Unë do të vdes në një banesë të bukur, të ngrohtë, të rehatshme dhe me ngjyra të këndshme. Askush nuk do ta marrë vesh. Unë nuk telefonoj me njerëzit -pothuajse fare. Ose i kontaktoj me e-mail, fb ose sms përpara se të takohem me ta. Askush nuk do ta marrë vesh po të ndodhë. Nuk punoj rregullisht, në universitet kam shumë pak gjëra për të bërë, s'kam detyrime të këtilla. Kam lënë takim me time bijë për nesër, por ka mundësi që asaj t'i dalë ndonjë punë dhe nuk vjen. Më dërgon një mesazh për të thënë që s'vjen dot, siç bëri sot. Edhe po nuk iu përgjigja, asaj do t'i duket normale sepse unë shpesh nuk përgjigjem direkt. E shumta e shumta, të mërkurën mund të merret vesh, se kam lënë takim me Lenën që të luajmë shah. Po deri atëherë si do të bëjë i vogli im? Ai s'do të arrijë të hapë dot dritaret, që të paktën të thërrasë për ndihmë - ato janë të mbyllura me çelës për arsye sigurie - dhe kjo është më së e nevojshme në rastin tonë. Dera e banesës është e mbyllur po ashtu me çelës dhe çelësin e kam fshehur diku lart që ai mos ta arrije. O Perëndi! Sa tmerr më duket tani ky informacion trivial nga interneti!! Në Gjermani vdiskan çdo vit 40 vetë nga një pickim idiot blete?! Vdekja ime nuk më ka trembur kurrë, veçse jam e ndërgjegjshme që jeta ime ka vlerë - shumë, më shumë se ç'do të doja unë. Jetën time dhe vlerën e saj e kam matur gjithmonë me njerëzit që më rrethonin ose vareshin nga unë. Dhe nga jeta ime varen njerëz, njerëz të vegjël! Është për hir të tyre që jetoj një jetë kaq të shëndetshme edhe atëherë kur nuk më pëlqen. Po në këtë pikë gjërat më kanë dalë jashtë kontrollit. Ah sikur ta kisha këtu të paktën 9 - vjeçarin tim! I vogli do të çohej në mëngjes e do të thoshte: "Vëllai, mami ka vdekur!" I madhi do t´i përgjigjej gjoja i qetë: “Mos ki frikë, se vetëm mami jonë nuk vdes, ti e di se sa e fortë është ajo! Po mbulohu mirë se është ftohtë, une po iki pak në banjo.“ Do të bënte sikur do të shkonte në banjo dhe në majë të gishtave do të futej në dhomën në të cilën fle unë me Diellin tim të vogël. Po ai sot nuk është këtu dhe s'ka për të qenë një javë komplet. Dhe ja që bleta e mallkuar me pickoi pikërisht mua pasi iku ai. (Jo se jam alergjike...po thjesht tani që e di ç´mund të ndodhë...)
Pyes veten se ç´dreqo jete është kjo? S'bëhet fjalë për të pasur në shtëpi një "burrë" për t'u ndjerë e plotë, por një të rritur tjetër që të sheh po të sëmuresh, që të sjell një gotë ujë, që, që, që ose një që mund të ndihmojë një 4 vjeçar të paktën dreqi ta hajë... Krevati nuk më mban më. I kam harruar dhimbjet. Çohem dhe së pari hap derën e banesës. Ai do të mund të dalë nga shtëpia të paktën. Shkoj në frigorifer dhe bëj gati diçka për të ngrënë që një fëmijë në moshën e tij mund ta hajë vetë, ashtu pa ndihmë. Mbush kanën me ujë dhe e rivendos në tavolinë pranë gotës së tij të vockël që e mbush plot. Kam frikë. Frika më kacavirret si gjarpër ne trup. I shkruaj një mesazh sime bije që të më marrë në telefon të nesërmen patjetër. Duhet ta bëja më shpesh këtë. Kjo lloj paranoje nuk më pëlqeka.
