Dita e njimbëdhjetë e tetorit
Duke ardhë me vajzat në shpi, po shihja vedin në xhamin e autobusit dhe më erdhi nji ide, si tip përkufizimit, që mundet me kenë edhe i gabum; ‘pass sanitare asht njisoj si nji armë që përdoret për me arritë paqen’.
Ka shumë vend me e zgjanu temën, sepse ka aq shumë histori e përzime me gjeopolitikë në ‘te saqë nuk dalin shumë fletë me e përpilu. Por me i ra shkurt ; nji autoritet shtetor vendos me armatosë popullin, e këtë armë ai me e përdorë për me fitu kundër nji anmikut të përbashkët, në këtë rast epidemia dhe në mesin e nji mizërie mendimesh e opinionesh të ndryshme, me e pranu si të mirëqenë armën e anë të saj, autoriteti ka parashiku gjetjen e paqes fizike, pra fitimin kundër sëmundjes dhe paqen sociale e shpirtnore, ndamjes në kategori njerzit pro dhe kundër armës.
Po me armë a asht fitu gja deri më sot veçse pasurimi i pronarit të fabrikës së armëve? Kisha dashtë me ditë në fakt se çka mendon pronari i fabrikës së bombave për paqen? Po aleancat ushtarake çka mendojnë për paqen sociale e shpirtnore? Kisha dashtë me ditë fuqitë e mëdha ekonomike, që nji përqindje të mirë e të kenunit ‘fuqi’ e kanë prej prodhimit të armëve, çka kuptojnë me paqen fizike?
Të tana këto pytje janë ironike, deri diku edhe jashtë realitetit, unë jam dashakeqëse. Autoriteti, apo strukturat që përmenda ma sipër, kanë batalionin e vet të historianëve, të opinionistëve, të shkrimtarëve, të politikanëve, të partive, të lobistëve e të lobumëve, të njerzve të thjeshtë, i cili asht gjithmonë në funksionin, duhet miell për mullinin, ai nuk duhet me u ndalë asesi, sepse mbesin njerzit pa bukë. Përgjigjet e tyne i kam shënu me vija të kuqe, gati tek të tana vlon cinizmi, jo ma si figurë letrare, por si armë, që të vret ty n’anën tjetër të rrugës, që ke dalë aty jo me luftu, po veç me lexu.