Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në koncert me
vajzën. Ti e di, me pasë një vajzë14-vjeçe, mosha kur shoqërimi me shoqet ose
vetmia e dhomës janë pikësynimet e ditës, do me thënë se një koncert së bashku
është ngjarje.
Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në një recital klasik. Më duket se vitet e fundit nuk kam bërë tjetër veç kam qenë në festivale fëmijësh, koncerte në shkollë, koncertet e tim biri, koncerte miqsh, koncertet e krishtlindjeve në Opera. Por recital, ah sa më ka marrë malli për një recital!
Sonte është një mbrëmje e veçantë. Jam në recitalin e një shqiptareje në Stokholm. Dhe ti e di si identifikohesh me të gjithë shqiptarët kur jeton jashtë. Nëse i përmendin në gazetë për vjedhje a vrasje, të vjen me u fshehë e me qa dikund. Nëse i përmendin për suksese, të vjen me i thënë gjithë botës: ej, jam shqiptare. Sonte jam shqiptare. Salla e Pallatit Mbretëror mbretërohet nga shqipja sonte. Njerëz të bukur e të mirë që u shkëlqejnë sytë: ej, jemi shqiptarë.
Dhe Ardita Statovci hyn. Dhe mua më lë zemra. Nuk e mbaja mend kaq të imët, kaq të brishtë, kaq të re, kaq kristaline. I hedh një sy programit dhe e ndiej si ngrij. Një insikt mëmësor më shtyn të çohem, ta marr përdore, t’u kërkoj falje të pranishmëve dhe të ikim diku, sa pa u koritë. Një insikt shqiptareje më shtyn të strukem në stol dhe të pendohem që erdha: kjo ka me na koritë.
Dhe Ardita buzëqesh dhe nis e luan menjehere pjesën e
pestë të suitës “Tombeau de Couperin”, Menuet, të Ravelit. Kësaj ia del ajo,
mendoj, në notat e para. Më kujtohet nga shkolla se nuk mbahej si pjesë aq e
vështirë. E shkruar për shokët e rënë të kompozitorit, është megjithatë një
pjesë që mbart nota optimizmi. Është Iberia që më mban pezull, që më shtyn të
kontrolloj daljet. Nga e gjithë kjo marramendje më zgjojnë duartrokitjet e
para. Asgjë nuk kam dëgjuar unë.
E shoh vajzën me bisht të syrit dhe ajo i ka
tiparet krejt të zbutura, siç i zbuten asaj kur i pëlqen shumë diçka. “Mblidhe
veten”- i them vetes, “tashti është Mozart, Ardita duket si e krijuar për Mozart”.
Sonata në C-dur. Edhe këta që nuk shkruajnë me nota muzikore, por me shkronja.
Çfarë ishte C edhe një herë, “do”, po “do maxhor”. Lëmsh, lëmsh. Por Ardita
luan kaq shpengueshëm, pa partiturë gjatë gjithë koncertit. Në fakt është
argëtuese ta ndjekësh live kur luan. Ajo pianoja e madhe duket si kafshë
shtëpiake që i përkëdhelet dhe i përshtatet lojës së saj. Andante cantabile
është një bekim për veshin, tashti jam shkrirë krejt dhe e ndiej si më zbuten
tiparet edhe mua. Salla është bërë piano, të gjithë janë bërë taste pianoje dhe
ajo luan e qeshur me ne. Në Allegretto të gjithë buzëqeshin, është pak
gudulisëse loja e saj, në fakt.
Duart, më thotë vajza, shihja duart. Jemi në radhën e
katërt dhe më duhet të zgjatem t’ia shoh duart Arditës. Nuk më besohet se është
ajo që po luan, thotë vajza, ato duar kaq të holla. Dhe atëherë e kuptoj se jam
krejt në duart e Arditës. Kur salla mbushet me tingujt e Lisztit, nuk është më
një person i ri dhe i imët që luan. Një shpirt i madh me duar virtuoze e ka
kapë pianon dhe tund dhe e shkund në ajër. Është një përjetim shumë fizik, kur
mbaron jam pa frymë, athua se jam unë pianoja. Pauzë, thotë Ardita, hera e parë
që flet. Por më perpara do ju tregoj për atë që do të luaj ne pjesën e dytë,
Dutillex, Sonate pour piano. Krejt i panjohur per mua, mezi që më pritet sa të
mbarojë pauza. Dhe Ardita Statovci hyn. Dhe mua më vlon zemra. Tashmë jemi thellë, jemi në det të hapur. Një shpirt i fuqishëm na i fryn velave e na i shtyn anijet përpara, fjala e Arditës para pauzës se ka shpresë: në atë dëshpërim ka me u ndezë një dritë shprese. Dhe mandej të gjithë e shohim atë far. Dhe marrim frymë thelle. Vetëm Ardita dihat, me vështrimin ende të papërqendruar.
Sonte është një
mbrëmje e vecantë. Hëna varet në qiellin e Stokholmit si një poezi e kohëve të
vjetra. Unë shkoj dorë për dorë me time bijë. Të dyja ende në duart e një
artisteje të madhe, Arditës.
![]() |
| Ardita Statovci |
Koncerti recital i Ardita Statovcit në Stokholm u dha
më 20 shtator 2016

No comments:
Post a Comment