Arben Idrizi
***
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.
Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të
lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa
përjashtim.
(marrё nga revista POETEKA - nr. 38, 2016)
Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)
Poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herё
pёr t’u njohur. Si takimet e dashurisё. Nёse pas takimit tё parё nuk ke mё dёshirё
tё rikthehesh, atёherё e di se nuk bënte për ty. Nё çdo takim mёson dhe ndien
diçka tё re pёr poezinё dhe pёr veten.
Sa më thellë të mund t’i hysh një poezie, sa më thellë
gërmon ajo në ty, aq më e mirë është ajo. Pёr ty, si lexues. Në këtë perspektivë
leximi i parë është gjithmonë një lexim i së dukshmes, i sipёrfaqes: tema (për
çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë
figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet, ritmi).
Në leximin e parë vëren edhe si të bën të ndihesh kjo
poezi. A të hyn në gjak, a të flet ty apo ta kundron botën me sytë e tjera
kujt. Nëse pas këtij leximi i ke thënë të gjitha, atëherë e di se kjo poezi
ishte e këndshme. Kaq. Kurse poezia e mirë të rikthen tek vetja gjithmonë. Asaj
nuk mund t’i ikësh, ashtu si nuk mund t’i ikësh vetes.
(Këto poezitë pa titull do më çmendin mua. Jam ende në
dyshim nëse do tё duhej ta lexoja sё bashku me poezitё e paravendosura, si
pjesё e njё tё tёre. Mё nё fund vendos ta lexoj si poezi më vete.)
Poezia mё sipёrfaqet me dy pamje. Pamja e parё ёshtё
poezi në kuptimin klasik të fjalës, me mendimin dhe ndjenjёn tё shprehur
figurativisht. Ja, lexoje kështu:
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.
Po të ishte një poezi e publikuar në fb, ma merr
mendja do t’i kishim komentuar se këtu mbaron poezia: vjeshta që dergjet në
poetin dhe krijon atmosferën e një stine në të cilën pashmangëshmërisht
gjithshka do të shkundet e kalbet. Vakët dhe ngeshëm.
Përzgjedhja e fjalëve dëshmon një talent të veçantë nё
metafora. Mendoje vetëm këtë: vjeshta dergjet. Dergjet, kjo fjalë e
mrekullueshme e shqipes, kjo shtrirje e lëngueshme që nuk më vjen ndër mend në
asnjë gjuhë tjetër.
Kjo vjeshtë që dergjet. Dergjet në mua. E shtrirë për
të vdekur në poetin. Ngeshëm. Vakët. Sepse është e hershme. Sapo ka filluar.
Provoje lexoje edhe vetëm kështu:
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
Edhe këtu mund të mbaronte poezia, si poezi
moderniste. Por ky ngjan se ёshtë poet i një lloji tjetër. Tre vargjet që
vijojnë e tregojnë përjetimin e dergjjes me shumë zemërgjerësi. Së pari i vënë
një emër: është vuajtja e të qenit.
Dhe vuajtja e të qenit në vetvete nuk është asgjë e
jashtëzakonshme per poetin. Është një vuajtje e zakonshme, bashkёshoqёruese e
ekzistencёs se poetit. Poetё tё lumtur nuk ka. Ajo qё mё duket jashtё tё
zakonshmes ёshtё mёnyra si vuan ky poet: mahnitshёm. Mendoji vargjet pa këtë
fjalë:
*E vuaj të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
Dhe do të mjaftonte ajo gjetje “u bëj hije rrënjëve të
mia” për ta mbajtur vargun gjallë. Por krahasime e metafora të tilla ka shumë.
Shqipja është gjuhë e pasur me metafora prandaj edhe e bekuar me shumë poetë.
Me thënë të drejtën, nganjëherë mrekullohem me metaforat dhe gjetjet e poetëve
në shqip. Por poezia nuk qëndron në metaforën.
Qëndron në mënyrën si e përdor atë. Dhe ajo fjalë e
thjeshtë ”mahnitshëm”, është një levë që e ngre poezinë në një nivel tjetër. Me
atë fjalë e kupton se poezia, në kuptimin klasik të fjalës, nuk ka për t’i
mjaftuar poetit.
Ajo fjalë, e ngulur aty në mes, tregon se poeti
qëndron pëmbi gjuhën. Sepse ai vuan mahnitshëm. Mendoje këtë gjetje: pranëvënia
e “vuaj”, domethënë diçka që më mundon e më dhemb, me “mahnitshëm”, domethёnё
habitem shumë nga diçka e jashtëzakonshme.
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.
Mbasi e ka patinuar poezinё me mjete poetike tё
pёrzgjedhura, befas toni i poezisё ndёrron krejt. Si ato vajzat e reja qё bёjnё
grim dhe zbukurohen, por befas e lajnё gjithshka para se tё dalin, sepse grimin
e patёn veç pёr qejfin e vet. Vazhdimi i poezisё shtrihet nё nje nivel tё ri.
Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.
Edhe lexuesi mbetet i shtangur kёtu. Nga e zakonshmja
e fjalёve. Poezia klasike i ka lёnё vend nё mёnyre abrupte njё diskursi tё ri.
Pёrshkrimi metaforik i pjesёs sё parё zёvendёsohet me njё deklamim tё thjeshtё,
ku fjalёt thonё atё qё duan tё thonё, drejtpёrdrejt. Njё lloj morali i
pёrrallёs, apo?
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të
lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa
përjashtim.
Leximi i dytë (leximi i teknikës)
Ti me siguri e ke vënë re, se leximi i pare i kësaj
poezie nuk ishte leximi i sipërfaqshëm. Ma merr mendja sepse kjo poezi ka njё
strukturё projektuese, qё pasqyrohet edhe nё leximin e saj. Leximi i parё
projekton tё dytin dhe anasjelltas.
Tre struktura paralele e mbajnё poezinё, paralele jo
tё mbivendosura dhe nёnvendosura siç ndodh rёndom nё poezi. Qё nё njё farё
mёnyre ёshtё arti i kuptimit tё mediuar dhe tё nёnkuptuar. Kёtu teksti dhe
nёnteksti janё tё vendosura paralel:
1. poetika e metaforёs
Vjeshta e hershme dergjet në mua,
e vakët dhe e ngeshme.
E vuaj, mahnitshëm, të qenit.
Njëjtë si pemët, iu bëj hije rrënjëve të mia.
E megjithatë, të gjitha ëndrrat tashmë kanë migruar.
Poezia me P tё madhe. Me metafora qё zbёrthehen lehtё
qё nё lexim tё parё, si tё gjitha metaforat e kёsaj bote. Tё shoqёruara nga njё
palёvizshmёri, njё gjendje e shtrirё, njё pritje e lёngueshme qetёsisht. E
vetmja lёvizje, migrimi, ka mbaruar. Dhe ka pllakosur dergjja.
2. recitativi lidhёs
Nuk ishte kështu, nuk mund ta merrja me mend
se do të bënte vaki kështu, as nuk
më shkon mendja të jem i pakënaqur tash.
Ky ёshtё tё vuajturit mahnitshёm. Kjo dergjje ishte
diçka e paparashikuar nga poeti, qё ka mbetur kёtu me rrёnjёt e veta pa mundur
t’i ndjekё ёndёrrat qё migruan. Por kjo nuk ёshtё arsye pёr tё qenё i
pakёnaqur. Tash.
Palёvizshmёria ka pllakosur jo vetёm trupin, pemёn qё
bёn hije. Por edhe mendjen. Dy shprehje me “mendje” brenda tre vargjeve: “nuk
mund ta merrja me mend” dhe “nuk mё shkon mendja”. Tё dyja folje tё lёvizjes
“marr” dhe “shkoj” me njё NUK tё madh pёrpara. Tё vuajturit mahnitshёm. Kёto
vargje lejojnё vendosje paralele tё strukturёs sё tretё.
3. poetika e diskursit tё drejtpёrdrejtё me
pёrgjithёsim tё qenies njerёzore
Jo rrallë njeriu mbetet i shtangur nga e zakonshmja,
e kjo nuk vjen aspak vetëm për shkak të injorancës.
E keqja, e këtë është turp të mos e themi dhe me zë të
lartë,
ka qasje autoritare te çdo qenie njerëzore, pa
përjashtim.
Tashmё gjithshka shpjegohet dhe pёrgjithёsohet.
Palёvizshmёria e ka njё emёr: shtangia nga e zakonshmja. E keqja ёshtё
autoritare, tё lё pa frymё, pa vullnet, pa ёndёrra. Tё shtang. Jo pse nuk di mё
mirё, por sepse e keqja e ka kёtё qasje te çdo qenie njerёzore, pa pёrjashtim.
Edhe te poeti. Njё palёvizshmёri e kushtёzuar, njё pemё qё u bёn hije rrёnjёve
tё veta. Ku ka mё tё palёvizshme por njёkohёsisht tё gjallё se pema?
Leximi i tretё (leximi i mendimit)
Poezia e mirë e shtyn lexuesin pashmangshëm në një
lexim të tretë, leximin e mendimit. Sepse poezia nuk është vetëm teknikë dhe
fjalë. Poezia është mendim. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime
në ne. Leximi i tretë e ndihmon lexuesin të ndjekë fillin e mendimit të poetit
dhe fillin e mendimit të vet.
Duhet ta pranoj se kjo poezi mё ka lidhur kaq shumё me
teknikёn e pёrdorur, sa mendimet mё sillen e mё pёrsillen jo aq shumё rreth
asaj qё thotё, por si e thotё. Kjo poezi ёshtё ndryshe. Unё jam vetё njё nga
ato qё preferoj poezi qё kanё shtresa, mbishtresa dhe nёnshtresa.
Njё poezi pa shtresa ёshtё e vdekur. Por ja ku jam e
shtangur para njё poezie qё m’i thotё tё gjitha nё lexim tё parё, me shtresa te
palosura ne fund te shtratit. Dhe mundohem tё kuptoj se pse nuk e kam hedhur
tej, siç bёj zakonisht me poezi qё flasin shumё, qё pёrpiqen tё mё japin mend,
qё ma paraqesin njё poet tё gjithёdijshёm, tё pikuar nga qielli, mё sё paku
hyjnor? Dhe kam dy pёrgjigje:
- sё pari sepse pamja e parё ёshtё kaq e bukur,
vjeshta qё dergjet nё poetin, tё vuajturit mahnitshёm, pema qё i bёn hije
rrёnjёve tё veta. Palёvizshmёria, migrimi i ёndёrrave, e keqja si njё qasje e
zakonshme. Poeti si pemё.
- sё dyti sepse ka njё indiferentizёm ndaj lexuesit qё
mё intrigon. Poeti nuk pёrgjithёson pёr tё mё shtangur mua si lexues, ai
thjesht papritmas, nё pamjen e dytё, del nga vetja dhe kundron njeriun qё
shtrihet para kёmbёve tё veta. Ai vetё, ashtu si e keqja, ka njё qasje
autoritare ndaj poezisё sё vet. Pa pёrjashtim.
Leximi i katërt (leximi i vetes)
Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë,
tashmë. Nëse ka mbërritur deri këtu e do këtë poezi, e dashuron. Për temën,
gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por
sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për
t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Leximi i
katёrt ёshtё leximi i vetes.
Jo rrallё mbetem e shtangur nga e zakonshmja.
No comments:
Post a Comment