Java e fundvitit të kaluem ishte ashtu siç më janë lutë disa herë varzat, me ndjetë me ta, me ndejtë në shpi, me e ndje praninë e njena-tjetrës në përditshmërinë e zakonshme. E kjo u ka pëlqye, ashtu siç nuk e mohoi se më pëlqeu fort edhe mue. Ishte nji rast i mirë me ndejtë me vedin me ba ata gjana që nuk arrin me i ba në javët e ditët e ngarkueme me programe të tjera, shkolla, puna, oraret që arrihen apo orare që kurrë nuk mbërrihen. Pata rast me i harrue. E njikohësisht m'u dha rasti i fatluem me kujtue, me rifreskue kujtesën, si nji institucion i patjetërsueshëm i historisë së nji njeriut, i cili bashkë me historitë e të tjerëve ban historinë e nji vendi.
Në tre ditët e fundit të vitit Rud Erebara më solli romanin e tij (në format kompjuterik), që asht në proces e sipër, titullin e të cilit po e la për njiherë tjetër. Faqet e para më kujtojnë që duhet ta zhvesh lëkurën e re, të nji grueje që jeton me ritmin e nji shoqnie tjetër, për me dalë të ajo lëkurë që na dhemb fort, kohën e kalueme në komunizëm, edhe pse dhimbjen si të tillë s'e kam provue në shtat, por që gjithësesi, disi, me të tjera mënyra e kam provue atë sistem. Dhe faqet e tjera më bajnë me mendue se duhet me u ulë shesh e me lexue atë çka kena jetue, sepse aty nuk asht jeta e jeme, por jeta e të tanëve që si personazhe ka njerz që janë dënue me mendësi, ligje e kumte idiote. Dhe me kalimin e faqeve, ashtu tuej u ngulë para kompjuterit n'orët e darkës, i tham vetes duhet me e mbarue me patjetër nji gja që ka kenë pjesë e jotja para se me ardhë viti i ri. Libri i Rudit, me gjuhën që due, atë gjuhë që e kena folë dhe e flasim përditë, por tashma të përdorun për me na tregue me art trazimet e njerzve, kotësinë e ditëve të kalueme nën udhëheqjen e nji sistemi që s'di se çfarë emnit duhet me i dhanë. Unë kam lexue prej Rudit edhe 'Vezët e Thëllëzave', por romani tjetër i tij, asht pjesa e absurdit që kena jetue, e që duhet me patjetër me i dhanë emën. Asht jeta jonë e përditshme, shpia, familja, pallati, lagjia, njerzit, dashakeqësia jonë për tjetrin, dashnia e paktë, blemja e bukës, e latës së druve, puna, kulisat e vogla dhe të mëdha, pija, cigarja, shpirtrat e mëdhaj e të vegjël, e të tana këto nën vëzhgimin e rreptë e të çmendun të partisë, udhëheqësit, zëvendësit, ministrit, hetuesit, komunistit të vogël, ideologu idiot. Kjo, partia pra, nji mekanizëm i ngritun dhe i mbajtun në kambë prej njerzve që rrahin gjoksin për kontribute të vetshpalluna, që shofin gjithkund komplotin, që shofin gjithkund të tjetri anmikun, që dojnë me la duert me tjetrin pa iu dridhë dora e qerpiku. E duke lexue historitë, dialogjet, atë që e kena pasë si frymëmarrje të përditshme këtu e 25 vjet ma parë, tham që ai absurd përveç 'llum njerzor' i mpiksun me ideologji idiote, s'di se çka tjetër ka kenë. Po si kanë jetue prindërit tanë nën këtë absurd, pse nuk e kanë ba nji përpjekje për vedin, për ne? Po ne si kena jetue në atë llum pa ba nji përpjekje për vedi e për fmitë? S'di se si me ia shpjegue fmive, si me i thanë që na shqiptarët, na 'trimat' me fletë, dhiteshim para nji kryetari lagjeje apo para nji muti që kena pasë sekretar partie? Si me ia shpjegue pafuqinë tonë para nji udhëheqje që na mbante nën hyqëm me nji kanop leshi? Janë shumë pyetje që ngrihen prej atij libri, që në fakt asht mirë që asht ashtu, i tillë, i thertë deri n'asht, sepse ndryshe, pa nji histori pa doreza nuk ke se si ua shpjegon fmive historinë e prindve, gjyshërve e të tanë nji kombi. Ja ashtu me thonjtë në gojë mbaroi pjesa që më kishte nisë Rudi, i cili më tha që ka dhe nji pjesë tjetër e iu luta 'aman, se asht viti i ri e do rri ngulë në kompjuter e s'do baj asgja tjetër'. Gjithësesi ai ma nisi, që kur të kem kohë me e lexue.
Por vitit që kaloi ia përkushtova tanë nderet që i takonin në ditën e tij të fundit, sepse ka kenë nji vit i mirë për të trija në shumë aspekte. E i lejova vedit me u humbë ndër filmat e kohëve të maparshme, Gene Kelly, Cary Grant, Natalie ëood, Julie Andreës, Romi Shneider deri tek Billy Cristal, nji shoë autobiografik. Ishin edhe me qa edhe me qeshë të gjitha këto kujtime të së shkuemes.
Edhe pse e harrueme kështu, nëpër mend më kalonin personazhet e Rudit, Edmondi-Sulejmani, Ismaili, Adriatiku, Enveri, Avniu, Koci, Ramishi, vetë udhëheqësi i dikurshëm. Atje përballë tyne dukesh i dështuem si njeri, që s'e fitoi luftën para nji grushti morrash që mbanin shtetit, i cili shumë mirë mund të rrëzohej me pak heronj, që na munguen atëherë, e çuditnisht po na mungojnë edhe sot. Asht pjesë ma e shkurtë dhe hyn menjiherë në frymën e librit dhe je aty përballë nji pasqyre që ti ke harrue se ekziston, dikush, disi, qoftë edhe për kot duhet t'i mbushte minierat, burgjet edhe varret e atij sistemi dhe për secilën gjendet arsyeja, shkaku, krimi dhe duert të mbesin bosh kur e mbaron në nji qeli ku Sulejmani duhet me pague patjetër nji gja, atë që thotë partia që duhet me e pague, e për këtë partia fut në lojë tanë mekanizlat e vet çalë çalë, përfshi këtu edhe Lidhjen e Shkrimtarëve.
Me lutjen që shumë shpejt do kem edhe pjesën e fundit, që Rudi ende s'e ka hedhë në format kompjuterik, tham që me histori të tilla t'i mësojmë fmitë tanë se si e kena jetue jetën e me u dhanë nji këshillë që mos me kenë ma asnjiherë si na. Unë kam marrë shumë dhurata të ngrohta nga varzat për vitin e ri, përkushtime shkrue tanë dashni edhe pse ndonji me gërmë jo të drejtë. Ky libër i Rudit edhe pse ishte nji tragjedi, ishte dhuratë po aq e ngrohtë sa të tjerat. Për këtë e falenderoj dhe i uroj tana të mirat. Gëzuar vitin e ri të tanëve.
![]() |
| Parrullat, thelbi i historise se romanit |

No comments:
Post a Comment