Wednesday, December 2, 2015
Gilmana Bushati: Për gishtat e nji flutre
Janë gishtat e saj që e kthejnë mbrapa në kohna të tjera, gjysa të ndriçueme e gjysa të harrueme. Ajo i përkulë ata butë në lëvizje të andshme baleti, e përkulja e gishtave ndiqet nga përkulja e krahut, trupi ndjek lëvizjet e gjymtyrëve të tij dhe bahet andërr, nji andërr e veshun me ngjyrë rozë me nji palë këpucë, prodhue vetëm për flutra. Atje te nji sallë e thjeshtë, me pasqyra të mëdha, me drita të mëdha, me nji mësuese kërkuese, që ia kritikon asaj gishtat kur i kalojnë shkujdeshëm ndër flokë apo në hundë. Ka dy vite që ban kërcimin e vet ndër këto salla, por atë ditë asaj tjetrës, që rrin pas deret, fshehtas, tuej kundrue flutrat, iu lidhën ny kohnat, iu shtërnguen diku në fyt, e pa kenë e zoja me e ça në dysh nynin, e ngjit nalt në sy, por ky e mban vedin ma shumë se asgja tjetër në trupin e saj. Ka ardhë ma herët me marrë flutrën e vet prej kërcimit, e në ato dreq minutash, iu kujtuen gishtat e veta, në moshën kur dëshirat janë krejt të brishta. S'i mban mend dëshirat, por i mban mend gishtat i asaj moshe, që kanë bajtë, kanë zhbajtë, kanë ngarkue e kanë shkarkue, kanë qenë të fortë atëherë: të shkurtë e si dreqën zhytë deri thellë në beton, tokë të punueme e të papunueme, ndër gurt e barishtet e këqija të bahçes, ndër hardhija. Që në atë moshë gishtat ia kanë msue trupit si mbahet lopata, kazma, shkalci, sqepari, rrashjeli, kallepi i bllokut të betonit; ishte koha kur edhe mundësitë e andërrueme ishin të varfëna. Por kur i shef gishtat e asaj që zgjatohet për me ba figurën e baletit të kërkueme nga mësuesja, janë të hollë, si dreqin i ka mundue gishtat e vet në punë që duhej të kishte nji mundësi mos me i ba me kallo. Tjetra qesh aty mbas deret, ndërsa vjedh në nji cep deret pamjen e atyne varzave që përpiqen me i plotësue tana kërkesat e mësueses. Buza e shpirti n'gaz ia tret kohën e vjetër, që i erdh kështu si papritë, pas nji salle plot pasqyra e me drita mbushë, ndoshta jo me andrrat e të tanave me kenë balerina, por me nji dëshirë, të cilën kanë me e mbajtë mend, se e kanë plotësue.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment