Gjithmonë kam kërkue me shkrue poezinë ma të mirë të vedit,
të paktën nji, që me më lanë të njëjtën shije përherë. Fakti asht që unë kam dështue
dhe e kam qetsue vedin me argumentet, se unë di me e jetue poezinë, me kenë
brenda saj, herë pa e kërkue, e herë tuej e kërkue, herë pa e kuptue, e
shpesh me kenë e ndërgjegjshme se sa e bukur asht me e jetue, se sa me e shkrue, përfundimisht
s’di me e shkrue.
Tanë këtë e shkruajta për me tregue se si e jetova nji nga
poezitë ma të gjata që kam kenë ndonjiherë.
Me 5 gusht, pasi disa mijëra kilometrash shkuemje e ardhje në jug të Francës, ndërmorra udhëtimin tem, si fillim poezie.
Para meje si sfidë, ishin rreth njimijë e nandëqind kilometra, thuajse gjysa e
Europës dhe nji pjesë e mirë e vendeve që lagen nga deti Adriatik. Kilometrat e
para nisen me frikën nëse mundem me e ba, nëse di me e jetue nji udhëtim, vetëm
në timon, vetëm me vajzat. Ma vonë, shumë ma vonë, ndoshta kur horizonti u hap e dielli shkëlqeu,
e kësaj panorame i shtohen pamje të mrekullueshme të natyrave e klimave të
ndryshme, atëherë e kupton që po e jeton poezinë deri në detajet ma të vogla të saj.
Gjatë orëve të udhëtimit, kryesisht natën, atëherë kur nuk shifshe gja tjetër
vetëm autostrada të pafundme, e kur vajzat flenin gjumë në sediljen mbrapa,
gjatë ndaljeve nëpër parkinget e pushimit, e kur gjumi nuk më zinte si
pasojë e nji frike të brendshme se isha vetëm diku e në askund, më vinin në vesh fjalët e mikeve
të mia që më kishin thanë ‘mos e merr vetëm atë rrugë se je me vajzat, nëse s’mendon
për vedi, mendo për vajzat’…
Ishte e vështirë me u jetue strofa e poezisë deri në
Salzburg të Austrisë. Isha rreth dymbëdhjetë orë në timon, isha ndalë pothuajse
tre herë dhe kisha arritë me fjetë rreth dhjetë minuta e me shkue në banjo nja
pesë herë. Në hymje të Salzburgut, pikërisht në vendin ku e shef qytetin në
plllambën e dorës, u bllokuam prej trafikut, ishte e shtunë nadje gjermanët e
austriakët ishin nisë për me kalue fundjavën në alpet austriake. Binte shi i
hollë, ishte ftoftë, re të zeza pis, të tana bashkë mbi shpitë e rrugët e
qytetit e gati me u shkarkue e në mes nji gropë e madhe, që mundej me thithë
gjithçka çka kishte përreth, por jo, ishte dielli i vogël që dukej, ishte aty si dashni, si marrje
fryme dhe e vetmja gja që dëshiron njeriu i lodhun asht me ndejtë, pa lëvizë as
ai e as lindja.
Pjesa ma e madhe e Austrisë ne të trijave na kaloi duke u
mahnitë ; pas çdo kthese ; pas çdo dalje tuneli, natyra ishte e pikturueme
nga andrrat, duert e tyne i kishin dhanë shpirt atyne pyjeve, luginave,
livadheve, thepinave, shpijave. ‘Mos më bani me kthye kryet vajza se jam tuej nisë makinën’,
pas çdo kërkesës së tyne me i prekë qoftë me sy ata vende nga kalonte rruga.
Ato të dyja mbrapa qeshnin, tregonin me gisht, merrnin frymë thellë prej
bukurisë, fotografonin, jetonin edhe ato poezitë e atyne andrrave, hasë krejt
padashtë ndër alpe. U ndalme në nji pikë pushimi austriake, nji pikë takimi e
pushimi për tana gjuhët e botës, pimë ujë burimi të ftohtë akull, ishte pikë e
randësishme turistike, në dimën duhej të kishte ma shumë njerz se në verë.
Pushume, fjetme, hamë, morme forca për në rrugë prapë.
Pastaj rutinë rruge, tre kalime diku. E në nji pikë, secili
kalim kishte inicialet e shtetit ku të çonte ai që të fuste ma tej në
Austri, ai për në Slloveni e tjetri për Itali. Kjo ishte pika treguese se po
hyje në Sllloveni si dhe tuneli i pafund ‘Tuneli i karavaneve’. Pritje e gjatë
për me kalue.
Andej nga mbasditja, diku rreth orës katër a pesë pasdite
mbërrijmë në nji pikë të naltë. Poshtë ujë pa fund, aty sipër nji zotni në nji
kabinë të vogël, pasi të bante me provue venën, nëse të pëlqente mund edhe ta
blije. E shërbeu venën në nji gotë të sapolame, e cila kishte pika uji. I thashë,
se ‘vena nuk shërbehet kështu more zotni’. Gjithësesi e bleva. Por para se me ble venën u
ndalme në disa stola që ishin vue përball humnerës së madhe, ku poshtë kishte
veç ujë. E pyeta zotninë e dyqanit prej drunit ‘cili liqen asht ky zotni’…’jo
moj zojë, ky asht Adriatiku’… Aty mendova me vedi ‘aty poshtë asht shpija jeme’. Adriatiku mes
maleve e shkrepave dukej si liqen i pamatë dhe mushknitë morën përmasën e hapësinës
që të kapte syni, pafund blu, pafund knaqsi, e pafund ajo shpi.
Nga natyra e pikturueme prej dorës së andrrave, me pak shkëputje,
kalueme n’andrra. Duhet me i dhanë vedit forcë me përshkue rrugë e me shkue në
vendin që duhej t’kishim kenë shumë kohë ma parë, Zadar. Po afrohej nata lodhja
e pagjumësia po bante punën e vet, ndërkohë që në disa pjesë rruge ishte nji erë
e fortë, e cila kërkonte përqendrim maksimal në timon. Vajza e vogël ishte në
kokërr të gjumit mbrapa, ndërsa e madhja, Zara ishte shtri para. Po shifnim
tabelën e Zadarit, edhe njiqind kilometra, edhe nandëdhjetë, diku, te rreth
shtatëdhjetë kilometra, por rrugës për atje, nji tabelë e madhe, e shkrueme
me blu, të ftonte me hy në qytetin ‘Udbina’. Kena qeshë të dyja kur e lexume.
Pa
hy në Zadar edhe vajzën e madhe e zuni gjumi. Më kishte mposhtë lodhja, s’isha
ma e zonja ; isha në ata rreshta poezie që duhet me i lexue rrallë ;
por Zadari ja edhe pak asht. Në mesnatë mbërritme në qytetin e lashtë kroat, pa
asnji adresë, pa asnji kontakt, pa asgja, vetëm me makinë dhe me nji lutje të
madhe ; ishalla gjejmë nji vend për me ba nji dush e me fjetë. Në qendër,
aty ku vlonte muzika nëpër lokale donin me ditë nëse kisha ba rezervim, sepse
verë, Zadari ishte shpallë si pika turistike ma e mirë e Kroacisë për 2016, e
kështu që kuptohet vetë që s’kishte vende. Zara u zgjue. Ndërsa kërkoja qoftë
edhe për shërbimet private ‘rooms’, s’po gjeja gja ora po shkonte rreth 01 e mëngjesit.
Dikur i thashë sime bije, 'nëse s’gjejmë dhomë, e parkojmë makinën diku e flejmë' ;
çfarë natet ishte për me fjetë jashtë, aty deti dhe era nuk të rrihte, ma shumë të ledhatonte, e kështu mund të
flije shumë mirë qoftë edhe në stolat e parkut. Gjysëm ore ma vonë, ja në nji
cep të nji porti të vogël jahtesh gjetëm dhomë në nji hostel. Deri edhe Jutbina
u zgjue nga qejfi se atë natë s’kishim me fjetë në makinë dhe për ma tepër
kishim me ba dush. Në 2 të asaj dite, tre veta nisë prej France për me gjetë
diku në qytetin antik emnin, ‘Zara, piazza del signore’ me aromën e detit përhapë
në tanë trupin, fjetëm mirë, fjetëm si ata njerzit që sapo kanë fitue diçka.
Rinisja për në brigjet e tjera të Adriatikut u ba pas dymbëdhjetë
orësh. Meqë ishte ditë, vajzat shikonin detin dhe e përcillnin me sy GPS, që
tregonte se ishte e gjithë ajo trajektore rruge vetëm ngjitë me detin, herë
ngjiteshim njiqind e pesëdhjetë metra mbi nivelin e detit, por tuej e pasë
detin nën sy e herë uleshim në nji nivel me detin, tuej e pasë atë në sy. Pak
pa hy në Dubrovnik, u ndalëm të nji fshat i vogël, Zaton. Lamë faqet e u freskuem
me ujë deti, që përplasej tanë muzikë ndër brigjet e gurta
Të njëjtën muzikë dëgjueme në darkë vonë, kur nji traget i
vogël na kaloi nga njeni breg në tjetrin në Tivar. Aty na doli gjumi e na iku
lodhja se edhe hana e era i shtunen këtij spektakli të shkurtë tingujt e tyne
dhe u ba kështu nji shfaqje e madhe, me spektatorë njerzit, që duken aq të dishruemë
me arritë gjysmën e prefeksionit të atyne tingujve e të asaj natyre.
Na të trija ia dolëm.
Nji nga poezitë e bukura që kishte
dashtë me shkrue asht kjo rrugë, por s’e baj dot, unë di me e jetue, e s’kam për
të ditë asnjiherë me e vargue Asnji rrugë ma parë s’më ka ba me kuptue shumë
gjana të jetës e të vedit sa kjo rrugë e kësaj vere. E kështu gjithmonë kam me
kenë në rrugë, tuej ngushtue largësinë për me e jetue nji poezi tjetër e tuej e njoftë ma shumë vedin

No comments:
Post a Comment