Sunday, January 31, 2021

Gilmana Bushati: Origjina

Na vijmë prej një trashëgimije shekullore shtypjejet, e cila për me sundu ma gjatë që të jetë e mundun ka eduku vetshtypjen. E këto të dyja i kanë ushtru në fizik, në mendje e në shpirt, që na me kenë gati që kur të lindim krijesa, të lindim dy të ndryshme. Djalin që duhet me e rritë nën shembullin e hijen e kreut te oxhakut dhe vajzën që duhet me e rritë nën shtypjen e të dyve edhe nën hijen tande.

Na vijmë prej besimeve që ndjekin logjikën e oxhakut të shpisë. Bota kishte një ndërtus e rregullus jetet të vetëm, Zotin, i cili ka fuqi ma të mbinatyrshme se burri. Por ai vendosi që fjalën e vet me e sjellë këtu ndër ne me anë të burrave, tek të cilët bani diçka të mbinatyrshme, i ushqeu hyjnoren për me përçu rregullat hyjnore. Edhe një që zgjodhi vetë me e formu qysh në bark, edhe ai ishte djalë (pastaj pretendojnë besimet me thanë që Zoti s’ka gjini, kur Ai në këtë mënyrë e në të tjera e ka formësu vetë gjininë e vet në psikoligjinë tonë). Ndër rregullat e Zotit ishte edhe frika e ndërshkimit prej tij, nëse shkelje ligjet hyjnore, kështu që kjo frikë iu mbivendos shtypjes që kishim te shpija dhe shtypja u plotësu edhe me nji forcë mbinatyrore të atij që krijoi botën.
Na vijmë prej nji shoqnie e krijume, e forcume dhe e ndërtume prej këtij binomi, kreu i botës dhe kreu i oxhakut. Kur erdhi koha që tashma na të kishim za, na banën pjesë në ndërtimin e saj dhe e shpallëm me të madhe ‘qe e bame grunë, pjesën e shoqnisë’, kur ajo në fakt u ba vetë. Këta që krijojnë, forcojnë, ndërtojnë, të pranunën por sipas modelit tyne. Na ‘fitume’ dy, tre, pesë njëzet e pesë, njëqind e njëzet e pesë të drejta. E këtu qëndron problemi, na s’kena nevojë me i ‘fitu’, na kena lindë me këto të drejta, prandaj na s’kena nevojë me i ‘fitu’, ndaj kujt, kush asht kundështari jonë, që paskena nevojë me i fitu? Na kena me vazhdu me kërku këto të drejta që na takojnë, duke humbë shumë kohë, kena me rritë fmi, duke i brymosë me faktin se duhet me luftu për diçka që i takon, kurse i ngjashmi i tij, me gjini tjetër, i ka gati këto të drejta. Këtu qëndron epërsia e tyne ndaj nesh, ata kanë shekuj që krijojnë, forcojnë, ndërtojnë e në gen tashma e kanë të ngulitun se janë klasa drejtuese, ndërsa na kena veç dy shekuj që jena pjesë e kena fitu veç të drejta që na takojnë. Një burrë që i qëlloi me kenë edhe drejtues e pastaj fitues i një lufte pat shkru njiherë se ‘burri ka me kry aktet ma çnjerëzoret e gruja moderne ka me i ndjekë’. E na më duket, për me kenë në barazim me të famshmit e të gjithëdijshmit e botës, duhet me u ba vetë dhe mos me i Ndjekë, por asht e vështirë, sepse jeta ecë mbi këto baza prej qindra e qindra shekujsh.

No comments:

Post a Comment