Wednesday, November 11, 2015
Arlinda Brühl: "Për ty duhet të bien trendafila të kuq nga qielli"
Hhhhh! Hhhhh!
Shtëpia e tyre vjen një erë shumë të thartë e të keqe, ndonëse pikën e pluhurit nuk e sheh, rrëmujë ata mure s´kanë parë ndonjëherë. S´ka kurrfarë papastërtie. Është trupi i saj ndoshta që kundërmon ashtu nga ilaçet e shumta që pi prej vitesh për të zgjatur jetën.
Ajo nuk i ngjan edhe aq shumë një njeriu, është si shabllon njeriu. Ka flokë gri dhe forma trupore si të njerëzve dhe përveç ilaçeve ushqehet edhe me ushqime të zakonshme. Këto pak i preferon ama. Ai çdo gjë ia gatuan, sipas kujtimeve që kanë pasur. Ai ndjen erën e parfumit të jaseminit kur përkulet t'i puthë gushën. Në gushtin e vitit 1950 i buçisnin në vesh fjalët e babait të saj: "Ajo s'do të rrijë kështu gjithmonë! Ajo do të ndryshojë! Ti do ta duash, do t'i qëndrosh pranë? Ajo s´do të të dhurojë fëmijë, je i ndërgjegjshëm për këtë gjë?!”
Winfried nuk fliste. Veç pohonte. Ndërkohë ajo i afrohet babait dhe atij, të fejuarit të saj. Ka veshur një fustan të verdhë që i shkon mrekullisht për shtat. Rrotullohet para tyre dhe me vështrim e mimikë i pyet: "Dukem bukur?" Atij i dridhen gjunjët nga dashuria që ka për të. E do, e dëshiron, s'mundet të jetojë pa të. Pak më vonë do të dashurohen marrëzisht mbi dyshemenë e shtëpisë së nënës së saj, e cila ka ikur në një fshat aty pranë për të blerë diçka që i nevojitet. Në fakt, ajo veç ka kërkuar një justifikim për t'u larguar. Helga e do marrëzisht të bijën, Rozën. E ç'mund të bëjnë dy të dashuruar veçse dashuri në një shtëpi bosh, ka menduar dhe është larguar.
Winfried psherëtin thellë. "Askush nuk i beson dashurisë sime për ty! – i thotë më shumë vetes se Rozës që vazhdon të rrijë shtrirë me sytë e mbyllur. Buzët i përngjajnë një trëendafili në çelje e sipër. është magjepsëse!!! Si i shkon mendja dikujt të mos e dojë këtë qenie, mendon ai. Të mos e duash dikë veçse ka për t'u sëmurur një ditë? Se nuk do të ecë më, se s'do të flasë më? Të mos e duash sepse nuk mundet të të dhurojë një fëmijë?!
Disa syresh i kishin pëshpëritur në vesh, që ajo të mos e dëgjonte: "Kjo është me fat që ka gjetur dikë si ti!" Dhe ai ua kish kthyer rrufeshëm e me zë të lartë që ajo TA dëgjonte "Ah jo! Më vjen keq! Fatlumi këtu jam unë! Jam me fat që ajo më nderon me besimin që ka tek unë. Më nderon ajo mua, dhe më dhuron çdo ditë jete nga e saja, se e saja do të jetë ndoshta më e shkurtër se kjo e imja që tani më duket si e pakufizuar. Ditët e saja janë të numëruara, si orët edhe minutat, prandaj, mos më bezdisni më me brroçkulla, ditën e mirë!" Aq. Më shumë Winfriedi s'thoshte. "Ndoshta" - kishin thënë mjekët, "ndoshta ajo do të vdesë shumë shpejt". Muskujt do t'i tkurreshin dhe kockat do t'i bëheshin shumë të thyeshme. Nuk do të fliste më me goje. Kjo s'kish shumë rëndësi. Ata kuptoheshin me vështrime. Ishin 20 vjeçarë atëherë. Dasma e tyre nuk u bë gjigande. Babai i saj rrinte ende i ngrysur nga mëdyshja nëse një burre do ta mbante për grua të bijën me diagnozën që ajo kish. E shoqja, Helga, sa s'fluturonte nga gëzimi. Helga ishte nga ata paktët që besonin tek dashuria.
Hhhhh! – dëgjonte ai si në tym. Hhhhh! – Roza i tregonte ndërkohë me mundim me gishtat e kërrusur nga artriti pjatën që kish rrezuar pa dashje përtokë. Por ai kish kaluar në një fazë tjetër të jetës së tyre. Ishte në Itali. Kaçurrelat e saj të verdha dhe rrumbullakosjet, që kërkonin të dilnin nga fustani, kishin fituar simpatinë e kalimtarëve meshkuj në piacën kryesore të një qyteti të vogel. Një kamarier del papritur nga një bar aty pranë dhe këndon me zë të lartë "O sole mio!" tek e shikon me adhurim. Ai krenohet. Le ta shohë e tërë bota Rozën e tij të bukur! është e bukur, është grua e bukur, është njeri i bukur! Roza është e mbushur me jetë! Për çdo sekondë që ajo i fal atij nga jeta e saj, ai i është mirënjohës. Nuk harron asnjë takim me mjekët, asnjë orë terapie, asnjë ditëlindje të sajën, asnjë Shën Valentin, asnjë dobësi apo preferencë.
Hhhhhhhhh! Hhhhhhhhhh!- bën Roza. Ka muaj që nuk flet, por vite që nuk ecën dot vetëm, pa ndihmë.
ëinfried është larg, oh sa larg! Ende në Itali, në Toskanë. Janë buzë detit. Ai këndon një këngë gjermane "Für dich, soll´s rote Rosen regnen!" Në fakt e ka modifikuar tekstin. Në origjinal këngëtarja thotë "Për mua duhet të bien trendafila të kuq nga qielli!", por atij s'i pëlqen dhe pa një pa dy i këndon versionin e ri "Per ty… " Roza qesh e kënaqur. Vallëzimin ajo e adhuron si jetën. Ashtu siç adhuron edhe fëmijët, që s'do t'i ketë kurrë. I do të tërë fëmijët që njeh, pa dallim. I do vërtetë!
Hhhhhhh! Hhhhhhhhhh! – bën Roza. Winfried e puth mbi flokë, si atëherë në breg të detit. Zilja e telefonit kumbon pa mëshirë duke e rikthyer në shtëpinë e tyre ku mbizotëron heshtja. Im bir paraqitet me emrin e tij në telefon. I kam dhënë porosi t'i falenderojë për dhuratën që i kishin dërguar. Është ende i vogël. Sforcohet dukshëm kur flet me të rriturit. Biseda nuk zgjat shumë. Përgjatë bisedës që nuk i arrin as dy minuta, ëinfried ka zbuluar më në fund, se në bregdetin italian është thyer një pjatë e sheshtë porcelani.
I lëmon flokët Rozës së ulur në karrigen me rrota e këndon "Për ty duhet të bien trendafila të kuq nga qielli".
Janë 85 vjeçarë sot.
Hhhh! Hhhh!
©
https://www.youtube.com/watch?v=z_K_w1Yb5Yk
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment