Monday, October 11, 2021

Dita e njimbëdhjetë e tetorit

 

Dita e njimbëdhjetë e tetorit

Duke ardhë me vajzat në shpi, po shihja vedin në xhamin e autobusit dhe më erdhi nji ide, si tip përkufizimit, që mundet me kenë edhe i gabum; ‘pass sanitare asht njisoj si nji armë që përdoret për me arritë paqen’.

Ka shumë vend me e zgjanu temën, sepse ka aq shumë histori e përzime me gjeopolitikë në ‘te saqë nuk dalin shumë fletë me e përpilu. Por me i ra shkurt ; nji autoritet shtetor vendos me armatosë popullin, e këtë armë ai me e përdorë për me fitu kundër nji anmikut të përbashkët, në këtë rast epidemia dhe në mesin e nji mizërie mendimesh e opinionesh të ndryshme, me e pranu si të mirëqenë armën e anë të saj, autoriteti ka parashiku gjetjen e paqes fizike, pra fitimin kundër sëmundjes dhe paqen sociale e shpirtnore, ndamjes në kategori njerzit pro dhe kundër armës.

Po me armë a asht fitu gja deri më sot veçse pasurimi i pronarit të fabrikës së armëve? Kisha dashtë me ditë në fakt se çka mendon pronari i fabrikës së bombave për paqen? Po aleancat ushtarake çka mendojnë për paqen sociale e shpirtnore? Kisha dashtë me ditë fuqitë e mëdha ekonomike, që nji përqindje të mirë e të kenunit ‘fuqi’ e kanë prej prodhimit të armëve, çka kuptojnë me paqen fizike?

Të tana këto pytje janë ironike, deri diku edhe jashtë realitetit, unë jam dashakeqëse. Autoriteti, apo strukturat që përmenda ma sipër, kanë batalionin e vet të historianëve, të opinionistëve, të shkrimtarëve, të politikanëve, të partive, të lobistëve e të lobumëve, të njerzve të thjeshtë, i cili asht gjithmonë në funksionin, duhet miell për mullinin, ai nuk duhet me u ndalë asesi, sepse mbesin njerzit pa bukë. Përgjigjet e tyne i kam shënu me vija të kuqe, gati tek të tana vlon cinizmi, jo ma si figurë letrare, por si armë, që të vret ty n’anën tjetër të rrugës, që ke dalë aty jo me luftu, po veç me lexu.


Monday, September 20, 2021

Dita e njizet e një, shtator

 

Dje ka kenë nji ditë e lodhshme shpirtnisht e moralisht për mu. Libri i Sapienzës, që edhe për pak e mbaroj, më ka hapë sytë për shumë gjana, më ka kthy përgjigje për paqartësitë e mia, që dikur i kam qujtë difekte të miat.

E pikërisht kur jam zgju, falë këtij ndërgjegjësimit, e kam pa vedin n’ambientin që nuk i përkas, por për shkak të jetës më duhet me kenë. E detyrimi për mu, ka kenë shumë herë i vështirë me u kalu, me u kapërdi e sidomos me u ba urë.

E dje në punë brenda dy veta brenda mejet grindeshin, duke më dhanë nji pamje të trishtë, të lodhun e tejet të largët për njerzit me të cilët punoj.

‘Dukesh e lodhun’ më tha nji kolege punet, ‘ke punu tanë ato orë, normal që je e lodhun’ . Si mundem me ia shpjegu asaj që nuk asht lodhja fizike që ma jep këtë pamje, por janë grindjet e shpeshta të atyne dyjave që kam brenda vedit që shpërfaqen kështu ? Sigurisht edhe ajo në mënyrën e saj e ka këtë luftë, por atje mes makinerive e në ambientin që të don me kenë makineri nuk mundesh me i hy këtij diskutimi.

Shkova herët në punë për me iu largu librit. Ai hapi nji luftë të ashpër mes dy njerzve që jetojnë bashkë në nji trup; e para thoshte, len gjithçka në moment e fillo nji jetë tjetër e atje jeto si të dush, pa ndonjë detyrim përkatës, pa ndonjë vend të caktum, pa qëllime, pa objektiva, thjeshtë jeto në nji vend larg, vetëm, mundësisht në natyrë e atje ke mundësi me lexu e shkru çka të dush, po prapë pa qëllim me u ba ma e dijshme apo me nji shkrim ma cilësor dhe e dyta; ajo me kambë në tokë, e cila e din se deri ku i shkojnë liritë, e din që duhet me kenë e pranishme për me i siguru vedit edhe vajzave jetën e përditshme, sepse ato kanë ende nevojë për ty, i ke marrë me i rritë vetë për me i dhanë shembullin se arrihet gjithçka tu luftu me vedin e ditën, vetëm se duhet me dhanë shumë gjana prej vedit. 

Pastaj ajo e para, thepe ajo, i thoshte kësaj të dytës, po kështu ti po i mëson mos me andërru, mos me u dashtë e mos me dashtë, nuk po i mëson se duhet me fluturu, duhet me ditë me i lanë tana gjanat mbrapa e me fillu prej së pari, kur kanë me e mësu këtë, prej kujt kanë me e mësu nëse ti nuk e ban hapin e parë vetë. 

I fitonte tana betejat e para, ishte ma e fortë 5kështu ka kenë në tana betejat, nuk kam si e harroj) ma argumentuse, ma fluturuse, ma andërruse, dashunonte ma shumë dje, të tana ftyrat e ambla dje i dukeshin te denja për ‘te me u dashunu, s’ka gja, për nji orë, dy ditë, tana ftyrat që kishin shprehje ishin të denja për dashninë e saj. Ndërkohw që tana ndjenjat e bukura i kalon nëpër mend të parës, e dyta shtynte karrocën dhe në mënyrë rigoroze bante punën e kërkume, biles me nji vullnet të papamë, kishte nevojë me e lodhë fizikisht të parën që me ia pré andrrat që ishte tu pa me sytë hapë. E vetmja strategji e saj. 

Nji nga andrrat që shifte dhe e dëshironte shumë ajo e para ishte nji shishe venë me pak gjana e pime në nji vend, ku bisedat nuk mbarojnë deri në mesnatë, e krejt rastësisht ‘nata e mirë’ mbaronte me nji përqafim të gjatë dhe nji puthje në cep të buzës. E kush kishte dëshirë me fjetë mbas kësaj. Ngaqë e para ishte shumë ma përpara dje me pushtime territoresh e dyta ishte gati tu ja plasë vajit, pasi i kishin ra tana muret me pasë mundësi me mbrojtë ditën ku ishte tu jetu. 

Gjenerale e ushtare e keqe kjo e dyta. Por ma në fund kur u panë përballë dhe kishte mbetë vetëm akti final e para e fali të dytën dhe i tha ‘ke të drejtë edhe ti me jetu kështu vogëlsisht, por mu mos guxo me më shpallë luftë, por më merr me të mirë, se vij prapë, e të sfidoj në duel dhe ti e din që sot se kush prej ne të dyjave ka me fitu’ Kur ajo e ktheu shpindën, se tashma atje në botën e vet, kishte dhanë shumë puthje të ambla e kishte shiju trupin e njeriut e këtu kishte fitu në luftë, pra kur u kthy fitimtare, e la të qetë me mbaru orarin e punës dhe me u thanë ‘natën e mirë kolegëve’.


Sunday, September 12, 2021

Dita e dymbëdhjetë e shtatorit


Sot bleva librin e Oriana Fallacit ‘La rage et Orgueil’. E bleva në një treg që organizohen këtu të dielave, ku njerzit shesin gjanat që kanë të tepërta, që nuk I përdorin ose objekte historike. Jam duke lexu Goliarda Sapienza ‘L’arte della gioia’, e nuk du me fillu libër tjetër para se me mbaru këtë, edhe pse kam shumë të tjerë para Fallacit. Jutbina I ka vu te pragu I dritares teme librat që duhet me I lexu. E fillova Fallacin sa për me pritë Zhulin, e cila kishte shku me marrë picat e porosituna. Dhe veç paragrafet e fillimit e hymjes së librit të Fallacit, më dhanën idenë edhe mu me shkru.

Ajo në këtë libër shkrun për ngjarjet e 2001 në Amerikë, por ajo që me shtyvi me shkru ishte fjala ‘heshtje’. Ishte kjo tragjedi që e bani atë me dalë nga heshtja. Edhe unë nuk duhet me heshtë, por me shkru, qoftë edhe mendimet e momentit. Kam kohë që du me iu rikthy shkrimit. Më ka mbetë përgjysë tregimi që kam fillu muj ma parë. Por dita, java e koha jeme asht tu kenë plot. Me angazhime punet e jetet. E kur mendoj nganjiherë që asnjena që përmenda ma sipër nuk kanë randësi para të shkrumit, sepse asht mënyrë shprehjeje, prapë shoh realitetin dhe kuptoj që secila prej pjesëve të jetës ka nevojë për praninë e dorën teme, e duhet me e pranu me vedin që të tana nuk bahen.

Në fakt kam heshtë me vedin përballë letrës së bardhë. Kjo asht heshtja ma e madhe në një situatë historike në të cilën po jetojmë. Nuk asht heshtja nëpër rrjetet sociale. Nga ajo kam vendosë vetë me heshtë dhe me I bojkotu deri nuk e di se çfarë kohet. Dhe bojktotimin e kam ba vetëm me nji ide të qartë; ‘më bajnë dam për shëndetin mendor dhe shpirtnor’. Ashtu siç kam bojkotu me lexu apo me dëgju lajme. Kjo prej shumë e shumë kohësh. Nuk e di sa vite ka që nuk ulem me pa nji edicion informativ nga fillimi deri në fund. Në asnjenen prej gjuhë që di.

Kam kenë pjesë e kësaj industrie, pra ‘informimin’, e kuptoj shumë mirë pse duhet me I ndejtë larg pjesës ma të madhe të saj, e kryesisht në këto situata. Deri tesh kam preferu me informu prej kanaleve të vogla, prej video intervistash të njerzve që janë të respektushëm në profesionin e tyne. Sidomos sa I përket situatës historike. Tu kërku pikërisht këtë kategori njerzish, që asht nji numër I vogël, gjen e lexon nji mori e marri njerzish, por që edhe mendimi I tyne më hyn në punë.

Në heshtjen teme përballë vedit e ditës, e kam pa jetën ndryshe, në tana kandet. Nuk asht se kam nxjerrë rezultate se si me I shpëtu këtij qarkut të madh që më rrethon, që ia di dobësitë e ia njoh vlerat, por prapë nuk jam e qartë mjaftushëm për me pa derën dhe me dalë. Sepse shpesh vjen kjo dëshira me dalë prej rendit.

Secili prej nesh e ka këtë qark dhe kryn ciklin e vet të rrotullimit, si puna e daljes e perëndimit të diellit, por ndryshe nga cikli I diellit dhe hanës,që asht nji rregull natyror I universit. Qarku që krijojmë na duket si bota që po ngremë, botë e re me ide e njerz që prodhojnë ide, por në fund të fundit duke mos e ndryshu, bahet nji botë me gardh e që prapë ai gardh na mërzitet e dona me I ikë. Ose ose, nëse e idealizojme shumë, por mos me e kriju këtë qark, asht e randësishme nji rend I ri botnor, për të cilin në fakt as kushtet shoqnore, politike e ekonomike nuk janë gati, biles as nuk e çojnë ndër mend, sidomos dy pjesët që na I kena ba të randësishme për jetën, politikën e ‘tyne’ dhe ‘lekun’ e tyne.

Për situatën aktuale duhet me I ra shkurt, se janë shumë gjana me u thanë. Dhe pse shpesh kam dyshimet e mia. Prandaj liria e njeriut asht e bukur se asht e mbushun me dyshime që vijnë tu e njohë përditë botën e njerzit dhe ban pytjet e veta me vedin ose edhe me të tjerët.

‘Monopolistët ekonomikë’ po përpiqen me shpëtu botën nga nji sëmundje me anë të nji vaksine të detyrushme, semundje e cila ma shumë se sa për monopolistë, ekonomistë, politikanë, staticien, gazetarë, nacionalistë, manipulator, propagandistë, editorialistë, ka nevojë për doktorin që din me e ba punën e vet.

Këta monopolistë, të cilët, po sipas statistikave të tyne, kanë dhjetëfishu fitimin në pak muj, vendosin rregulla politike për secilin vend, ku qeveritarët, që blehen e manipulohen shumë ma shpejt se sa njeriu I thjeshtë, vendosin heqjen e disa lirive për hir të shëndetit.

Për mu asht java e gjashtë që marr pjesë në manifestimet që organizohen kundër ‘pass sanitare’, pra nji dokument që duhet me e paraqitë në disa vende për me pasë mundësi me hy, restorante, kinema, stadium, etj. Asht nji aplikacion (edhe ky I shpikun dhe I realizum prej këtyne monopolistave) në të cilin ti duhet me e paraqitë se je I vaksinum me dy dosat e detyrushme ose ke ba testin për Covid dhe ke dalë negativ.

Para se me e miratu Bashkimi Europian nji nismë të tillë, ai kërkoi mendimin e qytetarëve me e shprehë në faqen e tyne. Nji kanal italian në aplikacionin Telegraf u kërkonte njerzve me dhanë mendimin e tyne për këtë nismë, të cilën me të drejtë, u qujt që atëherë si shkelje e të drejtave të njeriut, e sidomos të ‘sekretit mjekësorë’. Edhe unë pata shkru komentin tem të shkurtë, me nji lidhje poshtë, lidhja poshtë ishte Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Të nesërmen faqja e BE-së u mbyll për komentet, edhe pse nuk kishte respektu afatin kohor të mbajtjes së hapun të kësaj faqjeje. Arsyeja; thu ishte se BE ishte bombardu me komente negative për këtë nismë? Tesh që kjo nismë asht ba dekretore gati në pjesën ma të madhe të Europës e tu pa njerzit që janë në rrugë kundër këtij dekreti, me pasoja të randa për tana palët nëse nuk zbatohet, tham që për këtë punë edhe BE e ka mbyllë faqen e komenteve se nuk don me e pa realitetin në sy e tani duhet me e pa në rrugë, poshtë syve.

Nuk ka nji javë që ky ‘pass sanitare’ nuk asht I detyrushëm për ‘qendrat tregtare me mbi 20 mijë metra katrorë’. Pra, disa monopolistë e kanë kundështu këtë detyrim për hir të fitimit të tyne dhe kanë fitu me qeverinë.

Na që jena në rrugë, (qeveria dhe monopolistët e informacionit thonë 120 mijë), nuk jena as monopolistë, as qeveritarë, lekun e fitojmë me zori, informacionet I bajmë vetë, shëndetin e rujmë vetë, flejmë me merak për të ardhmen e fmive, pra na jena aty, jo vetëm për lirinë personale tonën, por të tanve. Pastaj edhe liria personale e 120 mijë vetave (nëse besojmë statistikat qeveritare) në nji shtet prej afro 70 milionë banorësh, nuk duhet me u anashkalu prej asnji pushteti, sepse pushtetet me baza demokratike, kanë marrë përsipër me respektu në mënyrë figurative të drejtën e fjalën e ‘minoriteteve’. Sigurisht që kjo asht ironi. Sepse në fakt, po sipas qeverisë jena 120 mijë, por nuk duhet me harru askush që mbrapa këtyne janë edhe të paktën dyfishi, sepse janë njerzit që nuk marrin pjesë për shumë arsy, njerzit që preferojnë heshtjen, njerzit që punojnë me kryulë e na mbështesin, por nuk dojnë me dalë hapë, janë njerzit që janë vaksinu në krejt ‘lirinë’ e tyne.

Manifestimi nuk asht ma punë shifrash, manifestimi asht shprehjeje që liria jonë ka nevojë me u mbrojtë, që liria tjetrit edhe pse I ndryshëm nga unë ka nevojë me u mbrojtë, por prapë prej meje e prej të tjerëve që marrin pjesë në manifestim. Manifestimi asht mënyrë edukimi për njerzit që marrin pjesë, për fmitë e tyne nëpër shpija, për njerzit që janë anës rrugës e nuk marrin pjesë, mënyrë motivimi për plakën që përshëndet me dorë prej dritares të ndonjë rruge nga ku kalojnë manifestuesit, mënyrë e shprehjes së mendimit për njerzit që të shohin prej dritares dhe nuk janë dakord me manifestuesit, mënyrë e qendresës para njerzve që pinë kafe lirshëm nëpër kafetë e qytetit, pikërisht në ato vende ku kërkohet patjetër ‘pass sanitare’. Në nji nga këto pjesmarrje kam arritë me I thanë vedit që ‘në Francë ke mundësi me hangër nji drekë me pamje nga protesta’.

Kaq për ditën e dymbëdhjetë të këtij shtatori, shpresoj që të më mbajë motivimi, pasi kam shumë gjana me shkru për me e ba me za heshtjen.


Sunday, May 2, 2021

Gilmane Bushati: Letër e hapun

 I nderum Zotni President i Republikës


Po Ju shkruj këtë letër ma shumë si dëshmi të kohës se sa keni me e lexu ndonjëherë. Pasi e para asht në shqip, Ju sigurisht që keni përkthyes të mirë të kësaj gjuhe për raste zyrtare, e jo për këtë rast dhe ai që ka me e marrë ndonjëherë inisiativën me e përkthy, duhet me kenë njohës i mirë i gegnishtes.


Në vitin 2019 jam ba një nga 67 milionë e 400 mijë qytetarët e këtij vendi dhe për këtë kam falenderu, vazhdoj me falenderu dhe kam me viju edhe në të ardhmen me falenderu Republikën dhe institucionet e saj.


Zotni President, keni që në marsin e kalum që keni marrë masa me ‘luftu’, këtë sëmundje mbarëbotnore. Që në fjalimin tuj të paharrushëm dhe që historia ka me e gjyku ma vonë, (edhe pse gjykime ka pasë edhe të nesërmen e tij dhe vazhdon me pasë) kam kenë në krahun e kësaj Republike dhe në krahun e 'luftës' që keni shpallë Ju, duke respektu çdo linjë të kësaj ‘lufte’, çdo direktivë të ‘gjeneralëve’ të kësaj lufte, deri te kapterri i fundit. Kam kenë ‘ushtar’ model dhe kam ndjekë tana ‘transhetë’ që Ju keni hapë që me kalu pa më kapë ‘anmiku’.


Nga kjo sëmundje mbarëbotnore, Zotni President, unë kam humbë njeriun ma të dashtun. Pikërisht kjo humbje dhe të kenunit ‘ushtar’ te llogoret e fundit (divani), unë kam fillu me ba pytjet e mia, si njeri i lirë i kësaj Republike, pasi kjo asht pjesë e devizës së saj ‘liberté’.


Pytjet e mia janë shtu me kalimin e kohës e mos marrja përgjigje në sa herë Ju, ose qeveritarët e kësaj Republike, kur keni dalë me informu për rezultatet e 'luftës', me kanë ba dyshuse. Ju e keni si kulturë shoqnore ‘asnjë pytje nuk asht e keqe’, prandaj vazhdoj e pys vedin dhe përpiqem me gjetë nëpër kanalet tuja përgjigje dhe prapë nuk i gjej dhe që unë e mbaj vedin për kërkuse të aftë.
 
Po i radhis disa pytje; ‘tu qenë me shëndet të plotë, pse duhet me u vaksinu me një ilaç, i cili nuk më garanton se nuk kam me u sëmurë prej virusit ?; kur marrim ilaçet në farmaci, brenda kutisë së ilaçit ka një fletë shpjeguse për efektet pozitive dhe negative të secilit prej tyne, (në shumë raste letra asht e shkrume në gjuhë të huja) dhe ky asht detyrim ligjor që një laborator apo biznes ilaçesh duhet me plotësu për me shitë ilaçet, për vaksinën e fundit mungon kjo fleta, pse ? A mos ndoshta imuniteti jem si i shumë të tjerëve, duhet me kenë pjesë e studimeve të shkencëtarëve, që me e arritë imunitetin kolektiv pikërisht tu shfrytëzu këtë pjesë shoqnijet dhe jo me infektu edhe këtë pjesë për me ulë nivelin e mbrojtjes të tanë shoqnisë ? Unë mundem ta kem kalu sëmundjen ose jo, pse para se me e ba vaksinën nuk i bajnë njerzve (si puna ime) një analizë gjakut, për me pa nëse ka kriju antitrupa dhe nëse i kam kriju, pse qenkam rrezik për të tjerët? Pse pashaporta shëndetsore bahet publike, kur ajo duhet me kenë sekret vetëm për individin dhe mjekun e tij ose trupën mjekësore, e cila ka si detyrim mbajtjen e këtij sekreti në respektim të betimit të Hipokratit? A mos ndoshta në një të ardhme të afërt edhe dosja jeme shëndetësore me tana detajet ka me u ba objekt i shkeljes së betimit të Hipokratit për arsye që Ju keni me kërku dhe parlamenti ka me i votu pa ju ba fjalën dysh, me idenë e 'shpëtimit të jetëve'?  

 

Dy vjet ma parë, m’u desht me ba vaksinën e hepatitit B, për me pasë mundësi për me ba një shtaz në një çerdhe dhe ilaçin e marrun në farmaci i kishte tana përshkrimet, tu fillu me faktin nëse kam tension të naltë, nëse jam shtatzanë, nëse kam këtë apo atë alergji, deri edhe ilaçet e mjeksisë alternative e kanë këtë detyrim, sepse e keni vendosë Ju, e jo ma një vaksinë për sëmundje kaq botnore e mortore, pse ? 

 

Asht e kotë me ba pytjet për maskën, ajo mundet me pasë efekt mbrojtjës në një vende që frekuentohen prej një numri të madh njerëzish, por ka efekt qesharak në mes të pyllit, në mal apo në vende me pak banorë.

 

Pse në një kohë të tillë shtetarët janë ba qesharakë dhe një pjesë e tyne dhe të pabesueshëm? Janë ba të tillë për njerzit që janë në linjën e parë të kësaj lufte, për mjekët dhe infermierët si dhe për njerzit që kërkojnë me ngulm kthimin në normalitet? në një farë kuptimi, janë palë të kundërta, (jo kundërshtare) e Ju në këtë mes vazhdoni rritni pabesueshmërinë ndaj tyne, kur duhet të ishit në krah të njenes? Ju keni punu fort tu vu në dispozicion të kësaj 'lufte' të gjithë arsenalin e mundshëm, po pse vazhdoni të humbni pikë në mbështetjen popullore? Tashma edhe një vendim normal për me u ndjekë, për hir të kësaj klime që keni kontribu fort me e vendosë, nuk respektohet. Imagjinoni Zotni President çfarë ndodh nëse zgjat shumë kjo klimë, në një të ardhme, të mos respektohen as gjanat ma themeltare të lirisë së njeriut dhe njerzit të veprojnë sipas instiktit të tyne, pa pasë frikë apo respekt për ligjin dhe institucionet e tij?
 
Besoj se Ju i keni marrë informacet nga zyra e shtypit për skeçet që bajnë humoristët për masat e deritanishme, prandaj asht e kotë me u zgjatë, pasi 'asht humori që ta zgjat jetën'. Kjo e fundit asht një shprehje popullore nga anët e mia, por nuk kam gjetë apo dëgju ende një shprehje të njëjtë për politikën e aq ma pak për vaksinat. 


Zotni President, para se me ardhë në këtë vend, kam kenë gazetare e të përditshmeve në Shqipni, dhe e di shumë mirë se çka don me thanë linjë editoriale e një gazete, pronarët e të cilës janë biznesmevë që mbahen me lugën e shtetit, falë tij dhe shteti i mban afër për nevojat e veta. Shkruj për shtetin si entitet, e jo vetëm për partinë politike që drejton shtetin. Kjo linjë editoriale ndryshonte brenda natës ose brenda orës, pasi pronarit për çështje burokracie, e shpesh herë për arsy konkurence, nuk i ishte miratu tenderi apo projekti nga qeveria e kështu e përdorte gazetën për çifte me gjujtë shumë ‘zogj’. E në momentin që ai e merrte atë që kishte kërku nga qeveria, e hiqte ‘çiften’ nga krahu, për me e lanë të mbushun aty afër për raste të tjera e për zogj të tjerë, por shteti e qeveria gjithmonë e merrnin mallin e tyne, 'politikën editoriale'. I njëjti mekanizëm fuksionon edhe për bizneset e fuqishme, me lobet e tyne në qeveri dhe pushtetin lokal. 

 

 
Në leximin e medias së këtij vendi Zotni President, realisht jam dëshpëru në disa raste, pasi kam konstatu, pothuajse të njëjtën sjellje, sigurisht me një nivel ma të naltë, por e njëjtë.  Nga shkrimet e kuptoje shumë mirë se kush ishte i pagum prej buxhetit të shtetit apo të bashkisë dhe kush ishte i pagum nga krahu i opozitës. Pikërisht në këtë vorbull të madhe informacionesh, m’asht dashtë, me mundë, (e nganjëherë tu dështu), me kërku përgjigjet e mia, në mediat që nuk kanë lidhje me pushtetet politike. (Asht e egër lufta për me kenë me identitet dhe i pavarun). 

 

E mbas çdo përgjigjejet, kam mendu për njeriun e dashtun temin, sikur të kishte kenë në këtë jetë me këtë ose me atë mjekim, ajo kishte me pasë shpëtu ; me këtë ose me atë procedurë ilaçes ajo kishte me pasë shpëtu ; sikur t’ia kishim ba këtë, ajo kishte me pasë kenë me ne. Por i jam përgjigjë edhe vedit, i jam përgjigjë sepse kam pasë nevojën me u ndje njësoj si ma parë dhe me eduku vajzat e mia tu ba pytje e mos me pasë frikë me i ba ato. 


Mendimi kundër nuk i ka ba keq një shoqnie. Ideologjitë e kundërta po. Ato kanë ngritë në kambë luftra makabre, zhdukje në masë makabre dhe shoqnitë këto makrabitete i kanë miratu si normale, si sundim i drejtë dhe i argumentum i të bardhit ndaj të ziut e çdo lloj ngjyre tjetër, si sundim i argumentum i arianit ndaj hebreut, si sundim i argumentum i të fuqishmit ekonomikisht dhe politikisht ndaj një kombeve të vogla dhe pa përkrahje në skenën ndërkombëtare. Ata që kishin dhe kanë mendim të kundërt ndaj tanë këtyne ideologjive të kundërta janë konsideru kundërshtarë ‘të përparimit’, ‘të regjimit’, ‘të demokracisë’ deri edhe ‘komplotistë’, fjalë shumë e përdorun sot me i vu në një qoshe të tanë, komplotistët e vërtetë dhe njerzit që mendojnë me krytin e tyne. Kjo kategori njerzish kanë marrë ‘dënimin’ e kohës dhe të shoqnisë, por historia në shumë raste, mos me thanë në të tana, ka tregu se ky grup shoqnor që mendonte kundër, kishte pas pasë të drejtë. 

 

Pas pytjeve, dyshimeve, marrjes së përgjigjeve apo ndonjë kthjellimi, Zotni President, unë kam vendosë mos me Ju ndjekë në luftën tuj, mos me respektu transhetë e rregullat që i keni vendosë për këtë luftë dhe me marrë rolin e ‘pacifistejet’ dhe me kundështu me vedin një pjesë të mirë të masave që Ju keni marrë në emën tonë.



Nuk ka me Ju ra rasti me e lexu këtë letër, sepse Ju, nuk keni me kenë ma President dhe shumë ligje siguriet, që ju keni hartu dhe miratu në emën të luftës kundër terrorizmit të mos jenë miratu, ose të jenë rrëzu, e ma e keqja e së keqes, asht që në një të ardhme, mundet edhe të jenë përkeqësu, (pushteti e kontrolli absolut qenka i ambël për shumicat politike). Por edhe nëse Ju bjen, nuk keni me ma dërgu në shpi gjobën për ; mosmbajtje të maskës në vende publike (ka raste edhe nëpër dyqane) ; prej shtatorit të vitit të kalum për mosplotësim të asnjë vërtetimi për lëvizje nëpër qytet, apo jashtë tij ; për mos respektim të asnjë prej kufinave të lëvizjes, as atë të një kilometrit rreth shpisë, as atë të dhjetë kilometrave ; kam shkelë më të dyja kambët dhe me ndërgjegje kalimin nga një departament në tjetrin ; kam shku në Luksemburg për blemje e për mbushje makine e ma tepër për me kundështu vendimin Tuj, edhe pse ka kenë e ndalume (në Zvicër gjithashtu) ; puthjet, (modeli i shoqnisë tuj me u tregu të dashtun) me miqtë e ndonjë të njohun nuk i kam ndalu ; kam shkelë të gjithë oraret e përcaktume mos me dalë prej shpijet, etj, etj, etj.



Deri tani kam pasë fatin që mos të jem e gjobitun dhe për këtë falenderoj shumë vedin, që kam ditë me u rujtë dhe policët, që në fakt edhe ata qytetarë si unë, që bajnë pytjet e kanë dyshimet e tyne edhe pse sillen e përhapin modelin e policit që na run shëndetin tonë prej vedit tonë, pasi kjo asht direktiva. (Kur isha për fundjavë në Roperviller, në pyllin e tejskajshëm që lidh Francën me Gjermaninë, pikërisht në vendin që njihet si Kalifornia europiane, njerzit pa maskë, tregonin mes njeni-tjetrit, se si në kohën e pandemisë së parë, direktiva Juj ka shku deri aty sa i keni ndjekë edhe nëpër pyll njerzit me dron, qeshnin ata, me ta dhe unë...tu vëzhgu këtë vend të mrekullushëm, pa ndonjë njoftim, pata kalu në Gjermani, asnjë dron, asnjë olic gjerman a francezë me na ndalë.)


 

Liritë e mia Zotni President kanë kenë e vazhdojnë me kënë të pakta në numër, pasi vendimi jem me rritë vajzat vetëm, ka marrë disa prej shumë lirive. por jam ndje e ndjehem mirë me këtë grusht liri. Sporti ka kenë lirija jeme personale e për 'te kam marrë pjesë ndonjë lirije tjetër, vetëm që të praktikoj një numër sportesh, pasi më ban me u ndje mirë ; udhëtimet, pasi më japim kontekstin e përmasës së lirisë ; ndonjë birrë a venë në çdo një ose dy muj me kojshinë, kinema me fmitë dhe kaq, kaq, asgja ma tepër. Të tana këto u reduktunen me dekret për hir të rujtjes së shëndetit tem e të tjetrit, pasi spitalet nuk kanë vend për të sëmurë.



Asnjëherë nuk kam mendu as se sëmundja nuk ekziston. Kam mendu e vazhdoj me mendu, se ajo ekziston, por jo e përmasave që Ju i jepni, që mediat dhe politikat e tyne editoriale i japin, që institucionet e caktume ndërkombëtare e tani ma edhe biznesi farmaceutik i jep. 

 

Tu pasë parasysh faktin mos me ‘rreziku tjetrin’, unë vetë e kam ba sportin tem, të reduktum, por e kam ba, njenen liri e kam rifitu, udhëtimet me kalimin e kohës gjithashtu i kam rifitu, birrën apo venen me kojshinë nuk e pimë në restorant apo në tarraca, por në bahçe apo te shpijat e njena-tjetrës, edhe kjo e reduktume, por e rifitume.


Ajo çka më mbetet me fitu asht respekti ndaj institucionit të Presidentit, ndaj qeverisë apo politikave të saj, ndaj mënyrës se si tanë bashkë sillen ndaj lirive të mia, të pakta, të reduktume, por legjitime. E për këtë Zotni President, që pas vitit të largët të 1997 (ka kenë hera e fundit që kam votu), kam vendosë që të votoj në vitin e ardhshëm për Presidentin e ri e kam me votu atë që i kthen respektin këtij institucioni dhe tanë Republikës.


 

Me shumë respekt  





Sunday, January 31, 2021

Gilmana Bushati: Origjina

Na vijmë prej një trashëgimije shekullore shtypjejet, e cila për me sundu ma gjatë që të jetë e mundun ka eduku vetshtypjen. E këto të dyja i kanë ushtru në fizik, në mendje e në shpirt, që na me kenë gati që kur të lindim krijesa, të lindim dy të ndryshme. Djalin që duhet me e rritë nën shembullin e hijen e kreut te oxhakut dhe vajzën që duhet me e rritë nën shtypjen e të dyve edhe nën hijen tande.

Na vijmë prej besimeve që ndjekin logjikën e oxhakut të shpisë. Bota kishte një ndërtus e rregullus jetet të vetëm, Zotin, i cili ka fuqi ma të mbinatyrshme se burri. Por ai vendosi që fjalën e vet me e sjellë këtu ndër ne me anë të burrave, tek të cilët bani diçka të mbinatyrshme, i ushqeu hyjnoren për me përçu rregullat hyjnore. Edhe një që zgjodhi vetë me e formu qysh në bark, edhe ai ishte djalë (pastaj pretendojnë besimet me thanë që Zoti s’ka gjini, kur Ai në këtë mënyrë e në të tjera e ka formësu vetë gjininë e vet në psikoligjinë tonë). Ndër rregullat e Zotit ishte edhe frika e ndërshkimit prej tij, nëse shkelje ligjet hyjnore, kështu që kjo frikë iu mbivendos shtypjes që kishim te shpija dhe shtypja u plotësu edhe me nji forcë mbinatyrore të atij që krijoi botën.
Na vijmë prej nji shoqnie e krijume, e forcume dhe e ndërtume prej këtij binomi, kreu i botës dhe kreu i oxhakut. Kur erdhi koha që tashma na të kishim za, na banën pjesë në ndërtimin e saj dhe e shpallëm me të madhe ‘qe e bame grunë, pjesën e shoqnisë’, kur ajo në fakt u ba vetë. Këta që krijojnë, forcojnë, ndërtojnë, të pranunën por sipas modelit tyne. Na ‘fitume’ dy, tre, pesë njëzet e pesë, njëqind e njëzet e pesë të drejta. E këtu qëndron problemi, na s’kena nevojë me i ‘fitu’, na kena lindë me këto të drejta, prandaj na s’kena nevojë me i ‘fitu’, ndaj kujt, kush asht kundështari jonë, që paskena nevojë me i fitu? Na kena me vazhdu me kërku këto të drejta që na takojnë, duke humbë shumë kohë, kena me rritë fmi, duke i brymosë me faktin se duhet me luftu për diçka që i takon, kurse i ngjashmi i tij, me gjini tjetër, i ka gati këto të drejta. Këtu qëndron epërsia e tyne ndaj nesh, ata kanë shekuj që krijojnë, forcojnë, ndërtojnë e në gen tashma e kanë të ngulitun se janë klasa drejtuese, ndërsa na kena veç dy shekuj që jena pjesë e kena fitu veç të drejta që na takojnë. Një burrë që i qëlloi me kenë edhe drejtues e pastaj fitues i një lufte pat shkru njiherë se ‘burri ka me kry aktet ma çnjerëzoret e gruja moderne ka me i ndjekë’. E na më duket, për me kenë në barazim me të famshmit e të gjithëdijshmit e botës, duhet me u ba vetë dhe mos me i Ndjekë, por asht e vështirë, sepse jeta ecë mbi këto baza prej qindra e qindra shekujsh.

Friday, August 31, 2018

fmija




nji dyshek leshit, gratë e qytetit e kishin pas pasë merak me e gjetë nga lloji ma i mirë dhe me i mbushë ding kllefat të qepun, ose për nji dyshek tek apo për nji çift. duket se sasia e leshit ndër dyshekë e ndër jastekë ka pasë kenë si shenjë mirëqënie, se kishte edhe dyshek pecash, me të pasë lezet me fjetë ndër gur. 

dysheku. vera shkul e nxehtë. në moshën kur fmisë i duket hana si e vetmja krijesë që e kupton, e merr at' dyshek të randë në shpinë dhe ngjitet me zori në shkallët që të çojnë në tarracë. asht shkallë e madhe. dërraset. atëherë s'ka pasë frikë se po i thyhet. tash e shef prej larg e thotë, si e ka mbajtë tanë at' peshë. dhe ban dy rrugë fmija, as dy pëllambë përmbi tokë për me marrë çarçafin. shtrihet. masandej kujtohet se ka harru jastekun. asnjiherë s'ka fjetë me jastëk, por po i duhet. sa ulje e ngjitje deri sa rehatohet. e aty në ballë me hanën nuk flet, veç shef. 

ah, këto tandat e hardhijave nuk ia lanë tanë hanën me e pà. pastaj ndërtimet komuniste, tanë beton, asgja nuk i përshkon, veç shkulit të nxehtit. nesër kur të çohet kojshitë kanë me e pà, por ka me kenë gjysë i fshehun prej gjetheve të hardhijave. i kthen shpindën territ. përballë me hanën. edhe pak ka me kenë. ka me ikë. po deri sa t'ikun të shofin në faqe të hanës ftyrat e atyne që i don fort, ftyrat e atyne që andrron, apo qoftë të shofin pushimin e vet. 

shtërngon fmija sytë me fjetë. jo. asnji gjumë s'i vjen. asht lodhë. ka kenë ditë e gjatë për 'te, fmi bahçesh e oborresh, dita asht e gjatë dhe e lodhshme, shpesh jo prej lojnave. por në orët e punës e ka andrru kte moment, me pushu me hanën me shpindë shtri për dyshek. por ja, mushkajat. i nxehti i ziftit me të cilin asht izolu çatia nxeh edhe dyshekun. ajo, drita e bardhë që e mbyt dynjanë, që flejnë mbas mureve. të errtë ata mure. hije të frikshme lëshojnë ndërtesat natën. 

dikur e zë gjumi. nadje herët dëgjon t'amën, 'mos pritsh ma mirë, ke fjetë jashtë?' nesër në darkë fmija mendon se duhet mos me e marrë tanë at' dyshek, por nji gja ma të vogël. sa herë ka fjetë jashtë? as vetë s'e din. po shumë. herë në tarracë, herë në ballkon. herë i mbluem e herë i zbluem. e yjet plot i kanë pasë rà e s'asht kujtu se duhet me thanë dëshira. nuk e ka ditë atëherë. 

nji jorgan i bardhë. nji jastëk. prapë s'i duhet, por e merr. e njëjta skenë. shumë tesha të ndejuna ndër telat e tarracës. s'ka hanë. bjen nji yll. ah, s'ka nevojë fmija, me thanë asnji dëshirë. edhe pse e ka mësu me kalimin e viteve që 'shprehe at' dëshirë e bjer rehat', prapë ndjek vijën e yllit, që bjen ma shpejt se shikimi i tij, deri në fund të gjurmës. 

s'ka hanë. s'ka nevojë me pasë. mjafton që kjo natë gazmend. 

kte herën natën e kishin përcjellë dy fmi bashkë. 




nadje

Thursday, August 23, 2018

ecë



diku në Kroaci, rrugës së kthimit, m'erdhi në kujtesë ftyra tallëse e djalit rreth të katërmbëdhjetat, i cili tuj kenë në mesin e moshatarve kishte ngritë zanin: 'kush ta ka msu makinën ty maj'. në nji rrugë, dytësore, jo shumë larg nga ajo kryesore, ku ishin parku sipas dëshirës së pronarëve, makinat e tjera, bana përpjekjet e mundshme për mos me ra në nji tip grope thik që ishte para meje. s'arrita me e shmangë të tanë. m'u desh me ba manovrime të sforcume me dalë. e djali, bashkë me shokët, nuk e kishin mendu se unë kisha me iu afru. pasi dola, i kërkova me ditë se kush ishte ai që donte me ditë se ku e kisha mësue makinën. djali, tashma jo ma i qeshun e tallës, e pranoi që e kishte thanë ai. 'kështu i flet edhe nanës tande djali, kështu ke qejf që dikush me i thanë nanës tande kur ka me mbetë në rrugë...'

më doli pikërisht atje ftyra e tij tallëse, ndërsa pjesa e poshtme e makinës, ajo që mbron nga pluhni e pislleqët pjesët, kishte dalë krejt nga vendi, tuj me pengu me vazhdu rrugën n'at gjendje. parkoj makinën në pikën e pushimit. verifikoj gjendjen. s'mundet me vazhdu kështu...por, 'ti je e marra në ktë mes, ti duhet me e gjetë zgjidhjen', i thashë vedit. kam ba s'di sa mijëra kilometra tash sa vjet, munden me të pengu me vazhdu gjanat që nuk janë n'dorën tande. po i jepja vedit motivim. e ngrita makinën me krik. shtrova nji shtroje poshtë. doja me e hekë krejt, po ishte e pamundun. e vetmja mundësi ishte me e lidhë për trupin e makinës. 

organizoj vajzat. njena shkon te nji fushë aty afër unë e vogla te kazanat e plehnave, se mos gjeshim gja. nji mundësi ishin lidhcet e këpucëve. por kisha me kenë e pasigurtë tuj nisë makinën, sepse mundeshin mbas disa kilometrave me u këputë prapë. pas pak minutash e madhja vjen me disa pjesë teli të fortë, nga ai lloj që mezi këputet. e kishte vjedhë te gardhi, në fund të fushës. tashti duhen me hapë bira. me krytin e telit duhet me e hapë kauçukun e fortë. ishte punë që po më merrte shumë minuta. e nëse kisha me ndejtë pa mendu kisha me pasë ndejë edhe shumë orë të tjera në 'të, pa arritë ndonji rezultat kushedi se çka. 

i kërkoj së madhes me shku me ble i çakmak te pika. nxora thikën që e kishim marrë për bukë e fruta. me t'ardhun çakmaku, e nxehja kauçukun dhe me thikë ushtroja forcë për me e hapë birën që më duhej. ja nji. edhe me pak mund. ja edhe dyta. telat që m'i ka gjetë vajza i përshkoj. janë të fortë. tejet të fortë. por janë të vetmit që të japin siguri, ke hala rrugë për me ba. shumë. gati njimijenjiqind kilometra kisha para meje. teli i dytë mezi po shtërngohej. ishte i shkurtë. shof nji udhëtues tjetër që kishte ndalë si unë. targat i kishte të Serbisë, por çantën e kishte me shqiponjë. i kërkoj, kot mos ka ndonji pincë me e shtërngu telin. u përpoq me gjetë, por s'gjeti gja. me shumë sforco e lidha. 

makina ende ecë me ata tela. vajzave që u mërzitën pak, pas atyne pushimeve gjithnji në lëvizje, u thashë fjalët që m'erdhën të parat. 'na duhen këto episode. mësojmë shumë prej tyne, prej vedit. s'duhet me na ba përshtypje as fakti që shumë njerz, udhëtarë të tjerë, na kaluen afër e s'na pyetën se çka ka edhe pse më shifnin nën makinë. gjithçka asht normale. mos me të pà. mos me të ndihmu. edhe me u dorëzu asht normale, njerzore'.