Asht interesant, se aktivistët e hierarkive të larta shpesh kanë pritshmëri dhe kërkojnë shumë nga gratë që punësohen rishtas në një institucion, duke mos marrë për bazë se çdo fillim asht i vështirë, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Ka raste kur aktivistët e sektorit të mesëm e kryejnë shumicën e punës, por meritat i marrin gratë që kanë pozita më të larta.
Në një farë mënyre kjo i dekurajon vajzat apo gratë që japin maksimumin e tyre në punë. Asht etike dhe njerëzore që sado të jetë e suksesshme një punë, gratë e hierarkive më të larta duhet t'i japin kredibilitet punës së grave në sektorin e mesëm, sepse i nxit ato për punë të mëtejshme. 
Kur puna asht institucionale, natyrisht që meritat i merr institucioni, sepse puna asht ba në mënyrë kolektive, por jo rrallë dëgjojmë nëpër media që tërë punën dhe meritat i merr përsipër një aktivist. Kushdo ta kryejë punën, sa do e vogël të jetë ajo, asht shtytje që t’ju jepet kredibilitet grave që të ecin më tej. 
Madje, madje, mos të tingëlloj si e vrazhdë, por marrjen e meritave të tjerëve, e shoh si plagjiat, ose luftë trofesh, gjë që nuk i shërben kauzës për t'i ndihmuar gratë në përparimin e tyre profesional.

Ju keni eksperiencë si punonjëse sociale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i vështirë është ky profesion në Kosovë?

Formati i punës sociale në Kosovë asht krejt i ndryshëm nga ShBA-të. Edhe pse kritikët që merren me këtë profesion kanë konstatuar, se puna sociale asht më e vështirë të zbatohet në vende që ka diversitet shumë të theksuar, për mendimin tim thyerja e normave asht më e veshtirë ne shoqëritë homogjene, siç asht Kosova. Duhet të kemi parasysh se nuk asht vetëm ndihma që ofron një punëtor social, sa luan rol rrethi shoqëror për të ndihmuar një njeri në nevojë. 
Në ShBA, asht më e vështirë të përpilohet plani për ndërhyrje, pasi varet edhe se çfarë kulture i takon klienti, hulumtimi merr kohë për të përpiluar strategji konkrete. Ndërsa në Kosovë normat dhe vlerat janë pothuajse të njëjta, andaj një punëtor social e ka më të lehtë të kuptojë një fenomen të caktuarKëtë krahasim e kam diskutuar edhe me kolegët në Nju Jork, me të cilët mbaj kontakte, ku si fenomen i theksuar asht pikërisht mosdija e normave kulturore në raste të caktuara. 
Në ShBA pa marrë parasysh kohëgjatsinë në profesion, puntorët social përballen çdo ditë me “shok kultural” , gjë që konsumon energji për të përpiluar planin për ndërhyrje. Ndërkaq, sa i përket Kosovës, ndoshta ajo që vlen të theksohet asht se profesioni i punës sociale asht relativisht i ri, dhe nuk gëzon respekt të mjaftueshëm në shoqëri, duke mos marrë në konsideratë që vendi ka nevojë për ndërhyrje sociale. 
Kjo ka bërë që popullata të kërkojë ndihmë në objektet fetare, lexues fatesh, apo edhe manipulues, që gjoja zgjedhin problemet me shkop magjik. Në Kosovë janë hapur lloj-lloj institutesh, por me keqardhje një institut për punë sociale nuk ka, por nga të dhënnat e terrenit, bahet e qartë se shoqëria ka nevojë për ndihmë sociale, më shumë se çdo sferë tjetër.  

Ne në Shqipëri nuk duam të flasim ose flasim përciptazi për krimet e komunizmit, e njëjta gjë duket se ndodh edhe me krimin e përdhunimit të 20 mijë grave kosovare gjatë luftës. A nuk ju duket se dy shoqëritë tona me heshtje e rëndojnë këtë krim, duke mos e zbardhur, apo duke e lënë në qoshe të vëmendjes së tyre?
Në mes të dy fenomeneve shoh një dallim, krimet e kohës së komunizmit janë bërë nga vetë shqiptarët, ndërsa përdhunimet në Kosovë janë kryer nga paramilitarët serb. 
Sa i përket përdhunimeve, e kam theksuar edhe më parë, se nëse viktimat janë përdhunuar fizikisht, psikologjikisht janë dhunuar për herë të dytë nga vetë institucionet e Kosovës, duke marrë parasysh kohëgjatsinë e problemit. Paçka se ky fenomen asht shumë i dhimbshëm, normat patriarkale kanë vënë si prioritet krenarinë e tyre, duke insistuar ta varrosin këtë tragjedi. 
Për mendimin tim, Serbia duhet të paditet në Hagë, ndërsa Qeveritë e pas luftës e kanë për detyrim moral të kërkojnë falje publike ndaj kësaj kategorie, që për kaq kohë me dashje apo pa dashje i kanë diskriminuar. Mbase personalisht nuk jam ndonjë faktor të gjykoj këto fenomene, por nëse i referohemi studimeve botërore mbi moralin, kërkimfalja asht akt fisnik që i jep kredibilitet moralit njerëzor. Madje, mund të jetë barrierë edhe çështja e përceptimit të kodit moral, se si trajtohet në vendet në perëndim, dhe si nënkuptohet në kulturën shqiptare. 
Ndërkaq, për krimet e komunizmit në Shqipëri, prapë shoh normat patriarkale që ndikojnë të heshtin ndaj krimeve të kryera. Jo vetëm këto fenomene, por në shoqërinë shqiptare kontributi i grave asht diskriminuar edhe kur bëhet fjalë për lavdi, ku si shembull konkret janë ‘Gratë e Ilegales’, të cilat nuk janë vlerësuar me mirënjohje njësoj si burrat, që kanë dhënë të njëjtin kontribut, dhe shtatoret e memorialet e ngritura të japin përshtypje se në trojet shqiptare paskan dhënë kontribut vetëm burrat.
Si pikë kryesore së pari shoh luftën ndaj patriarkatit në të dy vendet, që janë zhvilluar me norma relativisht të ndryshme, edhe pse i takojmë një kombi. Deri diku arsyetohet, se kemi qenë vende të izoluara, por heshtja për krimet që kanë ndodhur nuk shërbejnë për socializim të shëndoshë të brezave  pasardhëse. Në këtë stad që jemi, shoqëria civile mund të jetë zëri kritik dhe përçues, në mes të shtresave në nevojë tek sistemet qeveritare.


Valbona Bajrami asht punëtore sociale me eksperiencë disavjeçare në ShBA. Ka punuar në organizatën jofitimprurëse YWCA, gjegjësisht si punëtore sociale në programin “Women As Defendants (WADS) -Therapy Group”. Veprimtaria e saj për të drejta të barabarta ka filluar në organizatën “Boys and Girls Club”, për të vazhduar eksperiencën aplikative duke qenë pjesë e projektit “Anna Frank”, dhe anëtare e përhershme e “UB society of feminists”. Në Kosovë asht aktive në projekte të ndryshme për të drejta e grave, dhe pjesmarrëse në aktivitete të ndryshme, që si mision kanë mirëqenien e grave.