Sunday, February 21, 2016

Rreze Abdullahu: Linçimi i Albulenës





Aktivistja dhe deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE, është përplasur për tokë, është kontrolluar në trup gjatë ekzaminimit mjekësor, dhe një ditë më vonë kanë nisur shpifjet ndaj saj se ka futur bombolën e gazit në organin e saj gjenital. 

Frika ndaj vaginës së gruas, vazhdon me qenë frika më e madhe e masikilistëve kosovarë. Edhe në instanca institucionale, kur gjuha seksiste tashmë ka zgjeru rrënjët e veta dhe këmbëngul të rrijë aty, si mjet mbrojtje kur ‘shefat e politikës’ rrezikohen. 

Është e tmerrshme kur përfaqësuesit e popullit, nuk e shohin gruan më përtej se aftësia e saj riprodhuese dhe për ndonjë huqje të tyren, që nuk janë të rralla, ata ndihen keq për gruan, vetëm në cilësinë e motrës, gruas e nënës.

Diskriminimi më i madh që u bëhet grave në parlament, është tendenca me ndalë zërin e tyre se ‘është marre’, dhe grave nuk u ka hije. Nuk është për t'u habitur, ky mentalitet, ka përcjellë gjithë brezat deri më sot dhe shumë zëra të fuqishëm të grave janë shuajtur, pa gjetë mundësinë me depërtu në gjysmën e popullsisë që kërkon mundësinë me qenë të lirë. 


Albulena Haxhiu në Parlamentin e Kosovës

Fushata kundër deputetes Haxhiu, tregon tendencën për me denigru rolin e secilës grua në shoqëri, dhe insiston në rolin e saj tradicional se: gratë duhet me qenë të urta; të buta; të ndershme; kokën nën këmbë etj. Gjithashtu, fushata kundër deputetës në fjalë, shpreh irritimin e burrave patriarkal se si një grua merr guximin me iu kundërvu burrave, duke rezultu me denigrimin e personalitetit të saj, apo secilës grua që tenton një gjë të tillë.


Shoqëria kosovare, që për përfaqësues të tyre ka zgjedh ata që armën më të fortë ndaj një gruaje e kanë ‘moralin’, nuk e kurseu zonjën Haxhiu as prej epitetit të famshëm, që u veshet grave kur janë të padëgjueshme për burrat: KURVË.

Albulena Haxhiu, dhe gratë e Lëvizjes VETËVENDOSJE, në Kosovë, kanë dëshmuar  gatishmërinë për të thyer këto stereotipe gjinore, të cilat i janë veshur grave, duke e kthyer atë dhe koleget e saja, në një rrezik edhe më të madh për burrat e politikës, të cilët kanë tjera pritshmëri ndaj atyre. Të ngrihet, dhe kaq! 

Dalja prej kornizës së pritshmërive të këtyre burrave të këqinjë të politikës, ka rezultuar shpesh-herë me irritimin e kolegëve të saj, deputetë e deputete, duke nxjerrë në pah se çfarë ata realisht përfaqësojnë, çfarë ata realisht janë përtej maskave si njerëz properëndimorë. Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i’u kundërvu zonjës Haxhiu, me tendencën për ta ofenduar, si ‘grua e keqe’, duke lënë të nënkuptohej se për Armendin, gratë e këqija janë ato që ngrisin zërin kundër qëndrimeve dhe besimeve të tij. Seksist.

Mënyra e protestës së zonjës Haxhiu, nuk u shpëtua pa u sulmu as prej disa prej grave deputete, si zonja Gaxherri për shembull, e cila vështirë se do të pranojë ndonjëherë se edhe grave u ka hije të bërtasin, por me e quajt ‘burrëneshë’, me siguri se i shkon për shtat. Sipas kësaj, nënkupton se gratë munden me u sjellë si burrat, dhe me u pasë hije, vetëm kur ato kanë tipare burrërore. Seksiste.
Gjëja e dhimbshme e kësaj është fakti se Albulena Haxhiu është viktimë po kaq e madhe sa e patriarkatit, e dhunës mediatike dhe kohëve të fundit mbetet shënjestra kyçe e sulmeve të tilla. Portali që publikoi lajmin se deputetes Haxhiu, i është gjetur bombola e gazit në organin e saj gjenital femëror , redaktoi lajmin pas demantimit të mjekëve profesionistë, dhe duke deleguar kërkim faljeje në adresë të nënave e vajzave (përsëri).

As media, e cila do të duhej të shërbente si shtytësi i kauzës për barazi, nuk po i’a del me vullnetin e saj, që ta shikojë gruan përtej mentalitetit patriarkal, për kontroll ndaj gruas, njëkohësisht duke shpërfaqë pamaturi dhe seksizëm. 

Jemi larg vendeve me civilizim dhe ka shumë punë për të bërë!

No comments:

Post a Comment