Sunday, May 2, 2021

Gilmane Bushati: Letër e hapun

 I nderum Zotni President i Republikës


Po Ju shkruj këtë letër ma shumë si dëshmi të kohës se sa keni me e lexu ndonjëherë. Pasi e para asht në shqip, Ju sigurisht që keni përkthyes të mirë të kësaj gjuhe për raste zyrtare, e jo për këtë rast dhe ai që ka me e marrë ndonjëherë inisiativën me e përkthy, duhet me kenë njohës i mirë i gegnishtes.


Në vitin 2019 jam ba një nga 67 milionë e 400 mijë qytetarët e këtij vendi dhe për këtë kam falenderu, vazhdoj me falenderu dhe kam me viju edhe në të ardhmen me falenderu Republikën dhe institucionet e saj.


Zotni President, keni që në marsin e kalum që keni marrë masa me ‘luftu’, këtë sëmundje mbarëbotnore. Që në fjalimin tuj të paharrushëm dhe që historia ka me e gjyku ma vonë, (edhe pse gjykime ka pasë edhe të nesërmen e tij dhe vazhdon me pasë) kam kenë në krahun e kësaj Republike dhe në krahun e 'luftës' që keni shpallë Ju, duke respektu çdo linjë të kësaj ‘lufte’, çdo direktivë të ‘gjeneralëve’ të kësaj lufte, deri te kapterri i fundit. Kam kenë ‘ushtar’ model dhe kam ndjekë tana ‘transhetë’ që Ju keni hapë që me kalu pa më kapë ‘anmiku’.


Nga kjo sëmundje mbarëbotnore, Zotni President, unë kam humbë njeriun ma të dashtun. Pikërisht kjo humbje dhe të kenunit ‘ushtar’ te llogoret e fundit (divani), unë kam fillu me ba pytjet e mia, si njeri i lirë i kësaj Republike, pasi kjo asht pjesë e devizës së saj ‘liberté’.


Pytjet e mia janë shtu me kalimin e kohës e mos marrja përgjigje në sa herë Ju, ose qeveritarët e kësaj Republike, kur keni dalë me informu për rezultatet e 'luftës', me kanë ba dyshuse. Ju e keni si kulturë shoqnore ‘asnjë pytje nuk asht e keqe’, prandaj vazhdoj e pys vedin dhe përpiqem me gjetë nëpër kanalet tuja përgjigje dhe prapë nuk i gjej dhe që unë e mbaj vedin për kërkuse të aftë.
 
Po i radhis disa pytje; ‘tu qenë me shëndet të plotë, pse duhet me u vaksinu me një ilaç, i cili nuk më garanton se nuk kam me u sëmurë prej virusit ?; kur marrim ilaçet në farmaci, brenda kutisë së ilaçit ka një fletë shpjeguse për efektet pozitive dhe negative të secilit prej tyne, (në shumë raste letra asht e shkrume në gjuhë të huja) dhe ky asht detyrim ligjor që një laborator apo biznes ilaçesh duhet me plotësu për me shitë ilaçet, për vaksinën e fundit mungon kjo fleta, pse ? A mos ndoshta imuniteti jem si i shumë të tjerëve, duhet me kenë pjesë e studimeve të shkencëtarëve, që me e arritë imunitetin kolektiv pikërisht tu shfrytëzu këtë pjesë shoqnijet dhe jo me infektu edhe këtë pjesë për me ulë nivelin e mbrojtjes të tanë shoqnisë ? Unë mundem ta kem kalu sëmundjen ose jo, pse para se me e ba vaksinën nuk i bajnë njerzve (si puna ime) një analizë gjakut, për me pa nëse ka kriju antitrupa dhe nëse i kam kriju, pse qenkam rrezik për të tjerët? Pse pashaporta shëndetsore bahet publike, kur ajo duhet me kenë sekret vetëm për individin dhe mjekun e tij ose trupën mjekësore, e cila ka si detyrim mbajtjen e këtij sekreti në respektim të betimit të Hipokratit? A mos ndoshta në një të ardhme të afërt edhe dosja jeme shëndetësore me tana detajet ka me u ba objekt i shkeljes së betimit të Hipokratit për arsye që Ju keni me kërku dhe parlamenti ka me i votu pa ju ba fjalën dysh, me idenë e 'shpëtimit të jetëve'?  

 

Dy vjet ma parë, m’u desht me ba vaksinën e hepatitit B, për me pasë mundësi për me ba një shtaz në një çerdhe dhe ilaçin e marrun në farmaci i kishte tana përshkrimet, tu fillu me faktin nëse kam tension të naltë, nëse jam shtatzanë, nëse kam këtë apo atë alergji, deri edhe ilaçet e mjeksisë alternative e kanë këtë detyrim, sepse e keni vendosë Ju, e jo ma një vaksinë për sëmundje kaq botnore e mortore, pse ? 

 

Asht e kotë me ba pytjet për maskën, ajo mundet me pasë efekt mbrojtjës në një vende që frekuentohen prej një numri të madh njerëzish, por ka efekt qesharak në mes të pyllit, në mal apo në vende me pak banorë.

 

Pse në një kohë të tillë shtetarët janë ba qesharakë dhe një pjesë e tyne dhe të pabesueshëm? Janë ba të tillë për njerzit që janë në linjën e parë të kësaj lufte, për mjekët dhe infermierët si dhe për njerzit që kërkojnë me ngulm kthimin në normalitet? në një farë kuptimi, janë palë të kundërta, (jo kundërshtare) e Ju në këtë mes vazhdoni rritni pabesueshmërinë ndaj tyne, kur duhet të ishit në krah të njenes? Ju keni punu fort tu vu në dispozicion të kësaj 'lufte' të gjithë arsenalin e mundshëm, po pse vazhdoni të humbni pikë në mbështetjen popullore? Tashma edhe një vendim normal për me u ndjekë, për hir të kësaj klime që keni kontribu fort me e vendosë, nuk respektohet. Imagjinoni Zotni President çfarë ndodh nëse zgjat shumë kjo klimë, në një të ardhme, të mos respektohen as gjanat ma themeltare të lirisë së njeriut dhe njerzit të veprojnë sipas instiktit të tyne, pa pasë frikë apo respekt për ligjin dhe institucionet e tij?
 
Besoj se Ju i keni marrë informacet nga zyra e shtypit për skeçet që bajnë humoristët për masat e deritanishme, prandaj asht e kotë me u zgjatë, pasi 'asht humori që ta zgjat jetën'. Kjo e fundit asht një shprehje popullore nga anët e mia, por nuk kam gjetë apo dëgju ende një shprehje të njëjtë për politikën e aq ma pak për vaksinat. 


Zotni President, para se me ardhë në këtë vend, kam kenë gazetare e të përditshmeve në Shqipni, dhe e di shumë mirë se çka don me thanë linjë editoriale e një gazete, pronarët e të cilës janë biznesmevë që mbahen me lugën e shtetit, falë tij dhe shteti i mban afër për nevojat e veta. Shkruj për shtetin si entitet, e jo vetëm për partinë politike që drejton shtetin. Kjo linjë editoriale ndryshonte brenda natës ose brenda orës, pasi pronarit për çështje burokracie, e shpesh herë për arsy konkurence, nuk i ishte miratu tenderi apo projekti nga qeveria e kështu e përdorte gazetën për çifte me gjujtë shumë ‘zogj’. E në momentin që ai e merrte atë që kishte kërku nga qeveria, e hiqte ‘çiften’ nga krahu, për me e lanë të mbushun aty afër për raste të tjera e për zogj të tjerë, por shteti e qeveria gjithmonë e merrnin mallin e tyne, 'politikën editoriale'. I njëjti mekanizëm fuksionon edhe për bizneset e fuqishme, me lobet e tyne në qeveri dhe pushtetin lokal. 

 

 
Në leximin e medias së këtij vendi Zotni President, realisht jam dëshpëru në disa raste, pasi kam konstatu, pothuajse të njëjtën sjellje, sigurisht me një nivel ma të naltë, por e njëjtë.  Nga shkrimet e kuptoje shumë mirë se kush ishte i pagum prej buxhetit të shtetit apo të bashkisë dhe kush ishte i pagum nga krahu i opozitës. Pikërisht në këtë vorbull të madhe informacionesh, m’asht dashtë, me mundë, (e nganjëherë tu dështu), me kërku përgjigjet e mia, në mediat që nuk kanë lidhje me pushtetet politike. (Asht e egër lufta për me kenë me identitet dhe i pavarun). 

 

E mbas çdo përgjigjejet, kam mendu për njeriun e dashtun temin, sikur të kishte kenë në këtë jetë me këtë ose me atë mjekim, ajo kishte me pasë shpëtu ; me këtë ose me atë procedurë ilaçes ajo kishte me pasë shpëtu ; sikur t’ia kishim ba këtë, ajo kishte me pasë kenë me ne. Por i jam përgjigjë edhe vedit, i jam përgjigjë sepse kam pasë nevojën me u ndje njësoj si ma parë dhe me eduku vajzat e mia tu ba pytje e mos me pasë frikë me i ba ato. 


Mendimi kundër nuk i ka ba keq një shoqnie. Ideologjitë e kundërta po. Ato kanë ngritë në kambë luftra makabre, zhdukje në masë makabre dhe shoqnitë këto makrabitete i kanë miratu si normale, si sundim i drejtë dhe i argumentum i të bardhit ndaj të ziut e çdo lloj ngjyre tjetër, si sundim i argumentum i arianit ndaj hebreut, si sundim i argumentum i të fuqishmit ekonomikisht dhe politikisht ndaj një kombeve të vogla dhe pa përkrahje në skenën ndërkombëtare. Ata që kishin dhe kanë mendim të kundërt ndaj tanë këtyne ideologjive të kundërta janë konsideru kundërshtarë ‘të përparimit’, ‘të regjimit’, ‘të demokracisë’ deri edhe ‘komplotistë’, fjalë shumë e përdorun sot me i vu në një qoshe të tanë, komplotistët e vërtetë dhe njerzit që mendojnë me krytin e tyne. Kjo kategori njerzish kanë marrë ‘dënimin’ e kohës dhe të shoqnisë, por historia në shumë raste, mos me thanë në të tana, ka tregu se ky grup shoqnor që mendonte kundër, kishte pas pasë të drejtë. 

 

Pas pytjeve, dyshimeve, marrjes së përgjigjeve apo ndonjë kthjellimi, Zotni President, unë kam vendosë mos me Ju ndjekë në luftën tuj, mos me respektu transhetë e rregullat që i keni vendosë për këtë luftë dhe me marrë rolin e ‘pacifistejet’ dhe me kundështu me vedin një pjesë të mirë të masave që Ju keni marrë në emën tonë.



Nuk ka me Ju ra rasti me e lexu këtë letër, sepse Ju, nuk keni me kenë ma President dhe shumë ligje siguriet, që ju keni hartu dhe miratu në emën të luftës kundër terrorizmit të mos jenë miratu, ose të jenë rrëzu, e ma e keqja e së keqes, asht që në një të ardhme, mundet edhe të jenë përkeqësu, (pushteti e kontrolli absolut qenka i ambël për shumicat politike). Por edhe nëse Ju bjen, nuk keni me ma dërgu në shpi gjobën për ; mosmbajtje të maskës në vende publike (ka raste edhe nëpër dyqane) ; prej shtatorit të vitit të kalum për mosplotësim të asnjë vërtetimi për lëvizje nëpër qytet, apo jashtë tij ; për mos respektim të asnjë prej kufinave të lëvizjes, as atë të një kilometrit rreth shpisë, as atë të dhjetë kilometrave ; kam shkelë më të dyja kambët dhe me ndërgjegje kalimin nga një departament në tjetrin ; kam shku në Luksemburg për blemje e për mbushje makine e ma tepër për me kundështu vendimin Tuj, edhe pse ka kenë e ndalume (në Zvicër gjithashtu) ; puthjet, (modeli i shoqnisë tuj me u tregu të dashtun) me miqtë e ndonjë të njohun nuk i kam ndalu ; kam shkelë të gjithë oraret e përcaktume mos me dalë prej shpijet, etj, etj, etj.



Deri tani kam pasë fatin që mos të jem e gjobitun dhe për këtë falenderoj shumë vedin, që kam ditë me u rujtë dhe policët, që në fakt edhe ata qytetarë si unë, që bajnë pytjet e kanë dyshimet e tyne edhe pse sillen e përhapin modelin e policit që na run shëndetin tonë prej vedit tonë, pasi kjo asht direktiva. (Kur isha për fundjavë në Roperviller, në pyllin e tejskajshëm që lidh Francën me Gjermaninë, pikërisht në vendin që njihet si Kalifornia europiane, njerzit pa maskë, tregonin mes njeni-tjetrit, se si në kohën e pandemisë së parë, direktiva Juj ka shku deri aty sa i keni ndjekë edhe nëpër pyll njerzit me dron, qeshnin ata, me ta dhe unë...tu vëzhgu këtë vend të mrekullushëm, pa ndonjë njoftim, pata kalu në Gjermani, asnjë dron, asnjë olic gjerman a francezë me na ndalë.)


 

Liritë e mia Zotni President kanë kenë e vazhdojnë me kënë të pakta në numër, pasi vendimi jem me rritë vajzat vetëm, ka marrë disa prej shumë lirive. por jam ndje e ndjehem mirë me këtë grusht liri. Sporti ka kenë lirija jeme personale e për 'te kam marrë pjesë ndonjë lirije tjetër, vetëm që të praktikoj një numër sportesh, pasi më ban me u ndje mirë ; udhëtimet, pasi më japim kontekstin e përmasës së lirisë ; ndonjë birrë a venë në çdo një ose dy muj me kojshinë, kinema me fmitë dhe kaq, kaq, asgja ma tepër. Të tana këto u reduktunen me dekret për hir të rujtjes së shëndetit tem e të tjetrit, pasi spitalet nuk kanë vend për të sëmurë.



Asnjëherë nuk kam mendu as se sëmundja nuk ekziston. Kam mendu e vazhdoj me mendu, se ajo ekziston, por jo e përmasave që Ju i jepni, që mediat dhe politikat e tyne editoriale i japin, që institucionet e caktume ndërkombëtare e tani ma edhe biznesi farmaceutik i jep. 

 

Tu pasë parasysh faktin mos me ‘rreziku tjetrin’, unë vetë e kam ba sportin tem, të reduktum, por e kam ba, njenen liri e kam rifitu, udhëtimet me kalimin e kohës gjithashtu i kam rifitu, birrën apo venen me kojshinë nuk e pimë në restorant apo në tarraca, por në bahçe apo te shpijat e njena-tjetrës, edhe kjo e reduktume, por e rifitume.


Ajo çka më mbetet me fitu asht respekti ndaj institucionit të Presidentit, ndaj qeverisë apo politikave të saj, ndaj mënyrës se si tanë bashkë sillen ndaj lirive të mia, të pakta, të reduktume, por legjitime. E për këtë Zotni President, që pas vitit të largët të 1997 (ka kenë hera e fundit që kam votu), kam vendosë që të votoj në vitin e ardhshëm për Presidentin e ri e kam me votu atë që i kthen respektin këtij institucioni dhe tanë Republikës.


 

Me shumë respekt