Tuesday, September 5, 2017

'pa mbërritë ndjejmë aromën e detit'



…erdh’ edhe qetsia që ke kërkue tash a orë, tash jepi, ec…vajzat kanë fjetë mbrapa, duhet vetëm me u përqëndrue n’autostradë dhe me ecë…asht tre kalimshe, po rri te e mesmja, me 130 km n’orë mirë jam…po jo, a e shef atë makinën tjetër që t’erdhi te korsia e shpejtë, me sa ishte ? edhe pyet…ja shife, kilometrazhi jot thote 135 km n’orë, ajo tjetra duhet të jetë të paktën me 200 n’orë…a ia ndjen presion që shkakton te makina jote shpejtësia jote…fiuuuu, fiuuuu…ja edhe nji makinë e vogël, duhet të jetë Ferrari…sa shpejt mutin…mos ia fut kot, ty të pëlqen shpejtësia…po, por jo sot. jam me vajza, asnjiherë me vajza, kur të rriten, ta kam thanë, kur të rriten, kam me i provue shpejtësinë që due…sa e marrë, atëherë s’ke me pasë moshën e ke për ta lanë…ti je ma e marrë, qoftë e lanun qysh itash, hiq s’e kam merak.
sa shkoi ora ? njimbëdhjetë e gjysë e natës, s’je kërkund, Mynihu asht ende larg…jam lodhë, po rri te korsia e ngadaltë, se edhe te korsia e mesit janë makina që ma bajnë me drita të gjata, duket që s’jam aq shpejt sa duhet për ta...jam lodhë, duhet me kalue atje, të vazhdoj me 110 km n’orë, gjithësesi dikur kam me mbërritë.
ec…jam n’autostradë që s’ka kufi shpejtësie, ka nja dy orë që jam në këtë lloj autostrade, pastaj kam nevojë për gjumë. s’asht taman gjumë, asht nji këputje, e cila s’ka me më lanë me fjetë edhe nëse ndalem në stacionet e pushimit.
ndalem…
më duhet me shkue në banjo, prapë me pagesë…s’po gjej vend nëpër ferrat e pemët aty rreth…asht natë, jam me dhjetra makina të ndaluna si unë…dikush pushon, dikush ka marrë diçka me hangër, dikush kafe…shko në banjo, por mos guxo me marrë kafe…ajo bira e madhe që ta ban ajo në stomak të duhet nji javë me e mbyllë. shumë maune rreth e rrotull, shoferë që flejnë rrugash me jetë të tana. lene, ti s’je për hall në rrugë, as për punë, je për qejf, kështu rrugë boll ke me ba, por e din që mbas çdo rruge asht nji dëshirë që ke me plotësue…kjo duhet me ta hekë lodhjen…shkoj në banjo ndriçue fort mirë…aty, si në tana vende të tilla pushimi, takon tanë botën…shkoj me pushue në makinë…aty afër temes janë dy makina me targa franceze, janë të Alsace…nëse s’janë shqiptarë, kanë me kenë boshnjakë ose turq…po janë turq…pesë veta në nji benz…sa të vështirë e kanë këta me pushue…e për sa e bajnë ? burri i asaj turkes te puna më pat thanë e bajnë për tre ditë ose katër…janë shumë, por ata e bajnë, s’i dihet në çfarë zonet i kanë të afërmit e i duhet makina…flej maj leni turqit…mezi po gjej rehati, leva e frenave të dorës më hyn në bel, duhet me i gjetë nji zgjidhje…hajt Jutbinë se nuk të duhet jasteku i kuq…ia marr, ajo asht fjetë dhe Zara në krah, i ra kryeti në nji anë moj ma…hajt se tash ia jap prapë, sa të flej…ngulja vështrimin atij yllit atje në cep të dritares së pasagjerit…ka pak ré, por duket qartë, edhe hana…ah, lene mos u ban romantike tash, ke nevojë për pushim…e kam hapë pak dritaren me u ajrosë…sillem e pështillem e prapë s’më zë gjumi…nisu pra për rrugë…kam hallin e syve, s’më bajnë gjatë hapë…hajt rri freskoju edhe pak, duhen orë me kalue në Austri…
rrugë…edhe pse asht ora dy e natës ka boll makina…ja shife kte teposhtën këtu, si duken makinat varg dritash të pemës së vitit të ri, pastaj ngjitja njisoj…këto makinat e mëdha kanë me kenë pengesë për mue nëse eci me 110 km n’orë, duhet me i parakalue e jo gjithmonë e ke korsinë lirshëm…hajt të rri te e mesmja…rrugë prapë, natë, prapë shpejtësi e pakufizueme…sa asht, 140 km n’orë…ule pak, duhet me mbajtë nji ritëm, edhe për makinën…n’autostradë ka prapë punime…gjermanët rregullojnë rrugët e veta verës, i bajnë me tre korsi, diku ura, punojnë edhe natën…shkon 110 km n’orë, pastaj me zbritë në 80 km e pastaj në 60 km…janë të ngushta dreqin ndamjet…po sikur të më marrin teshma, pah, ka me ma lëvizë drejtimin e kam me hasë te ndamjet e betonit…diku në nji tabelë shof emrin Villach…asht qyteti i parë austriak në kufi me Gjermaninë, pra qenkam afër me Austrinë…hajt ec edhe pak, ja shkoi ora tre e natës, mbaje vedin hë burrneshë, s’ke ecë shumë…ka gra që ecin ma shpejt se ti…çka prêt ? Zadarin ma, a janë të gzume vajzat që janë nisë për aventura të reja, hajt pra banua qejfin, gëzimi s’duhet me kenë i rrallë ndër to, as te ti, se ndryshe nuk ke se si e merr tanë këtë rrugë vetëm…
rrugë prapë…moosss, kam harrue me ble vinjetat, po sa rob i trashë, për gjysëm ore kthehem te nji qendër super e madhe pushimi, asht kompleks i madh, ka hotel të madh, qendra të mëdha shërbimi…hyj e blej vinjetat, janë disa bileta ngjitëse që i ven në xham dhe kalon me ta në disa pika në Slloveni…hajt tash mos u llasto, nisu se boll u sjelle…sa hy në Austri, nji natë e thellë dhe…shiiiii, i imët, i ftoftë, tabelat tregojnë temperaturat 9 gradë jena në nadjen e 27 korrikut. ma andej, shiut i shtohen punimet n’autostradë…këto vendet europiane e bajnë me fjalë me i ba punimet në nji kohë…ndamje krejt të ngushta, janë disa makina me targa austriake që ecin ma shpejt…banojnë në zonë prandaj e njofin mirë rrugën…unë kam hallin vetëm kur të ndryshoj drejtimet mos të gaboj se kush dreqin sillet nëpër rrugë të panjoftuna me gjetë drejtimin e duhun…sa e marrë bahesh, po këto rrugë i kanë ba njerzit në kambë, gomar, kuaj, karroca, e ti bëtha jote po i ban në makinë…e di, kam për ta ba rrugën, por thjeshtë kam frikë, e më ndodh ndonji difekt, në këtë vend, në këtë natë, shi, kam hallin e vajzave…hajt hajt jepi, këtu në Austri asht me 110 km n’orë, jepi…po zbardh, ah sa mirë, drita më frymëzon me ecë ma mirë e ma shpejt…në pesë të nadjes hyj në nji zonë me mjegull të madhe, i ndezi dritat e mjegullës…duhet me ecë me 70 km n’orë, nuk shof asgja, kjo mjegull m’i pret krahët…diku qartësohet, diku mjegullohet…hiq, sikleti rritet, duhet me u ruejtë si për makinat para ashtu edhe ato që vijnë mbrapa…mos u mërzit, nuk e nisin makinën si Atje…nji orë ky siklet, pastaj dalngadalë hapet koha…kam nevojë për gjyslykë, se nadja më lind tanë diell në makinë, vjen prej nji cepi mali dhe ta ndriçon bukurinë që të rrethon…nuk je vetëm tash jepi…kte herë i ke shkelë tana shpejtësitë a e din, ban kujdes, se tash asht ditë e të fotografon ndonji kontrollues shpejtësie e të vjen fatura në shpi…vajzat prapë fjetë…ndalem te nji qendër pushimi…vjet jam pasë ndalë te e njëjta…shkoj në banjo…nuk e paguej kte herë, hyj nën ‘te…laj faqet dhe dal…
due me fjetë nja njizet minuta…qeshi me vedi, vjet patëm nji kujtim krejt qesharak në këtë pikë…ta tregoj ? po ti e din…isha lodhë shumë, e më kishte kapë me shkue në banjo, radha aty ishte deri jashtë lokalit, por e gjetme zgjidhjen, origjinale krejt…kur je e vogël nuk dukesh hiq nën maune…
pushoj pak, ora po shkon gjashtë…hajt tash nisu, a don me mbërritë për ditë në vend…ec ma mirë sa nuk janë çue kto të dyja, që kur fillojnë me gri sallatë ta bajnë kryet dhallë…pah, a mendon edhe ti se kanjiherë flasin shumë…kështu kam kenë edhe unë ? s’e di…unë s’mbaj mend se kena pasë shumë kohë me kenë fmi…disa mbasdite, s’di se sa kanë kenë, por di që kam luejtë tana lojnat, në bahçe, n’rrugicë, por edhe që kam ba tana punët që kërkonte oborri i shpisë…hajt tash çka po të duhet më gërmue…rruga kërkon motivacion pozitiv, leni tërrci e vërrci…uee, ja shif…je te autostrada me tre korsi…ajo që të ka mahnitë vjet, këtë vit e shef si diçka familjare…tre korsi me emna poshtë, me vazhdue për Austri, për Slloveni në mes e Itali korsia e tretë…secila makinë merr drejtimin e vet…para kam makina me targa gjermanie…patjetër janë ose shqiptarë ose turq…hyj në Slloveni, e kupton se kalon tunelin e supergjatë, gati 7 km tunel…ora shkoi 8 e nadjes, tash me taman due me pushue…
kam ecë ma shpejt se vitin e kaluem…po viti i kaluem ishte hera e parë që e bane rrugën moj budalle…ulem dhe i çoj vajzat prej gjumit, ka pak ré te pika e pushimit që ndalem, por s’ka gja, jena ma afër se dje dëshirës…ndalena në nji vend ku dëgjon tana gjuhët e botës, ka polakë, shqiptarë po e po, flasin shqip …aty hamë nadjen, në kambë, të bordura ku kam parkue makinën…vajzat lajnë pak faqet e rregullojnë flokët...afër kena dy familje, njena polake, tjetra duhej të ishte patjetër hungareze…hanë njisoj si ne, gjanat në dorë…po tash lejoja vedit nji kafe…s’ka linjë interneti, dmth s’kap telefoni jem, por kush po mërzitet, hajt se tash e gjejmë diku…pi kafen, me qumësht, po mutin i ke hedhë shumë sheqer…njaty nji zog han dramca…Jutbina e Zara knaqen tue grimcu biskotat (i kanë ba vetë dy netë ma parë) dhe ia japin zogut…harrohet mbas lojës së zogut edhe vajza, ndoshta hungareze…
para kambve tona, pasi ik çifti shqiptar tanë zhurmë me bluzën Gashi në shpindë të djalit, vjen çifti polak me fmi…qetsi, asht nadje, hajt ta shijojmë ktë nadje tanë bashkë…pastroj pak makinën përbrenda, nji grusht të madh plehnash, sistemoj gjoja shtratin e tyne mbrapa dhe nisena prapë…tash vajzat janë çue ka ma shumë biseda në makinë, por edhe grindje…kuptoji se kanë sa kohë në makinë, e fillojnë natyrshëm grindjet…po janë të kënaquna, dielli fillon e ndriçon ngadalë nëpër autostradën e Sllovenisë…ato kujtojnë të njëjtat vende që kena pa edhe vjet…u vjen keq që nuk e kanë pa panoramën austriake…i tham, s’ka ndryshue hiq nga vjet, kushedi sa miliona vjet asht njashtu, mrekulli…

më duhet me ba pagesën e autostradës së Sllovenisë…zotnia, burrë i qeshun…përpiqet me kuptue se prej kah je…turkish, no, bosniac, no…albanian…Mirëdita, kalofshi mirë…paaah, nja nji mirëdita falas pa e detyrue kush…baj pagesën e nisem prapë…kupton që hyn në Kroaci, se fill vjen dogana e parë, kontrolli i parë, radha e parë…bah kushedi sa rradhë kena me pasë simjet…fillon Kroacia me autostradën e vet rreth 400 km vetëm drejt, veç a ke forcë me ecë…uffa, i gjej forcat edhe atje ku s’ka, si kjo ‘mirëdita’ e atij zotnisë…ban nxehtë shumë, jena në vendet ballkanike…ndalena nja nji orë gjysë pa mbërritë në vendin e parë të aventurave tona…

na vjen era djersë, lodhje, por hiq mërzitje…ndërrohena njaty në mesin e njerzve, shkojmë e shplahena në banjo…pa pare kte herë…hamë edhe diçka, shijojmë nji akullore të madhe…ka linjë interneti në nji vend…lajmëroj njerzit që e dinë se jam në rrugë…pak respekt për merakosjen e tyne…i shkruej shkurt dy gjana te vogla mikeshave të mia…jam afër, edhe pak mbërrij…urime…të duhen patjetër për rrugën…
autostradë…shumë nxehtë, djeg gjithandej…mbas mesditet, njaty ku pjek dielli, ora dy e drekës, lexojmë tabelën Zadar dhe marrim daljen për me shkue në këtëë qytet, që s’di pse duhet me pasë ra në dashni kështu si kot…hajt Zarë ven në GPS adresën e nji kampingu që ke qejf me shkue…e ndjejmë pa mbërritë aromën e detit e të ranës.

shoqja jeme franceze Sab, më pat dhurue dikur nji nga këto flitet që duhet me përdorë gratë në rast kërcënimi…kësaj radhe ma kujtoi që mos me e harrue, se nëse të duhet ta kesh…shoqja jem Lor, njimijë herë më kujton se duhet me pasë kujdes rrugës e sidomos natës…Linda me shkruen rrugë të mbarë e me mend në krye…edhe unë vetë kam frikë për vajzat e për vedi kur nisem për rrugë…biles stresi e frika rrugws mw kapin gati nji javw ma parw…nuk asht pak, janë rreth 1800 km, që shpesh bahen 2000 vetëm me shkue…po diku kam nji siguri…ktë siguri nuk ma jep as fakti qw udhëtoj shpesh, as sporti që praktikoj, por që jam grue dhe jetën deri tash, që nuk ka kenë vetëm aventurë, e kam jetue si nji udhëtim i gjatë për me shkue në vendin ku due, nji udhëtim ku ke kohë me gjykue vedin e veprimet që ban...udhëtim që të mëson si duhet me e përdorë shpejtësinë e qetsinë në të mirën e bijave që e gëzojnë njisoj si ti gëzimin e vet.


 2017

No comments:

Post a Comment