99 vjet nga dita e lindjes së Musinesë
99 vjet, ashtu si dënimi maksimal me të cilin ndëshkohen njerëzit. Po ti ç'faj ke bërë Musine?
Një faj të vetëm që linde në kohën dhe vendin e gabuar.
99 vjet dhe ti vazhdon të dënohesh. Shoqëria jonë postkomuniste ka frikë prej teje ashtu siç ka frikë prej dritës. Në Gjirokastër, vendin tënd të origjinës askush nuk u kujtua për ty. Me siguri pushteti lokal dhe tërë institucionet janë ende të lodhur nga festimet e madhërishme për një prej shkronjësve bashkëqyetetas me ty. Aktivitete të larmishme për të kujtuar se pak ditë para teje, bashkeqytetasi yt, me të cilin të kanë vënë të rrish pranë në një pllakë guri në hyrje të qytetit mbushi 80 vjeç. Erdhën së bashku edhe ata që e drejtojnë këtë vend, i rindërtuan dhe shtëpinë , që për ironi të fatit kishte pësuar të njëjtin fat si shtëpia jote, u dogj nga një zjarr aksidental. Për ironi të fatit ndodhën edhe në të njëjtën lagje, veçse shtëpia jote ndodhet në majë të Kërcullës, e pozicionuar pikërisht në krye, duke zotëruar në pamje gjithë pjesën tjetër të qytetit.
Shumë zhurmë u bë për atë që prej Gjirokastrës më së shumti mori se sa i dha. I injoroi edhe festimet që u bënë për te, sepse siç e tha vetë kur e ftuan për të marrë pjesë "ai nuk është i vogël".
Eshtë e trishtë Musine, por koha kur drita e mençurisë sate të përhapet nuk ka ardhur ende. Për ty që e qendise jetën zakonore të Gjirokastrës me aq dashuri, për ty që sakrifikove jetën tënde për të përcjellë pak dritë në errësirën mbytëse të lirisë së munguar të bashkëkohësve të tu, për ty që nderohesh më shumë jashtë atdheut tënd sesa prej bashkëatdhetarëve të tu, nuk u kujtua njeri të të vendoste një lule simbolikisht, nuk u kujtua njeri të bënte një vizitë kortezie në shtëpinë tënde, ndoshta ditëlindjen tënde as që e kanë shënuar në kalendarët e tyre. Dhe ti ashtu si gjatë jetës, edhe pas vdekjes prehesh e harruar në një varr të thjeshtë, pranë familjarëve të tu më të afërt. Të paktën në botën e përtejme nuk je e vetme ashtu si ke qenë në këtë jetë ku u tremben prej shkëlqimit tënd.
Mos u dëshpëro Musine! Koha jote do të vijë.
![]() |
| Musine Kokalari |
Ilir Seci: 'Ajo jetoi në xhunglën e ndjenjave me emnin Shqipni'
Sot (10 shkurt) u mbushën plot 99 vjet nga dita kur u lind Musine Kokalari, një primadone e letërsisë shqipe, një zonjë fisnike që pati fatin e keq me jetue në një xhungël ndjenjash me emnin Shqipni… Zoti e bekoi me bukuri, ishte yll, Zoti nuk u kursye as me fisnikëri ndaj saj, e blatoi me plot fisnikëri e dinjitet, e mbi të tana Zoti e bekoi me talent. Ishte shkrimtare “Par Excellence”, një Madame e vërtetë në qytetin e gurtë të Gjinokatrës…Fati i keq e solli që këto virtyte të saj të bëheshin edhe mallkimi i jetës së saj… Fati i keq e desh që në të njajtin qytet ku u lind talentja ma e madhe shqiptare, të lindej edhe përbindeshi ma i madh i historisë shqiptare, diktatori Enver Hoxha… Enveri u rrit duke lakmue Musinenë e bukur, duke ëndërruar për hiret e saj, por nuk u rrit duke ushqye ndjenja si Kuazimodoja i Hygosë ndaj Esmeraldës, jo, Kuazimodoja ishte përbindësh në pamje, por përbrenda kishte shpirt, përbindëshi shqiptar ishte e kundërta, kishte pamje ëngjëlli por përbrenda kishte djallin …Shpirti nuk kishte gjetur kurrë strehë në trupin e atij njeriu!
Kur ironitë e fatit sollën që përbindëshi të bahej i parë i Shqipnisë, kuptohet menjëherë e sulmoi bukuroshen plot talente e virtyte, versioni shqiptar i “E bukura dhe Bisha” ishte tjetër…Shkrimtares Musine Kokalari ju nxi jeta nga Bisha Enver Hoxha…Ajo nuk u dha por mbajti gjallë flakën e shpresës së dinjitetit, mbajti gjallë shpresën se edhe në kohnat ma të errëta njeriu mundet mos me ia shitë shpirtin Djallit-Njeri…
Sot kjo primadone e letërsisë sonë ka 99 vjetorin e datëlindjes…Nuk ja kujton kush, nuk ja feston kush…Shqipnia asht e nxanun me festimet e një tjetër përvjetori - përvjetorit të 80-të - të shkrimtarit ma të preferuëm të Bishës Enver…Atij i shpallën Muaj, i shpallën Viti të tij e me kenë në dorë të shqiptarëve edhe festë botnore e kishin ba deri në përjetësi…Kurse shpia e Musinesë, shpia hijërëndë, fisnike ku ajo u lind asht djegun para do kohësh…Asht bamun shkrumb e hi! Kurse shpia e shkrimtarit të oborrit, atij që kishte audienca me diktatorin, atij që u kërrys, që u thye mëdysh duke i thurur lavde PPSH-së, atij po, sapo i asht restaurue, stolisë e zbukurue si fytyra e Zonjës Makbeth mbas vrasjes…
…Përkulem para teje Musine Kokalari!...Ndoshta sot kombi, që ende lëngon nën Sindromin e Stoklholmit, nuk ta di vlerën, por le të lutemi dhe të shpresojmë, që një ditë Kombi të shërohet e të kuptojë se cilët janë bijtë e bijat që e nderojnë dhe t'i vendosë në Panteon!

No comments:
Post a Comment