Monday, September 20, 2021

Dita e njizet e një, shtator

 

Dje ka kenë nji ditë e lodhshme shpirtnisht e moralisht për mu. Libri i Sapienzës, që edhe për pak e mbaroj, më ka hapë sytë për shumë gjana, më ka kthy përgjigje për paqartësitë e mia, që dikur i kam qujtë difekte të miat.

E pikërisht kur jam zgju, falë këtij ndërgjegjësimit, e kam pa vedin n’ambientin që nuk i përkas, por për shkak të jetës më duhet me kenë. E detyrimi për mu, ka kenë shumë herë i vështirë me u kalu, me u kapërdi e sidomos me u ba urë.

E dje në punë brenda dy veta brenda mejet grindeshin, duke më dhanë nji pamje të trishtë, të lodhun e tejet të largët për njerzit me të cilët punoj.

‘Dukesh e lodhun’ më tha nji kolege punet, ‘ke punu tanë ato orë, normal që je e lodhun’ . Si mundem me ia shpjegu asaj që nuk asht lodhja fizike që ma jep këtë pamje, por janë grindjet e shpeshta të atyne dyjave që kam brenda vedit që shpërfaqen kështu ? Sigurisht edhe ajo në mënyrën e saj e ka këtë luftë, por atje mes makinerive e në ambientin që të don me kenë makineri nuk mundesh me i hy këtij diskutimi.

Shkova herët në punë për me iu largu librit. Ai hapi nji luftë të ashpër mes dy njerzve që jetojnë bashkë në nji trup; e para thoshte, len gjithçka në moment e fillo nji jetë tjetër e atje jeto si të dush, pa ndonjë detyrim përkatës, pa ndonjë vend të caktum, pa qëllime, pa objektiva, thjeshtë jeto në nji vend larg, vetëm, mundësisht në natyrë e atje ke mundësi me lexu e shkru çka të dush, po prapë pa qëllim me u ba ma e dijshme apo me nji shkrim ma cilësor dhe e dyta; ajo me kambë në tokë, e cila e din se deri ku i shkojnë liritë, e din që duhet me kenë e pranishme për me i siguru vedit edhe vajzave jetën e përditshme, sepse ato kanë ende nevojë për ty, i ke marrë me i rritë vetë për me i dhanë shembullin se arrihet gjithçka tu luftu me vedin e ditën, vetëm se duhet me dhanë shumë gjana prej vedit. 

Pastaj ajo e para, thepe ajo, i thoshte kësaj të dytës, po kështu ti po i mëson mos me andërru, mos me u dashtë e mos me dashtë, nuk po i mëson se duhet me fluturu, duhet me ditë me i lanë tana gjanat mbrapa e me fillu prej së pari, kur kanë me e mësu këtë, prej kujt kanë me e mësu nëse ti nuk e ban hapin e parë vetë. 

I fitonte tana betejat e para, ishte ma e fortë 5kështu ka kenë në tana betejat, nuk kam si e harroj) ma argumentuse, ma fluturuse, ma andërruse, dashunonte ma shumë dje, të tana ftyrat e ambla dje i dukeshin te denja për ‘te me u dashunu, s’ka gja, për nji orë, dy ditë, tana ftyrat që kishin shprehje ishin të denja për dashninë e saj. Ndërkohw që tana ndjenjat e bukura i kalon nëpër mend të parës, e dyta shtynte karrocën dhe në mënyrë rigoroze bante punën e kërkume, biles me nji vullnet të papamë, kishte nevojë me e lodhë fizikisht të parën që me ia pré andrrat që ishte tu pa me sytë hapë. E vetmja strategji e saj. 

Nji nga andrrat që shifte dhe e dëshironte shumë ajo e para ishte nji shishe venë me pak gjana e pime në nji vend, ku bisedat nuk mbarojnë deri në mesnatë, e krejt rastësisht ‘nata e mirë’ mbaronte me nji përqafim të gjatë dhe nji puthje në cep të buzës. E kush kishte dëshirë me fjetë mbas kësaj. Ngaqë e para ishte shumë ma përpara dje me pushtime territoresh e dyta ishte gati tu ja plasë vajit, pasi i kishin ra tana muret me pasë mundësi me mbrojtë ditën ku ishte tu jetu. 

Gjenerale e ushtare e keqe kjo e dyta. Por ma në fund kur u panë përballë dhe kishte mbetë vetëm akti final e para e fali të dytën dhe i tha ‘ke të drejtë edhe ti me jetu kështu vogëlsisht, por mu mos guxo me më shpallë luftë, por më merr me të mirë, se vij prapë, e të sfidoj në duel dhe ti e din që sot se kush prej ne të dyjave ka me fitu’ Kur ajo e ktheu shpindën, se tashma atje në botën e vet, kishte dhanë shumë puthje të ambla e kishte shiju trupin e njeriut e këtu kishte fitu në luftë, pra kur u kthy fitimtare, e la të qetë me mbaru orarin e punës dhe me u thanë ‘natën e mirë kolegëve’.


No comments:

Post a Comment