Sunday, August 19, 2018
'për ku këto gra kështu'
nji zyrtare e lodhun të përcjell tanë nerva te zyrtari i shtetit tjetër. ka kalu mesi i natës e ndoshta për 'ta asht acaruese kalimi i kufinit n'at' orë aq të vonë. e ti gëzohesh që po kalon shpejt, s'ka radhë, procedura të shpejtume në nji doganë me nji ngrehinë si kioskë.
tuj i besu fort teknologjisë së drejtimit ndërmerr nji rrugë që fillon si të tjerat e vazhdon si asnji tjetër ma parë. me minuta udhëheq makinën në disa qendra banimi të harrueme. ka dy ose tre drita që ndriçojnë tek-tuk, banorë edhe ma pak, edhe nëse janë, janë në gjumë. po banesat janë aq të shkreta sa as gjumi s'besoj se i xen njeriun këtu. ec. e kupton që fillon e ngjitesh. asht mal, diku poshtë shef nji dritë të vockël që përplaset në ujë. paska ujë, por asht shumë poshtë, shumë. humnerë.
pastaj vjen momenti kur përballë ke veç dy situata që edhe kur i ke lexue të kanë rrenqethë, kur i ke pa edhe ma shumë, errsinë e shkretinë. jena në nji mal. i hy thellë e ma thellë. as drejtuesi teknologjik nuk na gjen ma. tensionit të ngritun tashmë i bashkohet marrja e frymës, frika, përgjegjësia se udhëton me fmi, ma e vogla tetë vjeç dhe s'ke as vend ku me u kthy mbrapsht. humnera na shoqnojnë gjithandej. më dalin djersë. pëshpëris fjalë në të cilat kuptohen tana pendimet marrë së bashku. shoqes në krah ia ndjej frikën, por nuk e shpreh, më jep kurajo, disi, dikur kena me ia dalë këtij mali të kërkundit.
kur kam kenë e vogël kam arritë me pa filma të frikshëm, por kam heqë dorë. kam mendu se jeta na përballë përditë me situata të frikshme, nuk kam nevojë për adrenalinë shtesë për me u rrënqethë e me më shku djersa përgjatë shtyllës kurrizore. kalojnë minuta të tana. rruga s'ka mbrojtesë, ka ndonjë tabelë tek tuk. nji dhelpën na e këput rrugën. ndërsa në kry më kalojnë tana skenaret e frikës teme, të re e të vjetër bashkë. pesha e nji papërgjegjshmërie të pashoqe e kalon edhe peshën e fajit dhe papritë bahem e paaftë me mendu. janë veç dy drita në atë mal. dritat e makinës.
asht nji pozicion gjeografik e situatë që s'mundem as me u dorëzue, veç dita ose qoftë edhe nji dritë kishte me më dhanë fort shpresë. marrim frymë randë. kena veç nji gëzim, vajzat flejnë të qeta në makinë.
dikur, bash në nji rrugë që zen veç nji makinë, shef dy drita përballë. duhet me ia liru se gjithandej humnerë e asgja e s'ka vend për dy. dhe ja, dy policë të nji vendi të huej, të shofin me çudi, kushedi kanë mendu 'ku shkojnë kta gra kështu'. mezi më del nga goja disa fjalë të ngatërrueme në gjuhë të huej. e pastaj përgjigja: 'na ndiq'.
shpresa vjen me dritën, edhe pse nata nuk na bani asgja. s'kishte hanë. por s'asht faji i saj, asht faji jem, i gjanave të dëgjueme për terrin e shkretinën, se çka ka ndodhë ndër netë të tilla, e mendjes teme që prodhon situata të frikshme, e ajo ma e frikshmja asht pamundësia për me ia dalë.
diku në mes të rrugës, pasi u çlirum nga makthet, unë e shoqja fillojmë me humorin e situatës. policia ndalon makinën. marrin nji djalë të ri, rreth pesëmbëdhjetë vjeç. nuk paskena humbë veç na. nuk duhej të kena humbë veç na qysh se ka ekzistue ajo rrugë. makina e policisë ndalet në nji rrugë, dalje për në rrugë kombëtare, polici më shpjegon sa larg jena prej vendit ku dona me shku.
jena qetsu. flasim për at' që shkoi, për frikën që na kishte marrë aq energji pozitive me i kthy në negative. kur kalojmë në nji qendër të madhe banimi, shoqja më thotë me u ulë me pushu, pasi kisha rreth tre orë e sa në timon. por jo, kishte shumë drita, shumë ndriçim. qetësia jeme kishte nevojë për nji gja tjetër.
në të dalë të Trebinjës mezi shohim nji tabelë mikëpritëse 'camping 100 m'. pas mëdyshjes se ku ishte hymja. duhej të ishte ora tre e natës.
hymë. bisedojmë. kthejmë makinën. futena brenda. vëmë çadrën. vëmë dyshekun. zoja e kampingut na ofron batanije. pak dritë kish. afër dëgjohej qartë nji rrjedhë uji. gjithçka u harru kur u rehatuem edhe ne të mëdhajat në shtrojet tona.
natën në Bosnje.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment