Valbona Bajrami, aktiviste për të drejtat e grave, mendon se feminizmi ende nuk ka krijuar terrenin e tij ne shoqërinë shqiptare, pasi pjesa më e madhe e energjive është përqendruar pikërisht te mbrojtja e të drejtave të grave, të cilat shkelen përditë nga shoqëritë tona thellësisht patriarkale. Ajo mendon se sa i takon përdhunimit të grave nga paramilitarët serb, Serbia duhet të paditet në Hagë, ndërsa qeveria e Kosovës duhet t'u kërkojë atyre të falur, pasi i kanë dhunuar për së dyti me heshtjen e saj ndaj këtyre 20 mijë krimeve.
Zonja Bajrami, duke ndjekë herë pas here lëvizjet e ndryshme në mbrojtje të grave, them që ka përpjekje për me pasë një lëvizje, por një lëvizje të vërtetë feminizmi nuk ka. A është ky një këndvështrimi im i gabuar, pse dhe cilët janë argumentet?
Pyetje paksa komplekse kjo, për të dhënë përgjigje konkrete. Fakt që ka përpjekje të ndryshme për mbrojtje ose avokim për të drejta të grave, lëvizje të cilat kategorizohen aktivistët, dhe jo domosdoshmërisht mund të quhet lëvizje feministe. Edhe pse të dy ideologjitë ose veprimtaritë kanë shumë ngjashmëri, ekziston një dallim mes tyre. Të jesh aktivist i të drejtave të grave, mund të avokosh për problemet specifike të grave, pa u identifikuar si aktivist i lëvizjes ideologjike të feminizmit gjithëpërfshirës. Ndërkaq, sa i përket teorive feministe ekzistojnë ide të ndryshme se çka e përcakton barazinë gjinore. Si ta zëmë, nëse gjinia asht konstruksion social, pastaj vjen njohja e më shumë se pesëdhjetë identiteteve gjinore që perëndimi ka tendencë për t’i njohur, ku do t’i përmend vetëm disa: androgjenik, transgjinor, aseksual, poligjendrik, neutrois, etj. Si kornizë e aktivizmit për të drejta të grave hynë mbrojtja fizike dhe siguria e grave, mirënjohja e rolit të gruas në shoqëri, respekti, liria e fjalës – kategori këto që shumica e institucioneve shqiptare apo aktivistëve individual avokojnë për fenomenet e lartpërmendura.
Për dallim me feminizmin, ku gratë nuk kanë pritshmëri të respektit vetëm pse janë gra, apo vajzat të kërkojnë mbrojtje nga babai. Duke marrë për bazë problemet e grave në shoqërinë shqiptare, duke filluar që nga familja, organizatat qeveritare dhe përfshirja e grave në sektorin shtetëror, them se shumica e aktivistëve janë fokusuar për avokim të të drejtave të grave.
Shumica e aktiviteteve që mbahen në Kosovë, dhe me aq sa jam e informuar nëpërmes mediave për gjendjen në Shqipëri dhe Maqedoni, fokusohen në avokim, ku pjesëmarrja shumicë janë gra, përveç aktiviteteve ku përfshihen mosha më të reja. Paçka se ekziston dëshira, dhe bukurshpesh aktivistët identifikohen si feminist/e, kjo shpesh varet nga gjendja që hasë në terren. Feminizmi përkrahet nga aktivistë të ndryshëm, por veprimtaria e tyre i përgjigjet më shumë avokimit për të drejta të grave. Sigurisht që ky asht vetëm këndvështrimi im.
Po veten tuaj si e konsideroni, feministe apo aktiviste?
Do ndërlidhesha si thashë më lart. Meqë problemet e grave në shoqërinë shqiptare janë të shumëfishta, veten e konsideroj si aktiviste. Për gjendjen ku jemi, e them figurativisht, se feminizmi asht “kafshore e madhe”. Njohja e një pjese të literaturës feministe nga aktivistë individual, nuk asht se ndikon shumë në gjendjen ku ne ndodhemi në shoqëri, pa ndërhyrë në realitet.
Cilat janë ndryshimet mes mos organizimit të grave dhe mospërfaqësimit të tyre?
Gjithçka varet nga nevojat që kanë gratë dhe interesat që u përgjigjen atyre. Kjo nuk e bën dikë më profeminist se tjetrin. Ta zamë, si hap fillestar për mua ka rëndësi mirëqenia e grave, përfshirja e tyre në vendimmarje, duke filluar nga familja deri te institucionet publike, apo thënë ndryshe, thyerja e zinxhirëve dhe barrierave që janë vendosur nga burrat.
Ndërkaq, ka aktivistë të cilët kanë prioritete tjera, si pranimin e paraqitjes së individit, që bukurshpesh kritikohet bazuar në norma tradicionale, ku si ilustrim do përmendja pranimin e paraqitjes fizike. Prandaj mendoj, se prioritetet dallojnë, gjë që jo rrallë tema të ndryshme nxisin debate, deri te mos bashkëpunimi. Meqë me profesion jam punëtore sociale, ndoshta kjo ka ndikuar që të fokusohem më shumë te feminizmi socialist teorik, gjegjësisht; rolin e kapitalizmit që shtyp gratë dhe feminizmi radikal që trajton rolet gjinore në sistemin patriarkal. Pra, bërthama, në teori, asht mëse e qartë, por zbatimi në terren është më kompleks, sepse shoqëria shqiptare përballet me dy sistemet; patriarkalizmin dhe kapitalizmin.
Organizmi i grave varet nga mundësitë e dhëna, apo kushtet që vëndosin hierarkitë më të larta, që zakonisht janë burra. Nga të dhënat demografike faktet flasin, se numri i grave është më i madh, por përfshirja në institucione asht në disbalancë drastike. Në shoqërinë shqiptare grave nuk i’u jepet as mundësi egalitariane, lëre më të flitet për lëvizje feministe.
Mospërfaqsimi asht fenomen që prap nuk varet nga gratë, sepse bazuar në kushte të dhëna, gratë detyrohen të jenë rivale për promovim. Apo thënë më thjeshtë, më shumë cilësi dhe kritere kërkohen kur për një vend pune aplikojnë 70 për qind gra e 30 për qind burra – kjo bazuar në përfshirjen aktuale të grave në institucione qeveritare.
Cilat janë mekanizmat lëvizës që një lëvizje e vërtetë feministe të ketë sukses në shoqëri?
Them se çelësi asht edukimi. Prap, në viset shqiptare për shkak të gjendjes ekonomike, familjet i japin prioritet për shkollim djemve. Do të thotë, se si faktorë negativ ndikon kapitali dhe patriarkati, fenomene të cilat trajtohen nga feminizmi socialist. Pastaj, animi nga feminizmi gjeografik ku zonat rurale janë në disfavor, ndoshta edhe nga vetë mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Mekanizëm tjetër lëvizës mund të konsiderohet edhe kultura, ku ta zëmë një individ që asht socializuar në zonat rurale, kur fillon edukimin në zonat urbane hasë në vështirësi të integrimit, ku edhe shpesh herë nuk pranohet nga individët që janë socializuar në zonat urbane. Pastaj, janë normat kulturore të cilat në shoqëri homogjene asht bukur e vështirë të thyhen, sepse hasin përkrahje në masë.
Ndërsa bazuar në studime, mekanizma bazë për të thyer rregullat e së drejtës në patriarkat, konsiderohet heteronomia. Pastaj kërkohet thyerja e barrierave në punë apo sfidë ndaj hierarkive dhe rregullat e identitetit, ku bën pjesë hegjemonia – të gjitha këto mekanizma janë studiuar në hollësi nga autoria Elisabeth Prugl.
Shoqëritë tona janë thellësisht patriarkale, cila mund të jetë pika e kthesës që këto shoqni ta kuptojnë e ta vlerësojnë gruan si bashkëformuese të shoqnisë?
Në shoqërinë shqiptare patriarkati asht asimiluar edhe si format i kulturës, ku jo rrallë edhe një pjesë e popullit mburret me këtë lloj kulture, duke këmbëngulë, se janë norma shqiptare.
Thyerja e disa normave patriarkale mund të fillojë nga aspekti biologjik, ku aktet që konsiderohen si turp, mund të shfaqen publikisht.
Këtu mund të marr shembull të thjeshtë ciklin menstrual. Shpesh gratë dhe vajzat turpërohen të flasin hapur brenda familjes duke thënë se ndjehen mirë, kur në fakt janë me dhimbje. Pastaj mund të jetë të ushqyerit me gji në publik, jo vetëm si notë proteste, por si akt normal.
Ndërkaq, nga ana teorike për të diskutuar historikun e grave në viset shqiptare, si përkujtim i diskriminimit që iu asht bërë ndër vite – temë kjo që asht e vështirë t’i dilet deri në fund. Në ambiente shoqërore mund të nxiten debate, duke informuar se nevojat dhe dëshirat e grave janë po të njëtat si të burrave, vetëm se liria e shprehjes ju mungon. Shkolla me orë edukative për të drejta të barabarta do të ishin faktor kyç për efekte afatgjata, punëtori, projekte, apo klube që ofrojnë aktivitete dhe informacione për efekte anësore negative të patriarkatit.
Mos të harrojmë që patriarkati asht i theksuar edhe te gratë, zakonisht ato të cilat kanë pretendime pushteti, ku i tërë procesi varet nga burrat, andaj edhe pranojne të jenë abuzuese ose diskriminuese ndaj grave për të arritur qëllimet e tyre.
Politika ka abuzuar dhe do të vazhdojë të abuzojë me figurën e gruas, ndoshta më shumë se sa kronikat rozë, kush duhet ta ndryshojë këtë realitet?
Asht fakt që politika shqiptare, ku shumica janë burra, ka abuzuar me mirëqenien e gruas, duke mos anashkaluar as gratë që janë në politikë. Por, siç jemi në dijeni, shumica e grave që janë të përfshira në politikë, janë tërësisht të varura nga hierarkitë e burrave për vendimmarrje, jo sepse ato duan të jenë pjesë e vendimeve për të diskriminuar çështjet e grave, por në rast se nuk binden, zakonisht ndëshkohen nga subjektet politike.
Formatin maskulist në politikë mund ta thyejë vetëm elektorati. Të bazohemi në premtime elektorale, mbase asht metodologji që nuk ka besueshmëri, duke u bazuar në premtimet e së kaluarës, shumica e të cilave nuk janë realizuar. Them, se nëse në mesin e individëve që synojnë Parlamentin, një pjeë e mirë e tyre janë marrë me respektimin e të drejtave të njeriut, janë angazhuar në sfidat e grave në veçanti, mund të jenë zgjedhja më adekuate për kthesë dhe do të zvogëlonte hendekut gjinorë në politikë.
Gjithashtu, një rol të rëndësishëm luan edhe kritika nga ana e shoqërisë civile, që gëzojnë respekt për punën e kryejnë.
Zonja Bajrami a ka ndonjë manual ku të përcaktohet se çfarë është dhuna, cilat raste konsiderohen dhunë, pasi për shkak edhe të trraditës sonë, gratë nuk e kuptojnë që janë objekt dhune?
Ndoshta jo manual, por bazuar në hulumtime që janë bërë në terren, varësisht nga shkalla e dhunës që asht shfaqur në statistika, janë përpiluar broshura informative në lidhje me dhunën, dhe procesin e denoncimit.
Për territorin e Maqedonisë dhe Shqipërisë, nuk asht se jam e mirëinformuar, por në Kosovë, OJQ-të që kanë si mision mbrojtjen e mirëqenies së grave, e sidomos “Rrjeti i Grupit të Grave”, zakonisht publikojnë statistikat dhe broshurat informuese, të cilat janë të hapura për publikun. Si informacion bazë në lidhje me dhunën që trajtohen në ligjerata ose broshura informuese janë: dhuna fizike, dhuna emocionale dhe verbale, dhuna ose kontrolli financiar, dhe përdhunimi.
Në SHBA si test shumë i thjeshtë dhe i kuptueshëm për çdo individ, që di të paktën shkrim dhe lexim, asht skica e vizatuar e rrethit të kontrollit psikologjik dhe faktorëve të dhunës. Zakonisht epiqendra është abuzuesi, pastaj radhiten kategoritë që shkencërisht konsiderohen si akte më të shpeshta të dhunës, ku bëjnë pjesë: kërcënimet direkte nga ana e agresorit, përdorimi i gjestikulacioneve apo mimikave të kontrollit, abuzimi ekonomik i të mirave materiale, përdorimi ose kërcënimi i braktisjes nëpërmjet fëmijëve, denimi i aktit të kryer të dhunës (agresori dënon dhunën e përdorur).
Për më shumë, në këtë rreth hynë edhe izolimi dhe abuzimi emocional, përdorimi i privilegjeve të forcës fizike – të gjitha këto janë fenomene që zakonisht agresorët i përdorin për t'i ndjellë frikë viktimës. I gjithë ky proces merr kohë, që jo rrallë edhe vetë viktima mohon ekzistencën e dhunës, prandaj ndodhë që viktima të paragjykohet, se përse i ka duruar këto akte. Thënë figurativisht, asht proces i “shpërlarjes së trurit” për të menduar si agresori, ku shumë viktima binden se nuk meritojnë trajtim më të mirë se kaq.
Kush asht ndihma më e madhe që një grua mund t'i japë një gruaje tjetër?
Absolutisht, përkrahja pa paragjykime. Asht interesant, se aktivistët e hierarkive të larta shpesh kanë pritshmëri dhe kërkojnë shumë nga gratë që punësohen rishtas në një institucion, duke mos marrë për bazë se çdo fillim asht i vështirë, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Ka raste kur aktivistët e sektorit të mesëm e kryejnë shumicën e punës, por meritat i marrin gratë që kanë pozita më të larta.
Në një farë mënyre kjo i dekurajon vajzat apo gratë që japin maksimumin e tyre në punë. Asht etike dhe njerëzore që sado të jetë e suksesshme një punë, gratë e hierarkive më të larta duhet t'i japin kredibilitet punës së grave në sektorin e mesëm, sepse i nxit ato për punë të mëtejshme.
Kur puna asht institucionale, natyrisht që meritat i merr institucioni, sepse puna asht ba në mënyrë kolektive, por jo rrallë dëgjojmë nëpër media që tërë punën dhe meritat i merr përsipër një aktivist. Kushdo ta kryejë punën, sa do e vogël të jetë ajo, asht shtytje që t’ju jepet kredibilitet grave që të ecin më tej.
Madje, madje, mos të tingëlloj si e vrazhdë, por marrjen e meritave të tjerëve, e shoh si plagjiat, ose luftë trofesh, gjë që nuk i shërben kauzës për t'i ndihmuar gratë në përparimin e tyre profesional.
Ju keni eksperiencë si punonjëse sociale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i vështirë është ky profesion në Kosovë?
Formati i punës sociale në Kosovë asht krejt i ndryshëm nga ShBA-të. Edhe pse kritikët që merren me këtë profesion kanë konstatuar, se puna sociale asht më e vështirë të zbatohet në vende që ka diversitet shumë të theksuar, për mendimin tim thyerja e normave asht më e veshtirë ne shoqëritë homogjene, siç asht Kosova. Duhet të kemi parasysh se nuk asht vetëm ndihma që ofron një punëtor social, sa luan rol rrethi shoqëror për të ndihmuar një njeri në nevojë.
Në ShBA, asht më e vështirë të përpilohet plani për ndërhyrje, pasi varet edhe se çfarë kulture i takon klienti, hulumtimi merr kohë për të përpiluar strategji konkrete. Ndërsa në Kosovë normat dhe vlerat janë pothuajse të njëjta, andaj një punëtor social e ka më të lehtë të kuptojë një fenomen të caktuar. Këtë krahasim e kam diskutuar edhe me kolegët në Nju Jork, me të cilët mbaj kontakte, ku si fenomen i theksuar asht pikërisht mosdija e normave kulturore në raste të caktuara.
Në ShBA pa marrë parasysh kohëgjatsinë në profesion, puntorët social përballen çdo ditë me “shok kultural” , gjë që konsumon energji për të përpiluar planin për ndërhyrje. Ndërkaq, sa i përket Kosovës, ndoshta ajo që vlen të theksohet asht se profesioni i punës sociale asht relativisht i ri, dhe nuk gëzon respekt të mjaftueshëm në shoqëri, duke mos marrë në konsideratë që vendi ka nevojë për ndërhyrje sociale.
Kjo ka bërë që popullata të kërkojë ndihmë në objektet fetare, lexues fatesh, apo edhe manipulues, që gjoja zgjedhin problemet me shkop magjik. Në Kosovë janë hapur lloj-lloj institutesh, por me keqardhje një institut për punë sociale nuk ka, por nga të dhënnat e terrenit, bahet e qartë se shoqëria ka nevojë për ndihmë sociale, më shumë se çdo sferë tjetër.
Ne në Shqipëri nuk duam të flasim ose flasim përciptazi për krimet e komunizmit, e njëjta gjë duket se ndodh edhe me krimin e përdhunimit të 20 mijë grave kosovare gjatë luftës. A nuk ju duket se dy shoqëritë tona me heshtje e rëndojnë këtë krim, duke mos e zbardhur, apo duke e lënë në qoshe të vëmendjes së tyre?
Në mes të dy fenomeneve shoh një dallim, krimet e kohës së komunizmit janë bërë nga vetë shqiptarët, ndërsa përdhunimet në Kosovë janë kryer nga paramilitarët serb.
Sa i përket përdhunimeve, e kam theksuar edhe më parë, se nëse viktimat janë përdhunuar fizikisht, psikologjikisht janë dhunuar për herë të dytë nga vetë institucionet e Kosovës, duke marrë parasysh kohëgjatsinë e problemit. Paçka se ky fenomen asht shumë i dhimbshëm, normat patriarkale kanë vënë si prioritet krenarinë e tyre, duke insistuar ta varrosin këtë tragjedi.
Për mendimin tim, Serbia duhet të paditet në Hagë, ndërsa Qeveritë e pas luftës e kanë për detyrim moral të kërkojnë falje publike ndaj kësaj kategorie, që për kaq kohë me dashje apo pa dashje i kanë diskriminuar. Mbase personalisht nuk jam ndonjë faktor të gjykoj këto fenomene, por nëse i referohemi studimeve botërore mbi moralin, kërkimfalja asht akt fisnik që i jep kredibilitet moralit njerëzor. Madje, mund të jetë barrierë edhe çështja e përceptimit të kodit moral, se si trajtohet në vendet në perëndim, dhe si nënkuptohet në kulturën shqiptare.
Ndërkaq, për krimet e komunizmit në Shqipëri, prapë shoh normat patriarkale që ndikojnë të heshtin ndaj krimeve të kryera. Jo vetëm këto fenomene, por në shoqërinë shqiptare kontributi i grave asht diskriminuar edhe kur bëhet fjalë për lavdi, ku si shembull konkret janë ‘Gratë e Ilegales’, të cilat nuk janë vlerësuar me mirënjohje njësoj si burrat, që kanë dhënë të njëjtin kontribut, dhe shtatoret e memorialet e ngritura të japin përshtypje se në trojet shqiptare paskan dhënë kontribut vetëm burrat.
Si pikë kryesore së pari shoh luftën ndaj patriarkatit në të dy vendet, që janë zhvilluar me norma relativisht të ndryshme, edhe pse i takojmë një kombi. Deri diku arsyetohet, se kemi qenë vende të izoluara, por heshtja për krimet që kanë ndodhur nuk shërbejnë për socializim të shëndoshë të brezave pasardhëse. Në këtë stad që jemi, shoqëria civile mund të jetë zëri kritik dhe përçues, në mes të shtresave në nevojë tek sistemet qeveritare.
Valbona Bajrami asht punëtore sociale me eksperiencë disavjeçare në ShBA. Ka punuar në organizatën jofitimprurëse YWCA, gjegjësisht si punëtore sociale në programin “Women As Defendants (WADS) -Therapy Group”. Veprimtaria e saj për të drejta të barabarta ka filluar në organizatën “Boys and Girls Club”, për të vazhduar eksperiencën aplikative duke qenë pjesë e projektit “Anna Frank”, dhe anëtare e përhershme e “UB society of feminists”. Në Kosovë asht aktive në projekte të ndryshme për të drejta e grave, dhe pjesmarrëse në aktivitete të ndryshme, që si mision kanë mirëqenien e grave.
