E dashtun Leda!
Due me të falenderue për vizitën që bamë bashkë në Museè d'Oragnerie të shtunën e 24 tetorit, ku vizituem ndjeshëm ekspozitën e grave fotografe nga viti 1839-1919. Organizatorët e kishin titullue 'Kush ka frikë nga gratë fotografe?' Ndoshta ishte pikërisht kjo pyetje, që e pashë rastësisht në faqen tande të facebook-ut, që ma shtoi kureshtjen për me e pà kur të vija në Paris. E kur gjeta edhe gadishmërinë tande, i thashë vedit, 'po', kam për të shkue. Jo më e gjetë përgjigjen e pyetjes që kishin ngritë organizatorët, por thjeshtë me e ditë, pse e kishin ba atë pyetje. Unë e mora me qindra kilometra larg kte dëshirë dhe nga ekspozita dola me diçka tjetër në krye.
Rreth dy javë ma parë pata nji bisedë me Besën (Maliqin), ajo asht fotografe dhe modele e fotografive të saj. Ndër të tjera i shkruajta, se nëse nji imazh e marr me vedi me ditë, javë apo kohë të tana, asht efekti ma i madh që len te unë nji fotografi. E ta dish që te unë ende asht i gjallë imazhi i fotos 'Samaritan woman with her dead child'; të kujtohet ishte te salla e dytë e ekspozitës, pikërisht sa hyje, në krah të majtë. Ajo asht vetëm me bust, në profil, ka nji shami të bardhë deri në gjysë të kryetit, shef majtas, ftyrën e ka krejt të bardhë, dukej sikur ishte e qetë, por jo, ftyra e saj, përveç syve të hapun, s'ka shprehje, s'ka jetë. Në krahun e majtë të saj; pak sipër brrylit, ka nji shtrat me shtroje të zeza e sipër tij asht i shtrimë nji fmi i bukur biond; kaçurrela të vogla; asht gati gjysë i zhdeshun, nji bluzë e bardhë, e ngritun deri sipër gjoksit, në formë të ç'rregullt, gati duket sikur asht nji bluzë ma e vogël për trupin e tij, i duket krejt barku, poshtë ka pelena të bardha dhe kambët i ka të zbulueme, të shtrime njsioj sikur flenë fmitë, duert i ka të lëshueme krejt të lirshme sipër kryetit, duhet të ishte rreth dy vjeç ai fmi, e për ma tepër ftyrën e ka të kthyeme krejt nga aparati fotografik. Përveç syve t'mbyllun, nuk ndryshon asgja nga pamja e s'amës, i bardhë dhe pa shprehje, pa jetë. I lexova shënimet që kishin vendosë poshtë fotografisë, pllaka gri, me shkronja të vogla, që në fillim s'ia kuptova randësinë, por nga fundi i ekspozitës më humbi durimi me i lexue. Të kërkova nëpër sallën e dytë, por s'të gjeta, për të thanë se çka kishte fotografue fotografja. Atëherë gjeta diku Zarën e ia shpjegova. Aty fillova me hy në shpirtin e ekspozitës, sepse fotoja realisht më preku, ia pata lexue emnin autores, por kur kam dalë nga ekspozita kam marrë me vedi imazhin e saj dhe jo emnin, disi më kujtohet se ajo kishte lindë në Indi. Pse më bani përshtypje dhe pse e kam me vedi këtë imazh? Thue se unë e pashë atë në kontekstin e nanës; të grues që frikën e vetme, frikë që e ndjek ndoshta përditë në pavetëdije asht humbja e fmisë së vet? Ndoshta po, e ndoshta jo. Për ta mbështetë ma shumë kte 'jo'-në teme tham që kam marrë me vedi imazhin që ishte m'u në ballë të sallës së dytë, nji zojë, në profil, veç zi, e bardhë ishte ftyra dhe flokët e saj...të thashë, 'Leda Emily Dickinson', e ti më the; 'jo, asht nana e Virxhinia Uolfit', e pashë edhe njiherë pas këtij detaji dhe u mrekullova me foton e saj, me shëmbëlltyrën që pat përcjellë nana te vajza; jo, duhet me ta heqë prapë idenë se u emocionova si grue, si nanë.
![]() |
| Julia Margaret Cameron. “Zojusha Herbert Duckson” (portret,1867) |
E di, kur pashë atë foton me titullin 'Emigrantë nga Europa e Lindjes', në bord t'anijes janë pak gra, të uluna si në stola e poshtë tyne, pikërisht te kambët, kanë fmitë, diku pas tyne asht edhe ndonji burrë me kasketë. Iu afrova me pà, se mbase mund të dalloj ndonji shëmbëlltyrë shqiptareje në mesin e tyne, por veshjet s'ishin tonat, kishin bohçe të bardha, shami të bardha në krye, por me ruda sipër, e na nuk i kena pasë ndonjiherë këto ruda, as si shenjë varfnie. Kam marrë me vedi edhe imazhin e zojës fotografue në 92 vjetorin e lindjes dhe 74 vjetorin e martesës; rrudha të fjetuna në gushë e faqe dhe në krah të majtë të ftyrës, pak nga qendra kishte atë nishanin, i cili kishte dy tre qime, mes të cilave edhe të bardha. E mbaj mend, nuk shikonte nga aparati që e kishte fiksue, por poshtë, nga e djathta, kishte shami të zezë, e cila nuk ia mbulonte krejt kryetin, mund t'ia dalloje fort mirë ndamjen në mes të flokëve dhe fijet e shumta gri.
Pastaj më tërhoqe vëmendjen mbi nji foto tjetër, që e kisha kalue shpejt, nji grue tjetër, e fotografueme nga mesi e nalt, me flokët e gjatë e të shpupurishun, me bluzën gjysëm të hapun, me krye mënjianë. 'Engjëlli n'varr' më the që kishte titullin, e pashë me andje, ndërsa më shpjegoje se ishte zgjedhë nji grue leshra lëshueme, si shenjë sensualiteti, por 'a asht vdekja aq sensuale sa grueja në foto?'. E kupton, prapë jam te raporti vdekje-grue- nanë.
![]() |
| 'Engjëlli n'varr' |
Kurse fotot e tjera, të Darvinit apo të Rodin në studio janë imazhe që i kam pa edhe ma përpara, por më banen pështypje, pikërisht se kto foto i paska shkrepë nji grue. Ndërsa ma shumë se fotot, ajo çka më bani ma shumë përshtypje ishte fakti që nji grue, pasi kishte lindë dhjetë fmi kishte vendosë me u ba fotografe, dhe modelet e fotove të saj ishin pikërisht fmitë, në ambiente shpie, natyrë, etj; më bani përshtypje edhe që në tanë atë ekspozitë, me emna të ndryshëm s'kishte asnji italiane, vetëm nji franceze dhe tana të tjerat angleze e amerikane.
![]() |
| Alice Austen Cigaret |
E në kte pikë, due me kujtue faktin ma të randësishëm, që e ban kte ekspozitë të jashtëzakonshme, vitet e shkrepjes së këtyne aparateve, 1839 të parat. Pikërisht kte fakt ma përsërite disa herë, sidomos në fotot e para, menjiherë në hyrjen e sallës së parë; në krah të majtë pamë nji album me foto, që ishte hapë të nji fletë me diçka blu e mbi të shenja të bardha, të nji gjetheje. Pikërisht ktu u tregova 'katnare e karagjoze', duke qeshë nën za e në vështrimin e nji prej kujdestareve të ekspozitës, asaj grues të gjatë, që kishte për detyrë me u thanë vizitorëve mos me prekë asgja e mbi të gjitha mos me ba foto (i shkoj goja mbrapa të shkretës me vajzat e mia, e sidomos me Jutbinën). E kam pak në natyrë me u tallë edhe me gjanat e bukura, por nuk zgjati shumë, pikërisht te fotoja ku tregohet nji rrugë e thjeshtë në Rouen të Francës, ndërsa lexoja vitet, emnat e veprat e artisteve, fillova me hy në histori, e cila na kishte ftue aty me pyetjen 'Kush ka frikë nga gratë fotografe?' Prandaj due me të falenderue edhe për kte, 'shifi vitet kur i kanë ba, atëherë s'ka kenë si tash ku gjithkush mund ta ketë nji aparat, Iphone, e shumë mjete të tjera për me e ba të përjetshëm nji çast'. E na u largueme prej ekspozitës, secila tuej marrë me vedi përshtypjet personale; për mos me harrue që vizitueme edhe dhomat rrethore te Monesë, me pikturat gjigande të Nimfave, e dy vajzat e mia dukeshin si dy nimfa me nervat kaçurrel. Zara mezi pozoi para njenes prej pikturave të Monesë e Jutbina ia fuste vrapit sa në njenen sallë në tjetrën, si me kenë kand lojnash.
![]() |
| Anë Brigman (1909) |
Ndërsa unë nuk e di se çka kenë tuej ba nana e gjyshes seme në 1839, kur nji grue vendosi me shkrepë nji imazh e me e ba pjesë të historisë së grave në fotografi; por di që në moshën e vajzave të mia, gati 6 vjeçe e vogla dhe 11 e madhja unë s'kam pasë televizor dhe jam shumë e gzueme që u dhashë vajzave të mia me pa histori, jo vetëm Monenë.
Por e di, nuk mjaftoi fakti që u bana pak karagjoze në ekspozitë, kur mbas nji javet kujtohem 'pse mos të baj nji reportazh?' Po unë s'kisha marrë asnji info, asnji shënim, asgja, as ndonji fotografi kështu si fshehtas, siç banë disa aty në ekspozitë, se dikur i kam qa me lot kto gjanat 'ilegale' kështu. E të shkrojta për me u kujtue për emna, sidomos për autoren e fotos 'Samaritan woman with her dead child', etj etj, e më pyete 'pse s'more shënime ti?' Kështu e braktisa edhe idenë e reportazhit dhe vendosa me të shkrue kte letër.
Atëherë i hyna më gjetë informacione dhe arrita me marrë nji pjesë të vogël, por jo pak të randësishme. Julia Margaret Kameron duket se ishte ylli i asaj ekspozite, pikërisht ajo që kishte ba foton e nanës me fminë e vdekun, apo profilin e nanës së Uolfit, e cila kishte kenë modele në disa fotografi. Në internet gjen tana informacionet për të, nji shumësi fotosh. Si thotë nji nga fotografet e sotme, intervistuar te emisioni La Galeri transmetue në Francë 5 'nuk e di pse fillon njeriu me fotografue, e pikërisht n'at epokë që ishte e vështirë, ndoshta nga dëshira, s'e di...unë kam fillue me fotografue pa e ditë se do bahem fotografe'...kurse artistja tjetër thotë 'gratë kanë arritë me fotografue atëherë pasi kishin nji stad social të caktuem' (ktu m'u kujtue edhe pak Simonë dë Bouvar). Në fakt edhe në ekspozitë, diku ishte shkrue, s'e di tash te cila, që fotografet në shumicën e rasteve kanë pasë mbështetjen e burrave, vllazënve apo shoqënisë së tyne për me e plotësue dëshirën për me fotografue. Tuej iu futë edhe ma shumë informacioneve nga La Croix mësova emnin e asaj që kishte fotografue cianotipet, Anna Atkins, britanike. Në internet në biografinë personale të saj, mësohet se ende nuk e kanë nda se cila ka qenë e para fotografe Atkins apo Konstancë Talbot, e cila ka kenë pikërisht grueja e atij që shpiku fotografinë, U.H.Talbot. Por Ledë e sigurtë asht që gratë kanë fillue me fotografie që në shpikjen e aparatit.
![]() |
| Anna Atkins Cianotipet |
Në Liberation msova që Amerika dhe Britania i ka dhanë me kohë vendin e duhun grave fotografe, sidomos pioniereve, që në vitet 1970 apo 1980 , e ndërsa Franca kte po e bante vetëm në 2015. Atëherë e kuptova pse e kishin titullue ashtu ekspozitën 'Kush ka frikë nga gratë fotografe?' dhe nji përgjigje asht; prej tyne ka frikë nji shoqni e mbyllun, nji patriarkat që nuk e shemb asnji revolucion. E ndërsa tham se kështu kanë mendue francezët, qeshi me vedi, po shqiptarët çka mendojnë? Alice Austen asht autorja e atyne emigrantëve në anije, për të cilën nga ekspozita kujtoj faktin që ajo s'ka pranue asnji model burrë (shpresoj të mos gabohem) dhe rolin e burrave në fotot e saj e kanë ba po gratë, në disa prej tyne asht edhe ajo vetë e veshun si burrë. Gertrude Käsebier (kte e kam më duket) asht grueja që vendosi me u ba fotografe pasi kishte lindë dhjetë fmi; francezja me pamjen e Rouen asht Franceise Selinë Laguarde; Anë Brigman asht fotografia që ka nudot në ekspozitë, pastaj kam gjetë emnat e Imogjen Kuningam, Li Miler, Gjisele Freund, i mbaj mend si emna që i kam pa në ekspozitë, por nuk kujtoj fotografitë e tyne. Te filmi i France 5 artistët e intervistuem e pranojnë që periudha 1839-1919 ishte fillesa, pasi pas këtyne viteve grueja fotografe merr ma shumë frymë dhe luen ma lirshëm me aparatin. Por kjo pjesë gjendet në Musée d'Orsay, që s'arrita me e pà.
Në fund, për me e mbyllë kte letër të gjatë, po i përgjigjem pyetjes, e cila më kishte tërheqë deri te dyert e muzeumit, 'unë kam frikë prej atyne fotografeve'. Pse do thuesh ti? Po ja, pavarësisht stadit të tyne social, pra s'kanë pasë nevojë me jetue me artin e tyne, stad që mund ta kenë pasë në Europë ndoshta 2 për qind e grave, ato kanë guxue. Ky guximi i tyne për me provue diçka të re, pavarësisht pengesave, e ndër pengesat ma kryesore asht mendësia, e pranoj që asht emocionues, por edhe frikësues. Asht frikësues, sepse në kte vit ku jena, me kto kushte që jena, unë s'arrij me guxue me të njëjtën forcë siç filluen gratë e 1839. Ngushllohem me vedi me kte; imazhet që kam marrë me vedi, të plotësueme edhe me informacione, përbajnë kapituj të randësishëm të kujtesës, që asht pjesë e randësishme e formimit tem sigurisht edhe të nevojës për me pasë ma shumë guxim.
Të përshëndes





No comments:
Post a Comment