sot është një nga ato ditët
Enkeleda Ristani
sot është një nga ato ditët
ato ditët paraciklore
jo detyrimisht menstruale
një nga ato ditët kur kujtohem sa bosh tingëllon zëri
im
sa ftoftë bën brenda meje krahasuar me stinën jashtë
dritareve
një nga ato ditët që vijnë mbas ditëve të qarkuara me
buzë moskokëçarëse
unë u ngjaj menstruacioneve të mia
nuk jam gjaku
jam qerthulli
para gjakut bymehem nën lëkurë
fryhen dështimet si lumenj mbas shirash
krekoset gjithë pafuqia ime mbi plehun e kujtesës
jashtë është shëmti e brenda më shumë
mbërrij krisjen e lëkurës sa gjaku të shpërthejë
dhe me siguri do qetohem me harresë.
Marrë nga vëllimi "nesër është e vona ime",
Durrës 2014
Leximi i poezisë “Sot është një nga ato ditët”
Entela Tabaku
Leximi i një poezie është përjetim më vete. Sa më e
mirë poezia, aq më shumë lexime kërkon ajo. Metodat dhe pikënisjet e leximit
mund të jenë të ndryshme. Secila ka vlerën e vet dhe e pasuron leximin. Mua më
pëlqen leximi i tekstit, ajo lidhje eskluzive që krijohet midis lexuesit dhe
tekstit.
Kontekstet kohore, biografike, shoqërore, estetike janë të gjitha
jashtëzakonisht të rëndësishme, por mua më bind më shumë teksti. Tek teksti
janë shtrydhur të gjitha këto kontekste dhe ai që më intereson është rezultati
dhe çfarë ngjall tek lexuesi. Edhe lexuesi i mbart me vete kontekstet e veta.
Leximi i poezisë është çlirim i të gjitha këtyre konteksteve në një pikë të
vetme: në takimin e lexuesit me poezinë. Përtej këtij takimi asgjë tjetër nuk
ka rëndësi. Është si puthja dhe reaksionet që të ngjall në trup dhe në zemër.
Lexuesi dhe teksti, pra, të dy protagonistë me të drejta të barazvlefshme.
Në këtë perspektivë leximi i parë është leximi i së
dukshmes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një
poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet). Leximi i dytë nis
e t’i zbulon sekretet e realizimit. Talenti i vërtetë qëndron në krijimin,
shpesh spontan, të një ndërthurje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e
rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit.
Leximi i tretë është leximi i
mendimit. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Në leximin e
katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Në këtë lexim ka për ta ndier poezinë
deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka
shkruar vetë, për veten e vet.
Pakti i leximit është një pakt i heshtur midis poezisë
dhe lexuesit. Poezia e di se po shkruhet për t’u lexuar. Edhe poeti më i
rezervuar dhe refuzues, në momentin që i jipet shkrimit, e ka pranuar atë pakt.
Përndryshe do ta mbante në mendjen e vet. Siç bënim kur ishim adoleshentë,
shkonim me kryet plot me poezi që refuzonim t’i shkruanim.
Poezia që shkruhet
shkon pashmangshmërisht drejt leximit, si shprehja e dashurisë shkon drejt
puthjes. Lexuesi, nga ana e tij, ka idetë e veta përmbi poezinë, sidomos ka një
ide të qartë se çfarë është dhe çfarë nuk është poezi, të krijuar nga tradita e
leximit: jo gjithshka mund të bëhet poezi. Athua se poezia nuk është njerëzore,
athua se jo gjithshka njerëzore mund të bëhet poezi. Athua mund të shpërthejë
poezia me gjakun e menstruacioneve?
Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)
A u skuqe? Apo u nxive? A u zverdhe? U zbardhe? Apo u
mavijose? Jeshilose? Apo hiç? Leximi i parë i kësaj poezie është, me dashje a
padashje, si i magjepsur mbas kësaj fjale: menstruacione. Leximi i parë është
leximi i më së dukshmes në sipërfaqe, prandaj: menstruacione.
Por pa e
normalizuar ngjyrën e fytyrës në leximin e kësaj fjale, nuk mund të vazhdojmë
të lexojmë poezinë. Dhe sa më shpesh e lexon aq më tepër normalizohet:
menstruacione. A e vë re ndryshimin? Menstruacione. Nuk është aq e rrezikshme.
Menstruacione. Tani merr frymë thellë dhe lexo poezinë.
A e sheh tash se për çfarë flet poezia? Flet për një
një nga ato ditët kur gjithshka duket më e vështirë nga ç’është, kur boshllëku
është më bosh se zakonisht, kur dështimet përjetohen më të rënda se zakonisht.
Poezia mbartet nga një figurë po aq e vjetër sa vetë poezia: vendosjen paralele
të një gjendjeje shpirtërore me një fenomen natyror a biologjik që i ngjason.
Ashtu sikurse fryhet dhe bymehet trupi i gruas në ditët përpara
menstruacioneve, ashtu në këtë ditë të poezisë fryhet dhe bymehet trishtimi.
Është ai trishtimi i pafuqisë para asaj që ndodh, pa arsye dhe logjikë, vetëm
pse është. Vetëm pse je njeri dhe me qenë njeri është e vështirë. Është pafuqia
që krekoset në plehun e kujtesës, si gjeli i shprehjes popullore, për t’u
harruar mandej. Kjo lojë midis kujtesës dhe harresës është ajo që e shtyn
njeriun rreth e përreth pa e lënë të mbytet në moskuptimin e jetës.
Leximi i dytë (leximi i teknikës)
Në fakt, tash që lexuesi mund ta lexojë poezinë pa
ndërruar (dukshëm) ngjyrën e fytyrës, mund të vërejë se poezia është ndërtuar
si një rreth. Forma e poezisë mbahet nga fjalët cikël, qark dhe qerthull:
ditëve paraciklore
ditëve të qarkuara
jam qerthulli
Domethënia e të trija fjalëve shënon një varg
ngjarjesh që ndjekin njëra-tjetrën në një ritëm të caktuar, një varg ngjarjesh
që përmbyllet aty ku nisi duke krijuar një figurë rrethore.
Tani mendoje veten me një kompas gjigand në dorë,
ngule fort gjilpërën para teje dhe hiq një rreth me veten në qendër, nga e
majta në të djathta, një rreth të mbyllur. Pika fillestare është para teje, aq
sa mund të shtrish duart, pak majtas ndoshta. Mos u kthe nga njëra anë në
tjetrën, ti qëndron pa lëvizur, ti vetëm zgjatesh mbas kompasit duke u munduar
të mbërrish të gjitha pikat e rrethit:
Filloje rrethin në pikën sot, sepse sot është “një nga
ato ditët kur kujtohem”.
Vazhdoje në pikën tjetër që është momenti kur ndien
“sa ftohtë bën brenda meje krahasuar me stinën jashtë dritareve”, pikërisht aty
ku nis enjtja e dëshpërimit. Uni e shtrëngon kompasin fort dhe e rrit
intensitetin e vizatimit, vija lakohet pa vështirësi, pika vazhduese është pak
në të djathtën tënde “jashtë është shëmti e brenda më shumë”.
Tashmë je zgjatur nga e djathta, lëkura kris.
Mbrapa teje vizato vijën e lakuar të derdhjes.
Mandej vazhdo me harkun e qetisë, të harresës. Vija
rrethore aty mezi përvijohet, sepse është më e vështirë të arrihet, meqënëse
është në kah të kundërt me ty. Vija mbrapa teje harkohet në të ardhmen (do
qetohem me harresë).
Qarku mbyllet mandej aty ku filloi, para teje, ndoshta
pak majtas, në ditët e qarkuara me buzë moskokëçarëse, ato ditët para së
sotmes. Para kësaj dite të poezisë vinin ditët e harresës, kur brenda ishte po
aq ngrohtë sa jashtë.
Vija e lakuar e rrethit para vetes është e dukshme
qartë se është më e lehtë të vizatosh para vetes me kompas, mbrapa mezi
shquhet. Por cikli mbyllet dhe me të një varg i plotë shndërrimesh që kryhen
brenda një kohe të caktuar, një cikël që do të përsëritet sërish dhe sërish. Jo
detyrimisht cikël menstrual. Kundroje tashti! A nuk të duket se ke vizatuar
qerthullin e qenies njerëzore, pashmangshmërinë e fatit njerëzor?
Leximi i tretë (leximi i mendimit)
Që në leximin e parë kjo poezi ta mbush kryet me
mendime, siç bëjnë zakonisht poezitë e gjendjeve shpirtërore. Por duhet t’ia
pranoj vetes se kjo poezi ende mbetet së pari një poezi emancipuese. Jo
emancipuese në kuptimin që po i tregon botës se ç’janë menstruacionet, edhe pse
e bën edhe këtë.Apo sepse po i tregon botës se nuk ka asgjë të turpshme, të
rrezikshme a të ndyrë me menstruacionet, edhe pse e bën edhe këtë. Ka edhe në
shqip disa poezi të rralla që e trajtojnë këtë temë.
Kjo poezi është emancipuese për poezinë shqiptare,
sepse është çliruese. Deklamon lirinë e gruas për të shkruar për përvojat e
trupit të saj. Përvoja që mund të bëhen poezi siç mund të bëhet poezi çdo përvojë
e mirë njerëzore. Sepse poezia nuk qëndron në pikënisjen, por në përjetimin e
krijimit.
Gjysma e lexuesve e dinë si ndihesh në ditët para, gjatë dhe pas
menstruacioneve, për to cikli i menstruacioneve është cikli i jetës. Dhe nëse
kjo është një nga ato ditët kur ndihesh ashtu, atëherë botë mbahu!, sepse
rrugët e poezisë janë krejt të paparashikueshme.
Dhe vdekja mandej. Kjo e ardhme që na përvijohet mbas
shpine, si një cikël që përsëritet sërish dhe sërish. Dhe derdhja si një
metaforë e vdekjes. Trishtimi i jetës që nuk u ngjiz por derdhet. Athua vdekja
është derdhje, zbrazje, ajo ndjesi e qetësisë së plogësht që të pushton më pas.
Ajo pika e qarkut kur ti shkon në harrim, në paqë?
Leximi i katërt (leximi i vetes)
Mbahu! Me siguri do qetohem me harresë.
No comments:
Post a Comment