Wednesday, December 16, 2015

Ftyra e ngrohtë e mirësisë në ditë dhjetori



12 dhjetor, e shtunë

Me makinë nisena drejt Luksemburgut të bekuem, i bekuem, sepse duhanin e naftën e ka ma lirë se në tanë Europën. Ngaqë asht ba nji trajektore që e përshkoj shpesh s'kam nevojë as për GPS, por fill te vendi, paguej e mos druej dhe pastaj për me shkue në Saarlouis, Gjermani vendos adresën në GPS, edhe këtë qytet e vizitojmë shpesh. Dona me shkue me ba do pazare si në magazinat e zakonshme ashtu dhe te Deutsche Market, nji linjë magazinash vetëm me prodhime gjermane, çmime dy herë ma të lira se në Francë për të njëjtin mall. Kalojmë nëpër nji trajektore tjetër këtë radhë. I kalojmë anash qytetit të vogël Shengen, nga ku ka marrë emnin dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të kësaj Europe. Tunele të tana madhësive, që ndryshojnë disi pamjen krejt mjegull që ishte atë ditë në këto anë. Meqë ishim ma afër magazinës Lidl, e diskutoj me vajzat që të ndalena ma parë aty, të bajmë pazarin e javës dhe pastaj të shkojmë në qendër të qytetit, te magazina tjetër dhe me pa se si e kanë zbukurue për festat e fundvitit. 
Jena në Wallerfanger Strasse, këtu gjendet Lidl. Dalim prej makinet, vajzat e kanë shumë qejf pazarin në këtë magazinë. Bajmë gati 45 minuta brenda dhe dalim tanë qejf me i futë pazarin në makinë dhe me u nisë për në qendër. Por pas 15 sekondash na ngrihet buzëqeshja në buzë të trijave dhe vajzat fillojnë me qa. Në pak sekonda konstatuem se kisha lanë çelësat e makinës brenda dhe s'kisha lanë asnji derë hapë dhe as bagazhi mbrapa s'ishte hapë, se kanjiherë s'mbyllet mirë. Nuk e di se pse kisha nji qetsi të jashtëzakonshme, edhe pse ishim në mesin e nji vendi që e njohim në kalim, edhe pse brenda makinës kisha lanë çantën dhe tabaren, por të paktën kisha portofolin me vedi. I thashë vajzave, 'tash duhet me u përgatitë me fjetë jashtë se s'kam çka i baj ma'. Unë për vedi gjithmonë e kam urrye faktin që dikush më ka quejtë me faj, qoftë direkt qoftë indirekt, pra asht ba diçka, s'asht puna me gjetë fajtorin, por me gjetë zgjidhjen. Këtë e bana unë të shtunën dhe nuk më erdhi hiç mirë. I tham vajzave që të rrijnë afër makinet që të përpiqem me gjetë nji tel të fortë e të gjatë, që me pasë mundësi me e hapë makinën ashtu si ta hapin hajnat. Hyn e del mbrapa magazinës, te koshi i plehnave, aty rrotull ishte nji lavazh, por po kërkove në Gjermani tel, kot kështu sa me krye punë, mos mendo se ke me gjetë. Aty afër nesh ishte parkue nji makinë, Ford edhe ajo, por jo e tipit Fiesta, e për ma tepër zotnia i makinës ishte shqiptar. E kisha dëgjue tuej folë me të zojën në magazinë. E vogla ma kujtoi në frëngjisht, 'nanë kjo makina asht si e jona', por hajt, iu duk si mundësi me gjetë zgjidhje. Por thashë ta baj nji përpjekje. Zotnia po ngarkonte pazarin e vet në makinë e në nji moment e përshëndes në shqip 'mirëdita'. Ai, nji burrë, me mustakë e me nji qerosë të përparueme, duhet të ishte nja 60 vjeç, më shikoi me habi se si nji njeri po e përshëndeste. S'ma ktheu përshendetjen edhe pse ia përsërita edhe njiherë, por ai e hapi shpejt makinën dhe hyni brenda pa na thanë asgja. Do të ketë mendue, se do kisha ndonji hall, sepse po shifte vajzat tuej qa, e duke qenë se ndoshta s'ka kenë i zoti për hallet e veta u largue pa folë asnji fjalë, as nën hundë, duket që mërzia iu mblodh shpejt nën mustakë. S'kisha ndonji shpresë të madhe, por thjeshtë me më dhanë ndonji mendje. Pak ma andej, nji zoltni, rreth 45 vjeç afrohet kadalë dhe na përshëndet, s'kishte nevojë me pyetë se çfarë hallit kishim se dukej qartë. Me shenja e në gjermanishten e vet, jo si gjerman në fakt, më tha, 'ta thyejmë xhamin', e unë i thashë, prapë me gishta, 'me gjetë nji tel me e futë nga sipër deret për me mbërritë dorezën e xhamit'. 
Pas atij erdhën edhe dy të tjerë, duket se ishin shokë. Folën me njeni-tjetrin, jo në gjermanisht, m'u duk si armenisht, se si me e gjetë zgjidhjen. Njeni me flokët me balluke shkoi te makina e tij mori nji pincë e nji kacavidë. Me vedi mendova se mos do ishin hajna makinash, por pastaj thashë me vedi 'jo', se hajnat ia dinë vendin se si me e vjedhë dhe s'përdorin pinca e kacavida të ndryshkuna. Ai tjetri që erdhi i pari filloi me e tërheqë, duke e ça gominën që mban të bllokuem xhamin nga ana e pasagjerit. Ishte e fortë edhe ajo dreq, tërhiq njeni, tërhiq tjetri, thashë se mos po më thyhet xhami dhe a udhëtohet n'dimën deri n'shpi pa xham. Por jo, ia dolën, e shkyen deri në nji farë vendi e pastaj tre duert e atyne e dy duert e mia e ulëm xhamin poshtë dhe vetëm buzëqeshja e vajzave në këte moment më bani me e kuptue se sa e bukur asht bota. 
I falenderova pa masë në frëngjisht e ata m'i kthyen falenderimet në gjermanisht dhe u ndamë. Vajzat njiherë u çelën, ndërsa e madhja më tha 'e meritoj me më dënue nanë, se e pata fajin unë për çelësat', po kush e kishte mendjen me dënue, vetëm me i puthë fort e mos me e ça kryet. U nisëm për në qendër të Saarlouis, bame pazar te Deutsche Market pastaj u nisme me pa tregun e festave që e kishin instalue në qendër. 
U sollme rrotull nëpër ato kabinat e vogla prej druni ku vinin tana aromat, e sidomos e venës së nxehtë. E vogla ia bani analizën, 'këta paskan pistën e akullit ma të gjatë, por na kena rrotën e madhe e këto nuk e kanë; këta paskan tren për fmitë, por na kena ma shumë lojna'. Ndërsa prisnim të dilte vajza e madhe prej magazinës Tedi, unë e vogla filluem me kcye kangën 'All I wish for Christmas is you'. I mbaruem edhe aty shpenzimet e ndërkohë nga nji shëtitore që lidh qendrën me parkingun kryesor të qytetit dëgjojmë muzikë, njena ishte me motive nga Amerika e jugut dhe tjetra muzikë vallëzimi me ngjyrime cigane. Kur çka me pa, në nji cep të vogël, po i binin nji fizarmonike, klarinete dhe tarabuku tre zotnitë që më kishin ndihmue me hapë makinën. Kam qeshë me ta, sigurisht e meritonin nji shpërblim të madh, por unë dhashë aq sa kisha. E për mos me ia harrue atë çka banen për ne të trija dhe mos me harrue ma çelësat në makinë, se jo gjithmonë e takon mirësinë kështu si kot në rrugë, bame edhe nji foto tanë bashkë. 

s'ua di emnat


No comments:

Post a Comment