Ishin pushimet shkollore të vjeshtës dhe qendra jonë organizon Centre Aire, gjatë dy javëve ofron argëtime me anë të animacioneve, aktiviteteve të ndryshme dhe atelieve qoftë brenda qendrës apo dhe jashtë saj. Lagjia ku punoj konsiderohet si nji zonë prioritare, pra ku fmitë, dhe jo vetëm, kanë nevojë për përkrahje jo vetëm sociale, por edhe për mundësi për me u integrue në shoqni. Janë nandë orë punë pa shkue në shpi, tanë ditën tuej u kujdesë, tuej ba aktivitete e tuej argëtue fmitë e qendrës në bazë të nji programi paraprak. Në javën e dytë BAM, (Boite a la Musique-sallë e madhe koncertesh) e ndërtueme dy vitet e fundit me nji arkitekturë moderne organizonte atelie të ndryshme për fmitë e kësaj lagjeje dhe na si animatorë duhet me i shoqnue në këto aktivitete dhe madje me marrë pjesë njisoj me fmitë. Nji balerinë e muzikës moderne na i luejti kocat nji nga nji tuej na mësue kërcimin e saj, pastaj nji artist na bani me prodhue vegla me mjete rrethanore për me ba muzikë, se në fund të pushimeve do banim nji koncert të vogël në hollin e BAM-it ku do merrnin pjesë fmitë e lagjes dhe prindërit e tyne.
Katër ditët e fundit mue më caktuen me shoqnue katër fmi të qendrës në atelienë e instrumentit muzikor që duket ma i kollajtë, Darbukës, ose ndryshe tarabukut. Kisha pesë fmi; nji nga Guyene; dy (vllazën këta) nga vendet e Afrikës dhe nji vajzë nga Siria e në fund iu bashkue grupit dhe nji fmi, djalë, i lindun në Francë por me origjinë nga Magrebi; në këte atelie ishin dhe tre vajza të vogla dhe nji zojë, rreth 40 vjeçe, franceze, edhe artisti që drejtonte këte atelie ishte francez.
Që kur kam kenë fmi më ka pëlqye me i ra legenave e kovave, nuk e di nga më vinte ky gem prej ciganeje, por s'e fsheh, kushedi sa herë do ia kem ça kryet kojshive me zhurmën teme. E këtë gem s'e kam prè edhe pse jam rritë deri sa bleva për vedi nji tarabuk, i vogël, por i nxjerr mirë tingujt, tash këto kojshitë nuk ndihen kur më mbushet mendja me i ra ndonjiherë, por gjithmonë tuej pasë muzikën në vesh.
![]() |
| Darbuka, nji te ngjashem kisha |
Por tash m'u dha mundësia me kenë me nji tarabuk të madh, të mirë, nga ata që shofim në televizior kur artistët bajnë mrekullina me të. Kishte nji qyp të madh me motive, që më kujtuen zbukurimet e xhamijave dhe lëkurën e kishte krejt transparente, s'guxoje me e cikë se lëshonte tingull. Në fakt kjo atelie kishte kohë që kishte fillue, por duke qenë se nji animatore e kishte ndërrue këte me nji ateliue tjetër, m'u desht mue me e zevëndësue. E artisti, vazhdoi me kursin e tij, e mendoja, "qyqja, për me i ra këtij farë 'legenit' duhet me na e shpjegue me laps në tabelë". Por me kalimin e orëve e pastaj ditëve kuptova, atë që e kanë kuptue me kohë artistat; që muzika nuk asht vetëm shpirt, por edhe disiplinë dhe unë iu nënshtrova këtij rregulli, duke ndjekë çdo këshillë të artistit. I kisha nja dy fmi problematikë, që donin me shkue çdo dy minuta në banjo, ose pas minutit të tretë i dhimbte barku, ose i kruhej veshi, duhej me kenë e angazhueme edhe në atë çka po bahej.
Pjesa që po përgatitnim për artistin ishte e thjeshtë për artistin, por kur s'je brenda kësaj disipline të duket e vështirë e m'u kujtue 'ma mirë më i luejtë kocat me balerinën', por jo, na duhet me kenë pjesa shoqnuese e artistit. Ai do e fillonte e na do e shoqnonim; të ishim në sinkrinon nandë pjestarët e tjerë të kësaj atelieje.
'Dum, dum', ishte pjesa e hyrjes, pastaj 'dum, tek tek, dum tek'...nota 'dum' në Darbukë do me thanë me i ra në mes, ndërsa 'tek' asht kur dora i bjen në cep të kësaj vegle muzikore, mbyllja ishte me dy 'dum, dum', pasi artisti ka ba edhe pjesën e vet. Duhej me e msue përmendësh dhe do që ky ritëm me rrinte në krye edhe kur mbaroja punë, sidomos refreni.
Ndërkohë që banim provat mësova shumë gjana rreth këtij instrumenti, që duhet të jetë ndër ma të vjetrit; artisti gjithë tarabukat që kishte aty i kishte zgjedhë vetë; i kishte ble kryesisht në Egjipt; se aktualisht përdorej shumë lëkura e dhisë; por gjaja ma e bukur që mësova ishte se edhe lëkura e peshkut ishte shumë ma e mirë, pasi kishte nji tingull, që për artistët konsiderohej i rrallë. Ai, artisti, kishte kenë nji natë në breg të Nilit, kishte zanë nji peshk të madh, e kishte pjekë e hangër, ndërsa lëkurën e tij e kishte ruejtë, pastrue, thà dehe e kishte ba nji tarabuk dhe atë e kishte ma merak se asnji tjetër nga ata që kishte përreth, e donte fort. Ndërsa ai tregonte, unë imagjinoja atë njeri me kallam peshku në cep të bregut të nji prej lumejve ma të mëdhenj në botë, nën të nxehtin përvëlues kap peshkun e madh në kallam, e pastaj, pasi i lind ideja për me përdorë lëkurën e tij, merr në telefon zojën e tij e tanë ngazëllim tuej i tregue se çka do bante me 'të; e imagjinoja që ta mbarte në çantën e shpindës me e sjellë deri këtu, ndërkohë që në tregjet e Kajros ai kërkon për qypin ma të përshtatshëm për lëkurën që ka. Ai nuk na mësoi vetëm tarabukun, por edhe me ba përzimjen e zhurmave të ndryshme, që i shndërroi në muzikë të kandshme në përzierësin e vet, nji aparaturë e veçantë; na mësoi si me hy para publikut si me e përshëndetë; se si me e vue tarabukun kur të kryenim pjesë e si me e falendrue publikun tanë bashkë. Ishte i rreptë, ishte kërkues, por njikohësisht nuk ishte detyrues, se fmitë kishin ardhë me msue, me u argëtue e jo me u vue nën presion.
Unë gjithmonë e kam pa dhe duke pa kam msue se kjo vegël muzikore asht për burra. Por ktë mendim e kam ndryshue kur kam fillue me dëgjue kangët e grupit kurd Kardes Turkuler dhe videot e tyne i kam ndjekë në youtube; që prej dajreve; daulleve edhe tarabukut i bijnë gra; apo kur kam fillue me ndjekë kangët e grupit Light in Babylon, ku kangëtarja Michal Elia Kamal i bjen nji tarabukut të madh sa gjysma e trupit të saj. Sa natyrë e lirë duket ndërsa luen mrekullueshëm me dhjetë gishtat e saj. Vetëm me e pa e kupton se me sa shpirt i bjen, nji shpirt që gjithësesi kalon nëpër nji disiplinë të caktueme për me ba muzikë të bukur. Ndoshta vonë me i pa këto, por s'asht asnjiherë vonë me kuptue se asgja s'asht vetëm për burra, njisoj sikur asgja s'asht vetëm për gra.
Natën e shfaqjes modeste grupi jonë do ishte i katërti në radhë. Pasi i ndoqëm grupet të atelijeve të tjera u ulëm edhe na me paraqitë përgatitjen tonë. Fmitë, edhe pse nja dy prej tyne sherra të papërmbajtshëm, u mbytën nga emocionet, njeni e fshehu gushën nën xhakovento, të cilën s'pranoi me e heqë, e tjetri, gati sa nuk po qante, vetëm se po i mbante brenda lotët. Para nesh fmi e prindt e tyne e unë aty, nji 'albanese', që dukej ma tepër si motra e Harry Poterit (për shkak të gjysylykëve) se sa nji instrumentiste. Filluem, me emocion, por e randësishme ishte me e ndjekë këshillat e artistit që na e bante me krye se kur duhej me fillue e kur duhet me ndalue.
Hymja na doli mirë, te refreni na këputi në kryq artisti, sepse e la instrumentin e vet dhe mori nji dajre të vogël me i dhanë ma ngjyrë pjesës muzikore që po luenim. Unë përsërisja me mend 'dum, tek tek, dum tek' dhe për mos me e ngatërrue ia përsërisja fmisë që kisha afër, i cili vazhdonte me humbë në xhakoventon e vet. S'tham se ishim në sinkron të tanë, por kur mbaroi pjesa fmitë e ardhun aty na duartrokitën, ndërsa fmitë e qendrës thirrnin emnin e secilit prej nesh (mue ma shqiptojnë gjithmonë Gilmen). Fmitë e qendrës që ishin me mue, sa mbaruen përshëndetjen e fundit, ikën e u fshehën, sa me i shkarkue emocionet që kishin pasë. S'ishte spektakël i madh, po diçka për me gëzue fmitë, me finalizue punën që ata kishin ba për gati shtatë ditë, por i kishte të tana, dritat, spektatorët, emocionet, gabimet, hovin, shpirtin dhe disiplinën. Unë, ajo e kovave dhe e legenave të dikurshëm e dhashë spektaklin e parë me nji mjet muzikor që e due, jeta t'i sjell disi, herët a vonë, tana mundësitë.
Pasi të gjithë u larguen nga BAM na u mblodhëm në qendrën tonë. Pas nji pune të lodhshme dy javore në qendër po përshëndeteshim me tanë ekipin e animatorëve dhe drejtuesve. 'Conciergie' i jonë, nji zotni nga Bled (përndryshe Algjeria) më ndali e më tha: 'felicitation madame Darbuka'.

No comments:
Post a Comment